Rokanas: Marrëveshja e ujërave s’pengon integrimin në BE. Statusi, jo shkak ekstremizmat

Zgjidhja e cështjes së ujrave mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka lidhje me rrugëtimin e vendit tonë drejt Bashkimit Europian. Kështu deklaroi Ambasadori grek në Tiranë Leonidas Rokanas, vendi i të cilit ka marrë Presidencën e Bashkimit Europian. Rokanas dhe Sequi dhanë një konferencë për shtyp në Tiranë, në selinë e Bashkimit Europian, me qëllim prezantimin e prioriteteve të Presidencës greke për 6 muajt e parë të vitit 2013.
Kufiri detar
I pyetur nëse do të marrë zgjidhje cështja e ujrave mes Shqipërisë dhe Greqisë gjatë presidencës greke, Rokanas tha se kjo cështje nuk ka lidhje me Bashkimin Europian por është një marrëdhënie dypalëshe, sikundër shumë cështje të tjera. “.Nuk dua të bëj koment për këtë cështje, po flasim për BE-në. Por dua të bëj një koment për Bashkimin Europian: cështjet që kanë mbetur do të zgjidhen në frymën e bashkëpunimit dhe miqësisë së mirë. Çështja e zonave ekonomike ekskluzive është e rëndësishme. Nuk mund të hyj në detaje sa i takon çështjeve mes dy vendeve”, u shpreh diplomati grek. Ndërkohë, Ambasadori i BE-së Ettore Sequi deklaroi se pakti detar mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk është kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Ekstremizmi
Ndërkohë në lidhje me bllokimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në muajin Dhjetor dhe deklaratave se në këtë vendim kanë ndikuar ekstremizmat në BE, diplomati grek theksoi se në këtë rast nuk ka pasur ekstremizën. “Sa i përket ekstremizmit, unë nuk flas në mënyrë zyrtare, por presidenca greke dhe shumë udhëheqës kanë thënë që ekziston euroskepticizëm, nuk do thoja ekstremizmi apo ata ultra-nacionalistë janë një element përkufizues i Bashkimit Evropian dhe natyrisht për këtë do të ketë një debat shumë të thellë e serioz sidomos në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Le të mos vemi theksin vetëm tek ekstremizmi, por euroskepticizmi ku disa janë euronacionalistë, disa skepticistë, por mund të konsiderohen, por ky element nuk ka luajtur një rol përkufizues në vendimin e Këshillit në muajin dhjetor. Jo, statusi nuk u refuzua, jo nuk ka të bëjë refuzim, por u tha që ne na duhet një historik më i gjerë. Në fakt jo vetëm raporti i Komisionit, por dokumenti i strategjisë janë shumë pozitive për Shqipërinë. Më falni që po tregohem tepër optimist për ju, por në thelb jam realist. E kemi mirëpritur Shqipërinë dhe uruar Shqipërinë për këtë dhe për ato gjëra që janë bërë duke përfshirë këtu madje dhe mënyrën si u realizuan zgjedhjet. Pra për mua është shumë e thjeshtë, arsyeja kryesore është se disa qeveri në BE kanë menduar se duhet më shumë kohë ndaj në përfundimet e Këshillit janë që presim të shohim këtë vazhdim të gjërave të mira që ka bërë deri tani Shqipëria”, theksoi Rokanas
Prioritetet e Presidencës
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë Ettore Sequi e konsideroi këtë 6 mujor si shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, e cila pret që në Qershor të 2014 të marrë statusin e vendit kandidat. Në këtë kuadër, Sequi ka ripërsëritur kërkesat e BE-së për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. ‘Është i rëndësishëm që dialogu me BE-në të mbahet gjallë. Jemi të sigurtë se Greqia do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë përpjekje. Dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës për reformat do të jetë kyç për integrimin. Ky është një angazhim i përbashkët”, u shpreh Sequi, ndërsa i cilësoi prioritetet e presidencës greke si impenjative dhe ambicioze.
Ambasadori grek në Tiranë, ndërsa prezantoi prioritetet e Presidencës tha se Greqia do të ketë shumë sfida. Sipas tij, ky vit do të njihet si viti mesdhetar, për ti dhënë një theks të rëndësishëm këtij rajoni, ku është dhe Shqipëria. “Greqia do të ketë shumë sfida dhe zgjerimi është politikë kyçe e BE me të cilën promovohet demokracia dhe stabiliteti në Europë. Zgjerimi i BE-së do të thotë rritje ekonomike. Kjo është një nga politikat tona më të rëndësishme. Të gjithë udhëheqësit e BE në mënyrë unanime kanë treguar angazhimin e pakthyeshëm për integrimin e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë. Për këtë duhen realizuar reformat për të bërë ndryshime, progres që do të ndihmojë në përmirësimin e sistemeve të vendeve të rajonit me qëllim përputhjen e tyre me sistemet e vendeve të BE-së”, tha Rokanas. Sipas tij, një nga prioritetet e presidencës greke është edhe rritja ekonomike dhe punësimi. “Ne kemi një destinacion të përbashkët dhe mesazhi i Presidencës greke të BE-së është optimizmi dhe jo optimizmi. Evropa po del nga kriza shkatërruese dhe Greqia gjithashtu. Shenjat e para që kanë të bëjnë me përmirësimin e ekonomisë ne po i shohim”, u shpreh Rokanas. Në këtë kuadër ai shtoi se Bashkimi Europian po përpiqet të ndërtojë një arkitekturë të re ekonomike dhe jo thjesht bashkim monetar, por dhe ekonomik.Gjithashtu ai shtoi se duhet angazhim dhe një iniciativë e përbashkët për bizneset e vogla. “Bizneset e vogla, palca, janë palca e ekonomisë së Shqipërisë”, tha Rokanas.
Tema
Add new comment