Dosja "Zylyftari", automatikët e Bahri Tafilit s’kanë shenja gishtërinjsh

Postuar në 14 Janar, 2014 03:57

-Dyshimet se, vrasja e kolonel Arben Zylyftarit në operacionin e 2 gushtit 2000 në Shkodër, mund të mos jetë kryer nga Bahri Tafili dhe i biri, mbështeten edhe nga pyetjet pa përgjigje që mbeten pas ekspertimit nga kriminalistika dhe ekspertizës mjeko ligjor. Së pari, arma vrasëse nuk ka shenja gishtërinjsh të Bahri Tafilit dhe Genc Tafilit. Aludohet për një shenjë gishti se mund të jetë e Bahriut, por nuk jepet konkluzion kategorik. Nuk del e qartë se nga cili drejtim u qëllua drejtori i policisë, ndërkohë që procesverbali për predhën e nxjerrë nga trupi i të ndjerit Zylyftari nuk flet për dëmtime në majën e tij, pra për një plumb rikoshet. Nga dëshmitë nuk qartësohet nëse koloneli u vra nga e shtëna teke apo me breshëri kallashnikovi. Dëshmitë e dhëna nga Genc Tafili në hetuesi ditën e ngjarjes dhe dy ditë pas ngjarjes, ku janë shkruar rrëfimet e tij të ‘frikshme’ kundër të atit të vrarë para syve, përgënjeshtrohen me një tjetër rrëfim rrëqethës në dyert e gjykatës. Avokati mbrojtës i tij ka listuar shkelje të pafund në proces, në hetim, në procesverbale e deri tek dy dëshmitë fillestare të Gencit. Ato janë dhënë pa praninë e avokatit në polici dhe hetuesi më 2 dhe 4 gusht. “Shekulli” boton sot procesverbalin e armëve të sekuestruara ditën e vrasjes në vendngjarje, konkluzionet e hetimit bazuar te ekspertiza e armëve dhe e plagës që i mori jetën kolonel Zylyftarit, si dhe rrëfimin e Gencit dhe konkluzionet e avokatit mbrojtës të tij, vetëm një vit pas krimit.

Konkluzionet e prokurorisë mbi armët e Bahri dhe Genc Tafili

Të gjitha armët e sipërshënuara të gjetura në provë në banesën e Bahri Tafilit, kanë realizuar qitje, por koha e qitjes nuk mund të përcaktohet. Nga këqyrja, skica dhe fotografitë e vendit të ngjarjes rezultoi se shtëpitë e Bahri Takilit, Shefik Lekës si dhe kasollja e kalit janë me drejtim vendosjeje nga lindja në perëndim. Kufoma e shtetasit Bahri Tafili u gjet në një largësi rreth 9 m nga kasollja e kalit, i shtrirë në tokë me fytyrën, gjoksin dhe gjunjët nga sipërfaqja e tokës, me pëllëmbët e duarve afër kokës, me këmbët e shtrira drejt dhe pak të hapura, me dëmtime në bërrylin e dorës së majtë, mbante të veshur në trup një triko pambuku të bardhë me vija bardh e gri, më mëngë të shkurtra, pantallona stofi të zeza e rrip lëkure ngjyrëkafe dhe këmbë të zbathura. Në largësi 50 cm, në veri të pëllëmbës së dorës së djathtë u gjet një armë zjarri automatik mod 56, kalibër 7.62, tip kallashnikov me tytë dhe kasë të shkurtuar, me tytën e drejtuar nga hyrja e oborrit, me stampime në kutinë e tytës nr 4220069 me dy krehëra me kahe të kundërta të bashkuara me njëri-tjetrin. Rrotull trupit të Bahri Tafilit, u gjetën 10 copë gëzhoja metalike në formë shisheje. Gjithsej në vendin e ngjarjes, brenda dhe jashtë kasolles së kalit u gjendën 18 copë gëzhoja metalike dhe akti tekniko-balistik, nr 21.52 nga ekspertët është arritur në konkluzion se automatiku model 56 me kalibër 7.62 mm, me nr 4220069 është i modifikuar dhe realizon qitje normalisht. Grupi prej katër gëzhojash është qitur nga automatiku i mësipërm. Mbi sipërfaqen e këtij automatiku, si dhe të krehrit 20 nuk janë evidentuar gjurmë papilare të vlefshme për identifikim. Kjo armë është lëshuar në tokë nga Bahri Tafili, kur ka dalë nga kasollja duke shtënë me të dhe policia i është kundërpërgjigjur me zjarr, fakt ky i provuar edhe nga dëshmitari Prel Pjetrushi. Gjithashtu rreth 8 metër larg armës së sipërpërmendur, me drejtim nga veriu-jug u gjet me tytën nga ana lindore, me krehra të futur dhe të fiksuar për arme dhe të bashkuar me njëri-tjetrin një armë automatike me tytë dhe kasë të shkurtuar, kasë dhe dorezë prej druri me ngjyrë natyrale me numër 08 525-84.

