Vrasja e Gjepalit/ Tahiri: Policia se dinte që ishte jashtë. PD: Policia jashtë funksionit

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka pranuar se policia nuk ishte në dijeni se i dënuari për vrasje, Astrit Gjepali, që u vra në një atentat gjatë ditës së djeshme ishte jashtë burgut me leje. Tahiri e bëri deklaratën të enjtën në emisionin “Top-story” të Sokol Ballës, duke shtuar se “ka një handikap ligjor, burgjet nuk njoftojnë policinë për lejet e të burgosurve”.
Ndërsa gjatë ditës së sotme Tahiri tha se kjo ngjarje është e rëndë dhe se po hetohet. “Ishte një ngjarje e rëndë, për shkaqe që tashmë dihen, për shkak edhe karrierës të theksuar kriminale të personave të përfshirë. Jemi në hetim, të shohim”, tha Tahiri.
Mësohet se policia ka shoqëruar mbi 30 persona për të dhënë dëshmi që mund të çojnë në zbardhjen e atentatit. Në pyetje janë marrë dhe punonjës të burgut të Peqinit, si dhe të dënuar të këtij burgu në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes. Dyshohet se informacioni mbi datat dhe orën e kthimit të Gjepalit në burg, të kenë dalë pikërisht nga persona të stafit të burgut ose të dënuar të tjerë.
Ndërkaq Partia Demokratike ka fajësuar policinë për mungesë organizimi. Sipas deputetit demokrat Gent Strazimiri Policia e Shtetit eshte jashtë loje, pasi ministri i Brendshëm e ka shndërruar në një polici partike, të cilën e komandon vetë. Sipas tij krimi mafioz ishte i mirëorganizuar, ndërsa policia nuk kishte asnjë lloj informacioni. “Vrasja është një ngjarje tipike mafioze, e mirëorganizuar, qartësisht e mirëpërgatitur dhe koordinuar nga një grup i strukturuar. Ndërkohë, publikisht ministri i brendshëm, pyetjeve ne lidhje me ngjarjen me te fundit, iu përgjigj me “nuk e di”, “nuk mund ta parashikonim”, “nuk na kishin informuar”.Ministri minimalisht duhej të kishte njoftuar se personat përgjegjës në Policinë e Shtetit, ne Drejtorinë përkatëse te Burgut apo ne te dyja bashke kane zënë vendin e lënë bosh nga viktima, në Burgun qe i dha “lejen” tragjike.
Opinioni publik ndjen cdo ditë e me tepër faktin që ndërkohë që kjo qeveri po çorganizon Policinë e Shtetit, krimi po organizohet me shpejtësi marramendëse duke përgjakur çdo cep të vendit. Ky është çmimi që shoqëria po paguan, për shpartallimin e Policisë së Shtetit me largimet e paligjshme të profesionisteve, dhe zëvendësimin e tyre me numëruesit dhe financuesit e PS, të cilët të vetmen “certifikatë profesionale” e marrin në zyrën përkatëse të PS, ku dhe aplikojnë.Kjo është Rilindje e krimit, jo e shtetit! Kjo është Rilindje e vdekjes, jo e jetës!” tha deputeti Strazimiri.
Mapo
Add new comment