LSI, kundër tatim-fitimit 15 për qind për fasonët

Postuar në 27 Dhjetor, 2013 03:31

Lëvizja Socialiste për Integrim depoziton në Komisionin e Ekonomisë tre amendamente për projektbuxhetin e vitit 2014. Petrit Vasili, në emër të grupit parlamentar të kësaj partie është shprehur se tatim-fitimi për biznesin fason nuk duhet të rritet në 15 për qind, por të ruhet në masën aktuale 10 për qind. Kjo është arsyetuar me ndikimin e madh që ka ky biznes sidomos në gjenerimin e vendeve të punës, pasi është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend.

Amendamentet e LSI-së

LSI duket se do të bllokojë Paketën Fiskale, pasi ka kërkuar që rritja e tatimit-fitimit në 15 për qind bizneset e mëdha, masë e parashikuar në Paketën Fiskale 2014, të mos prekë biznesin fason. Sipas Petrit Vasilit, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së: Tatimi mbi të ardhurat për këtë biznes të vazhdojë të rrijë në masën 10%. Ky biznes ka qenë motor punësimi për shoqërinë shqiptare. Nëpërmjet këtij biznesi ka një komunikim të rëndësishëm me biznesin ndërkombëtar. Nëpërmjet një tatimi të tillë për këtë veçanti që ka biznesi fason, Shqipëria mbetet një vend atraktiv për bizneset e huaja. Ky do të ishte një stimul pozitiv për këtë biznes që të vazhdonte të zhvillohej, sepse ato kapacitete punësimi që ka ai nuk i ofrojnë biznese të tjera”. Ndërkohë, Vasili është shprehur se LSI kërkon që 20% e të ardhurave të realizuara nga rritja e akcizës për duhanin të kalojë si fond shtesë në Ministrinë e Shëndetësisë. Po kështu, LSI propozon që kontrollet mjekësore falas një herë në vit të zgjerohen deri në moshën 65-vjeçare. “Në mënyrë konkrete, grupi i LSI ka propozuar që së paku 20% e të ardhurave të realizuara nga rritja e akcizës për duhanin të kalojë si fond shtesë në Ministrinë e Shëndetësisë, pasi siç dihet rritja e kësaj akcize ka pasur si qëllim kryesor mbrojtjen e shëndetit publik. Së dyti, kemi propozuar një ndryshim tjetër që ka të bëjë me zgjerimin kontrollit mjekësor nga mosha 40-60 vjeç, është e rëndësishme që të zgjerohet deri në moshën 65 vjeç për disa arsye që janë arsye të karakterit shkencor dhe fiziologjik. Propozimi ynë synon dhe mbulimin më të mirë të meshkujve, që dalin në pension në moshën 65 vjeç. Fondi prej 15 milionë dollarë afërsisht të kishte një rishpërndarje të re, ku pjesa e depistimit të shtohej dhe kontrolli të kryhej në mënyrën më të plotë dhe të jepte rezultatet e dëshiruara”, është shprehur Vasili. Por zv.ministri i Financave, Ervin Meta, është shprehur kundër kësaj ndërhyrjeje për momentin. “Në qëndrimin tonë, për momentin ne jemi kundër përjashtimeve. Do të hartojmë në një kohë jo të gjatë, një sërë incentivash që lidhen me bizneset”, tha Meta.

Propozimet

Po kështu, është hedhur poshtë dhe propozimi i kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, për zerim të taksave për manifakturistët.

“Për manifakturën të jenë zero, me kusht të jetë investimi brenda territorit shqiptar. Nëse ju e keni të vështirë këtë gjë ta diskutoni tani, qoftë brenda jush, qoftë me FMN-në do të preferoja që më mirë të diskutoni për një moment të dytë këtë propozim”, tha Braçe. “Për momentin nuk mund ta mbështesim një propozim të tillë, edhe për faktin se ka një efekt të konsiderueshëm në buxhet”, ka deklaruar Mete.

Ndërsa dje, në Komisionin e Ekonomisë është anuluar rritja e taksës, sipas skemës së propozuar nga qeveria. Sipas vendimit të Komisionit, taksa rritet vetëm ndërtesat e biznesit, duke u dyfishuar nga 200 në 400 lekë për metër katrorë. Po kështu veç taksës së apartamenteve, e pandryshuar do të qëndrojë edhe masa fikse e kontributeve për të vetëpunësuarit në fshat, për të cilën ka pasur debat mes palëve. Një tjetër ndryshim është dhe përjashtimi nga TVSH për industrinë hidrokarbure, por vetëm në fazën e kërkimit. Sipas burimeve nga Ministria e Financave ky ndryshim ka efekt minus 650 milionë lekë në buxhet. Po kështu, është vendosur dhe akciza për pijet energjike në masën 5 për qind duke nisur nga janari i 2014-s. Vetëm gjatë 2013-s sipas të dhënave të deklaruara nga ministri Cani në Komisionin e Ekonomisë janë importuar 9 milionë litra pije energjike. Kështu që pritet që ndikimi në buxhet i akcizës së këtyre pijeve të jetë i lartë.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.