Ç’po ndodh me Idrizin?

Postuar në 13 Janar, 2014 15:45

Një numër të përditshmesh dhe disa portale informative online raportojnë se transmetimi i prapaskenave të emisionit “Opinion” disa ditë më parë ka shkaktuar jo pak tension në rradhët e partisë së drejtuar nga Shpëtim Idrizi.

Ky i fundit, deputet i PD-së, që mban postin e kreut të PDIU-së e njohur edhe si njëra nga “partitë e çamëve” është përpjekur ta mbajë konfliktin larg medias. Ai nuk ka pranuar të japë komente pas zërave se videoja e Klanit, ku ai shfaqet duke tallur dhe ironizuar fizikun dhe staturën sociale të një prej deputetëve të PDIU-së, ka ngjallur pakënaqësi dhe probleme brenda grupit të deputetëve dhe në komunitetin çam.

E përditshmja Tirana Observer shkruan se “deputeti Muhedini, i zgjedhur në Tiranë, është shprehur pas emisionit për deklaratën e Idrizit se tashmë u ‘mbush kupa’ dhe Idrizi duhet të japë dorëheqjen”.

Portali online Lajmi i Fundit shkruan se “brenda kësaj force politike janë konstatuar tashmë qartësisht dy rryma që kanë nisur të kenë qëndrime të ndryshme qoftë për aleancat apo për mënyrën se si duhet të drejtohet partia”.

Edhe agjensia kombëtare e lajmeve AMA raporton se “deklarata e pas kuintave të emisionit “Opinion” e Shpëtim Idrizit nuk ka kaluar me aq indiferentizëm në kampin e PDIU. Burime nga kjo parti bëjnë me dije se përveç deputetit Aqif Rakipi të revoltuar janë dhe deputetët e tjerë të kësaj partie..”

Mero Baze, i Tema online, duke komentuar një shpërthim të Berishës pas videove të transmetuara nga Klan shkruan: “Arsyet për shpërthimin skizofrenik të Berishës nuk duhet t’i kërkojmë tek përmbajtja e atyre që ka thënë Lubonja, por tek përmbajtja e emisionit Opinion për regjistrimet e tij “off record” në pauzat e emisionit. Berisha ka qenë i shqetësuar për dy gafa që u bënë publike lidhur me raportet brenda partisë së çamëve dhe deklaratën e ish- ministrit të Financave të tij në moment sinqeriteti, që borxhi mund të jetë më i lartë nga aq sa deklarohet…”

Videoja e Idrizit – që ka ngjallur edhe shumë polemika online – në fakt nuk është transmetuar e plotë. Në disa pjesë të saj ajo është censuruar me sinjalin “piiip’ për shkak se fjalori i Idrizit ndaj deputetit Rakipi ka qenë shumë më vulgar se ajo që u dëgjua në pjesën e transmetuar.

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.