Konkluzionet për plagën dhe llojin e armës së vrasjes së kolonelit

Nga këqyrja e kufomës së viktimës Arben Zylyftari rezultoi se kishte një plagë arme zjarri 8 cm poshtë sisës së majtë dhe 7 cm në brendësi me përmasa 2.5 X 1.5 me drejtim pak oblik. Nga autopsia, predha u gjet në pjesën e prapme të kurrizit, djathtas, afër projektimit të ekimozës, poshtë brinjës së dymbëdhjetë, 7 cm afër shtyllës kurrizore në përmasa 2.5 X 2 cm. U fiksua që predhe metalike kishte majën e dëmtuar ( akti mjeko - ligjor nr 45 mbi kufomën e shtetasit Arben Zylyftari ). Është konkluduar se drejtimi i qitjes ka qenë oblik nga e majta në të djathtë, nga para - prapa, dhe se shkaku i vdekjes ka qenë dëmtimi i enëve të mëdha të gjakut, aortës, si pasojë e kalimit të predhës në to. Nga akti nr; 2152 tekniko - balistik rezulton se predha e ka majën e shtypur si pasojë e përplasjes me një send të fortë. Te kjo predhë evidentohen katër gjurmë të viaskave të tytës. Predha i përket fishekëve luftarake, standard model 56, kalibër 7.62 mm, që përdoren nga automatiku, pushka e mitralozi i lehte model 56, kalibër 7.62 mm. Sipërfaqja anësore e saj ka disa gërvishtje gjatësore të shkaktuara nga fërkimi me objekte të tjera. Nga krahasimi i gjurmëve të viaskave të evidentuara në predhën objekt ekspertimi, me ato të predhave të qitura nga dy automatikët objekt ekspertimi rezulton përputhje midis predhës objekt ekspertimi dhe atyre të qitura nga automatiku me nr; 08525-84. Ekspertët kanë arritur në konkluzionin se predha është qitur nga automatiku me nr;08525-84. Mbi sipërfaqen e automatikut me nr;08525-84 nuk u evidentuan gjurmë papilare të vlefshme për identifikim (akti nr; 2295 ) dhe se gjurma e gjetur tek automatiku me nr; 08 525-84, mbi sipërfaqen e izolantit me ngjyrë të bardhë që mbështillte dy krehrat tip 20-she është një gjurmë gishti e vlefshme për identifikim dhe që është formuar prej asnjërit prej gishtave të të pandehurit Genc Tafili, dhe nuk përjashtohet të jetë formuar nga gishti i unazës, i djathtë, i Bahri Tafilit ( akti nr;2296 ). I pandehuri Genc Tafili që në deklarimet e para në hetim paraprak dhe në vazhdimësi ka shpjeguar se "ndërkohë që kemi qenë brenda në kasollen e kalit, babës iu bllokua automatiku dhe ma dha mua. Më tha futi karikator tjetër dhe mori automatikun tim. Atëherë unë mbusha automatikun e tij me një karikator dyshe. Baba përsëri qëlloi me automatikun që më mori mua dhe aty u plagos lehtë në kokë, se e pashë të larë në gjak". Në vazhdim të deklarimeve të tij, i pandehuri Genc ka shpjeguar se: baba më tha ruaju se më duket se kam plagosur një polic".

Arma e vrasjes pa gjurmë gishtash

U provua që predha që u gjet në trupin e viktimës Arben Zylyftari kishte bërë rikoshet ( pra përplas me hekurat e penxheres) dhe si pasojë drejtimi i qitjes është oblik. Kjo predhë është qitur nga arma që i pandehuri Genc Tafili ka hedhur nga dritarja (ana lindore e kasolles së kalit), por duke vlerësuar shpjegimet e të pandehurit si dhe aktin e ekspertimit nr;2296, ku jepet konkluzioni që gjurma e gishtit e gjetur në automatikun me nr 08 525-84 nuk përjashtohet të jetë lënë nga gishti i unazës së djathtë të Bahri Sulo Tafilit, akuza krijon bindje kategorike të mbështetur në prova mbi ekzekutorin e kësaj vepre penale.

