Atentati ndaj kryekomunarit/ Basha e dënon, Berisha kërcënon: Rama do vuajë pasoja të rënda

Atentati ndaj kryekomunarit/ Basha e dënon, Berisha kërcënon: Rama do vuajë pasoja të rënda
20 Janar, 2014 | Postuar në: Aktualitet,Kryesore,Politika | Shkruar nga: TemA
Select Language▼
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministri Sali Berisha reaguan mbi ngjarjen e ndodhur në Vlorë ku si pasojë e shpërthimit të një lënde plasëse në automjetin e kryetarit të Komunës Qendër Fredo Berberi, mbeti i plagosur kryekomunari.
Përmes një deklarate, kreu demokrat Lulzim Basha e cilësoi si kriminal sulmin ndaj kreut të komunës Fredo Berberi.
Në vijim Basha kërkon zbardhjen e ngjarjes dhe nxjerrjen përpara ligjit të autorëve.
“Kreu demokrat shpreh revoltën e tij ndaj këtij akti të shëmtuar që është një shprehje e pasigurisë publike në vend, e revanshit të krimit, dhe për fat të keq, në këtë klimë frike, ku më të rrezikuarit janë zyrtarët dhe të zgjedhurit e Partisë Demokratike,” thuhet në njoftim zyrtar.
Ndërkohë ish- kryeministri Sali Berisha përmes një reagimi në rrjetin social Facebook thekson se “terrori, tritoli, bomba, burgje, bastisje, është qëndrimi i Edi Ramës ndaj opozitës”. “Akt i rëndë terrorist kundër kryetarit të komunës Qendër Vlorë Fredi Berberi”, e nis komentin e tij ne rrjetin social ish-Kryeministri.
“Ata që nuk e mundën dot me vota kryetarin e nderuar Fredi Berberi aplikuan politiken e granatave, tritolit, burgosjeve, bastisjeve të kryetarit të tyre neobllokmenit Edi Rama kundër opozitës”, shkruan Berisha në rrjetin social.
Sipas tij, në një hark kohor 3 javor drejtues dhe eksponentë të Partisë Demokratike kanë qenë subjekt i granatave tek dera e shtëpisë, arrestimeve politike brutale dhe terrorit mbi familjet e tyre, thyerjeve dhe bastisjeve të selive të tyre, tritolit në pronat e tyre, tritolit për të ekzekutuar kryetarin e komunës ditën për drekë në bulevardin kryesor të qytetit.
“Duke denoncuar me ashpërsinë më të madhe aktin terrorist politik ndaj zotit Fredi Berberi dhe uruar atij nga zemra shërim të shpejtë, duke dënuar me ashpërsinë më të madhe terrorin, dhunën, burgosjet, bastisjet i them Edvin Kristaq Rames hiq dorë nga politika e urrejtjes dhe hakmarrjes prej neobllokmeni, hiq dorë nga terrori, tritoli, granatat, burgosjet, bastisjet e opozitës përndryshe pasojat do të jenë për ju tejet të rënda. Opozita nuk mposhtet kurrë!”, thekson Berisha.
Tema
Add new comment