Dalipi: Basha të respektojë mandatin si kryebashkiak, për buxhetin kërkuam kohë

Postuar në 28 Dhjetor, 2013 17:02

Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, sqaron se maxhoranca nuk bllokoi miratimin e projekbuxhetit po kërkoi më tepër kohë, analizë dhe shqyrtim nga Komisionin i ekonomisë për këtë projek-buxhet. Gjithashtu Dalipi thotë se nuk duhet të kalojë një buxhet në Këshill pa qenë Kryetari i pranishëm në mbledhje, fakt ky që u shoqërua me debate gjatë mbledhjes së paradites së të premtes.

“I bëjmë thirrje të jetë më serioz me qytetarët e Tiranës dhe të respektojë mandatin e marrë prej tyre. Në këtë mënyrë ne kuptojmë pozicionin e tij në raport me zgjedhjet që do të vijnë. Projektbuxheti dje ngeli në klasë dhe duhet të japë një riprovim në ditët në vijim. Ftoj zotin Basha të vijë të dëgjojë ankesat e këshilltarëve, të bëhet transparencë dhe qytetarët të kuptojnë si mund të ndryshojë jeta e tyre në këtë qytet. Ka ardhur koha që në bashkinë e Tiranës të ketë një qasje tjetër ndryshe nga e kaluara”, citon Ora News kreun e Këshillit Bashkiak.

Bozdo: Rama bllokoi buxhetin për t’u hakmarrë ndaj qytetarëve të Tiranës

Kryebashkiaku Basha duket se ia ka lënë tërësisht në dorë drejtimin e Bashkisë së Tiranës nënkryetarit Bozdo. Pas prezantimit që ky i fundit i bëri buxhetit në Këshillin Bashkiak, ku nuk u miratua, nënkryetari doli me një deklaratë për mediat.

Bozdo akuzoi direkt kryeministrin Rama për hakmarrje ndaj qytetarëve të Tiranës, duke bllokuar buxhetin e bashkisë.

“Në emër të Bashkisë së Tiranës dua të shpreh keqardhjen për mosvotimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës nga këshilltarët e majtë. Siç u pa dhe gjatë ditës së djeshme, gjatë një diskutimi maratonë, i vetmi justifikim i qenësishëm që u përcoll nga këshilltarët e majtë ishte përdorimi për interesa politike i këtij buxheti. Mosvotimi i buxhetit dhe shtyrja e tij në kalendat greke është shërbimi më i keq që iu bëhet interesave të qytetarëve të Tiranës. Me këtë buxhet parashikohej të financohej ndërtimi i 82 km rruge të reja dhe 128 mijë m2 sipërfaqe e gjelbër. Me këtë buxhet parashikohej të financohej ndërtimi dhe rikonstruksioni i 69 shkollave të mesme, çerdheve dhe kopshteve për vogëlushët e Tiranës, i laboratorëve të rinj dhe palestrave të reja, i instalimit të ngrohjes në 100% të çerdheve dhe kopshteve dhe 90% të shkollave të mesme, deri në fund të vitit 2014”, tha Bozdo.

“Dua t`u bëj sot thirrje në emër të qytetarëve të Tiranës, kryetarit të PS dhe kryeministrit të vendit ta nxjerrë Bashkinë nga axhenda e tij e konfliktit politik, të ndalë hakmarrjen daj qytetarëve për votën kundër 2 vjet më parë dhe t`i hapë rrugën zbatimit të projekteve që do ta shndërrojnë Tiranën në një kryeqytet europian, që përmirësojnë cilësinë e jetës, do të nxisin zhvillimin ekonomik dhe punësimin në kryeqytetin shqiptarë”, u shpreh ai më tej.

Reagimet erdhën sepse 8 orët e mbedhjes së Këshillit bashkiak pati debate mbi projekte të parealizuara të Bashkisë dhe mosardhjes së Bashës për të shpjeguar projekbuxhetin. Të majtët kërkuan shtyrje të diskutimit, madje edhe Dhori Kule, këshilltari i djathtë në Këshill dhe anëtarë i Komisionit të ekonomisë ka votuar pro shtyrjes së miratimit të buxhetit.

Këshilli Bashkiak kthen mbrapsht buxhetin

Këshilli Bashkiak i Tiranës nuk e ka votuar projektbuxhetin e paraqitur dje, duke e cilësuar jotransparent. Këshilltarët e maxhorancës kanë kërkuar që miratimi i tij të shtyhet për në ditët e para të janarit, pasi të jetë konsultuar me qytetarët.

Buxheti i Bashkisë së Tiranës u paraqit dje para Këshillit Bashkiak nga nënkryetari Enno Bozdo. Vetë kryebashkiaku Basha nuk ishte i pranishëm, edhe për shkak të detyrës së tij si kryetar i PD, në emër të së cilës është shfaqur në media çdo ditë, duke kritikuar buxhetin e paraqitur nga qeveria

Buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2014 është parashikuar 8 miliardë e 645 milionë lek, ku ndër projektet më të rëndësishme janë bulevardi i ri, trami, terminali multi-modal, rehabilitimi i lumit të Tiranës etj.

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.