Procesverbali 2 gusht 2000

Unë A. Omi, oficer i Policisë Gjyqësore, pasi mora njoftim në lidhje me ngjarjen të ndodhur konstatova; me dt 2.8.200, ora 14.30, në vendin e quajtur Udhakryq u bë një operacion për kapjen e shtetasit Bahri Tafili, ku ky i fundit, së bashku me të birin, Genci Tafili kanë hapur zjarr ndaj policisë dhe nuk i janë përgjigjur thirrjes për tu dorëzuar, kanë mbajtur me zjarr policinë rreth 45 minuta dhe kanë vrarë drejtorin e Policisë, Arben Zylyftari. Bahri Tafili gjatë përpjekjes për të çarë rrethimin e policisë dhe pasi kishin gjuajtur bashkë me të birin ndaj drejtorit të Policisë, i vrarë në zjarrin e policisë, kurse i biri u kap i gjallë. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kontrollit të banesës u fiksuan dhe u bllokuan këto sende më me rëndësi si provë materiale, të cilat janë:

1-automatik, mod 56, tip kallashnikov, 2 copë me nr 4220069 dhe 0852584

2-armë gjahu me numër 628667

3-pistoletë mod 54 tip TT me nr 7580158

4-pushkë me nr 10820

Tafili në gjyq: Kolonelin dhe babanë tim i vrau policia

Në dosjen e vrasjes së kolonelit, në dy dëshmitë e para të dhëna nga Genc Tafili, njëra më 2 Gusht 2000, menjëherë pas arrestimit dhe tjetra me 4 gusht, prokuroria thotë se ka deklaruar që kolonelin e vrau babai. Dje botuam të plotë pikërisht dëshminë e datës 4 gusht 2000, që Tafili e ka dhënë pa praninë e avokatit. Mirëpo, ja çfarë deklaron para gjykatës në majin e një viti më pas ngjarjes i pandehuri dhe personi që vuan dënimin me 25 vite burg për vrasjen e Arben Zylyftarit, 14 vjet më parë:

“Pas një hetimi fillestar, duke më shmangur herë pas here avokatin, me akte të pakomunikuara, me thirrje dhe ekzaminime ekspertësh të Drejtorisë së Policisë, pa sekuestruar provën kryesore materiale, me një proces gjyqësor ku përfaqësuesi i akuzës belbëzon pa u kuptuar se çfarë kërkon, me dëshmitarë të cilët dëshmojnë vetëm për veprimet policore, por jo për akuzën e vrasjes, e quaj të arsyeshme të përfitoj nga mundësia që më krijon ligji të bëj këto deklarime, të cilat për shkak të gjendjes tepër të rënduar emocionale i kam përmbledhur shkurt me shkrim dhe ia lë avokatit tim Haki Kraja para jush.

1. Kjo çështje penale në ngarkimin tim nuk duhej të sillej në gjyq, por duhej të pushohej, sepse kolonelin dhe babain tim i ka vrarë policia. Unë nuk kam kryer asnjë krim dhe do të ishte padrejtësia më e madhe të shndërrohem nëpërmjet Gjykatës në ombrellë për të mbuluar krimet e të tjerëve.

2. Operacioni i policisë është organizuar nga dëshmitari Astrit Veshi nga Vlora, pa plan operacioni dhe pa miratimin paraprak të këtyre veprimeve nga Drejtori i Policisë duke angazhuar një autokolonë me forca policore. Drejtori i Policisë është thirrur në vendngjarje nga dëshmitari Astrit Veshi. Vendosja e Drejtorit në zonën e operacionit karshi stallës së kalit ku ishte vendosur i kërkuari Bahri dhe në tarracë të stallës pesë policë të forcave speciale, të maskuar dhe me antiplumb, është bërë po nga Astrit Veshi.

3. Hyrja dhe kontrolli i banesës sime është bërë nga forcat policore të drejtuara nga Astrit Veshi pa patur gjendje flagrance dhe pa patur asnjë urdhër apo vendim arresti apo dënimi me burg, duke i bërë gjithë këto veprime të kundërligjshme dhe duke e zhveshur policinë nga çdo mbrojtje ligjore.

