Naço: Të vendosur për sistem drejtësie të pavarur

Në analizën vjetore të punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve,ministri i Drejtësisë Nasip Naço theksoi se reformimi i drejtësisë është thelbësor dhe se Qeveria është e vendosur për të luftuar korrupsionin.
Ministri theksoi se projekti për mbikëqyrjen elektronike është një zgjidhje e integruar brenda shërbimit të provës dhe se ky projekt ndihmon qytetarët që kanë probleme me drejtësinë.
Kreu i drejtësisë shqiptare kujtoi se sistemi i burgjeve është cilësuar si i kalbur dhe i keqmenaxhuar, ndërsa theksoi se Qeveria është e vendosur që të ndërtojë një sistem drejtësie të pavarur dhe të besueshëm.
Ministri theksoi se i dënuari është pjesë e shoqërisë dhe duhet trajtuar si i tillë, ndërsa vuri në dukje se lejet shpërblyese në periudhën zgjedhore 6-mujore të vitit të kaluar kanë qenë abuzuese.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto u shpreh se do të ketë përmirësim të standardeve në garantimin e të drejtave të të dënuarve.
"Partneriteti është një nga objektivat e punës sonë. Gjatë 2013-s u përmirësuan kushtet në ambientet e burgjeve dhe paraburgimit", tha Zoto.
Kreu i Burgjeve theksoi se do të dënohet cdo bashkëpunëtor në arratisjen e 7 të dënuarve në burgun e Drenovës, ndërsa shtoi se dhënia e lejeve do të aplikohet për cdo të burgosur që plotëson kriteret ligjore.
/ Top Channel
Add new comment