4. Veprimet e mia që të ndihmoj babanë për t'i shpëtuar arrestimit janë shtrirë në kohë dhe në hapësirë, që nga momenti kur policia ka hyrë në shtëpinë tonë, deri sa unë dhe babai im kemi ikur nga shtëpia dhe kemi mundur të futemi në stallën e kalit të fqinjit tonë dëshmitarit Shefqet Lekaj, veprime këto që sipas nenit 302/2 të K. Penal nuk mund të dënohem, sepse kam ndihmuar babanë tim ( si i paslindur).

5. Me mbërritjen në stallë kam parë rrethimin e plotë nga policia dhe i kam thënë babait të dorëzohet, sepse do të vritemi. Që nga ky moment kam ndërprerë çdo veprim, por kam qëndruar kruspull në cep të stallës për t'u mbrojtur nga breshëritë e plumbave. Mosveprimi përjashton marrëveshjen si element i domosdoshëm për ekzistencën e bashkëpunimit.

6. Koloneli është vrarë nga një e shtënë e vetme, pastaj kanë filluar të shtënat me automatik, të cilave iu është përgjigjur babai, i cili më thoshte se nuk dorëzohem.

7. Pasi babai është plagosur është bindur për t'u dorëzuar. Ai ka dalë pa automatik në dorë dhe është vrarë pasi është dorëzuar, i shtrirë, gati 10 m larg stallës, përballë shtëpisë së dëshmitarit Sheko. Përshkrimi në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes se; 50 cm larg tij ka qenë automatiku është bërë për të justifikuar vrasjen. Po të kishte dalë babai me automatik në dorë tek dera ai do te ishte vrarë në vend.

8. Unë jam dorëzuar pasi është vrarë babai dhe kam dalë me duar lart pa automatik në dorë. Edhe ekzaminimet daktiloskopike të automatikëve vërtetojnë shkencërisht se ato nuk kanë asnjë shenjë të gishtërinjve të mi. Askush nuk mund të provojë se në stallën e kalit unë kam pasur automatik në dorë.

9. Për plumbin e nxjerrë nga trupi i kolonelit nuk është marrë vendim sekuestroje, kështu as unë dhe as avokati im nuk kemi patur mundësi të ushtrojmë ankim në Gjykatë dhe gjykata ishte e detyruar në seancë gjyqësore të konstatonte pavlefshmërinë e kësaj prove materiale që akuza kërkon t'ia servirë Gjykatës si çelësin e artë të "fajësisë sime".

10. Mungesa e provave të fajësisë për vrasje është zëvendësuar me falsifikimin vulgar të aktit të ekspertimit nga Prokuroria me Laboratorin Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Rendit Publik.

Zhduket predha e gjetur në trupin e Arben Zylyftarit

Nuk sekuestrohet nga Prokuroria prova kryesore e akuzës, predha e nxjerrë nga trupi i kolonelit. Predha për të cilën flet prokuroria, nuk përputhet me përshkrimin e mjekut ligjor

Shkeljet në gjyq ndaj Genc Tafilit, janë argumentuar nga avokat Haki Kraja më 9 korrik 2001. Më poshtë jepet një pjesë e konkluzioneve të mbrojtjes së tij në gjyq. “Më lejoni që të bëj një parantezë të shkurtër para se të shtroj konkluzionet përfundimtare, e cila diktohet nga një veçori pa precedent e seancës gjyqësore të datë 5 korrik 2001. Kjo seancë ishte caktuar për paraqitjen e diskutimit përfundimtar nga Prokurori dhe nga ana ime si avokat mbrojtës i të pandehurit Genc Tafili. Meqënëse Prokurori deklaroi se diskutimin e tij e ka të shkruar, konkluzionet e tij nuk u pasqyruan në procesverbalin e seancës, por në përfundim të seancës këto konkluzione nuk u përfshinë në fashikullin e gjykimit, sepse ato kishin qenë shënime me dorë, shkurtime faktesh dhe idesh, pa datë, pa nënshkrim dhe do të dorëzoheshin në Gjykatë, pasi të korrektoheshin, të shtypeshin në kompjuter dhe të nënshkruheshin nga Prokurori. Pasi ka përfunduar seanca gjyqësore kam konstatuar se në fashikullin e gjykimit dhe në procesverbalin e seancës gjyqësore mungojnë konkluzionet e diskutimit përfundimtar të prokurorit. Ky qëndrim i trupit gjykues dhe sekretares përbën një shkak të rëndësishëm njëanshmërie, pasi në ato shënime ishin hequr shprehje shumë të rëndësishme, vendimtare, të lexuara nga Prokurori në seancë gjyqësore dhe kur unë kërkova të njihem me këto shënime, shumë nga deklarimet në gjyq nuk ishin. Kjo do të thotë se edhe në procesverbalin e seancës gjyqësore ato nuk janë shënuar fare...

Predha vdekjeprurëse, eksperimentale

Pasoja kriminale ka ardhur nga një e shtënë e vetme, prandaj arrihet në konkluzionin kategorik dhe logjik se vetëm një person është autor i krimit, i pandehuri Genc Tafili, i ndjeri Bahri Tafili, apo ndonjë person tjetër i pa identifikuar. I pandehuri Genc Tafili mund të përgjigjet për krimin e vrasjes vetëm nëse është ekzekutor. Sipas skicës së vendit të ngjarjes dhe vendosjes së forcave të policisë del se të shtënat me armë në raport me vendin ku është vrarë koloneli, janë realizuar në pozicionet përballë, dhe në distancat më të largëta dhe në pozicionet oblike me të. Sipas akt-dëshmisë mjeko-ligjore nr. 45, dt 2.8.2000, dhe sipas procesverbalit të këqyrjes se kufomës date 2.8.2000 del se drejtimi i predhës ka qenë oblik. Edhe mjeku ekspert i thirrur në Gjykatë sqaroi grafikisht me skicë, që u administrua si provë, drejtimin e qitjes, ç'ka rikonfirmoi se me pozicionin ballor, ku ka qenë i vendosur koloneli në raport me koliben e kalit, në të cilën ka qenë edhe i pandehuri Genc Tafili, nuk është realizuar vrasja e tij. Të gjithë dëshmitarët provuan se koloneli është vendosur përballë dritares së kolibes së kalit në një distancë rreth 15 m larg. Po të ishte vrarë koloneli nga e shtëna me armë nga dritarja e kolibes së kalit, drejtimi i qitjes nuk do ishte oblik dhe se predha në atë distancë do e kishte shpuar tej për tej trupin. Kjo është prova e parë dhe vendimtare që rrëzon pretendimin e akuzës. Sipas akt dëshmisë mjeko- ligjore dhe pyetjes në seancë gjyqësore të ekspertit Dhori Toshi predha e nxjerrë nga trupi i viktimës nuk ka pasur asnjë karakteristikë të veçantë dalluese, prandaj edhe në akt nuk ka ndonjë përshkrim. Edhe sipas aktit të marrjes së provës materiale të nënshkruar nga Prokurori, mjeku ekspert dhe eksperti kriminalist, datë 2 gusht 2000, nuk del që kjo predhë e nxjerrë nga trupi i viktimës të ketë pasur ndonjë veçori dalluese. Në nenin 188, të K.Pr.P është sanksionuar detyrimi që kur merret prova materiale ajo përshkruhet hollësisht në procesverbal dhe se bashkohet me fashikullin e gjykimit. Përderisa në aktin e mjekut ligjor, në aktin e marrjes në dorëzim të predhës nuk është fiksuar ndonjë veçori (e prerë në majën e predhës), do thotë se predha objekt- ekspertimi me aktin nr. 2152, dt 5.8.2000, të ekspertëve kriminalist Shpëtim Muda, Nikolin Duraj dhe Ajdin Mborja, që ka një të prerë në majë, nuk është predha e nxjerrë nga trupi i viktimës. Edhe sipas kërkesave të neneve 208 e vijues të K.Pr.P, predha, duke qenë prova materiale më e rëndësishme e këtij procesi, duhej të ishte objekt sekuestrimi. Prokurori duhej të dispononte me vendim të arsyetuar sekuestrimin e predhës (siç ka disponuar për armët) dhe ta siguronte me vulën e organit përkatës. Përderisa akt-dëshmia mjeko-ligjore nuk shprehet se kjo predhë është e prerë në majë, përderisa procesverbali i marrjes në dorëzim nuk shprehet se kjo predhë është e prerë në majë, përderisa për këtë predhë nuk është disponuar me vendim të arsyetuar sekuestrimi i saj, do thotë se objekti i ekspertimit nga ekspertët nuk është predha e nxjerrë nga trupi i viktimës, por një predhë tjetër e përftuar nga një qitje eksperimentale me qëllim që të realizohej lidhja në mes të njërit prej automatikëve që kanë patur i pandehuri Genc me babanë e tij”.

Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.