Kuvendi miraton ngritjen e komisionit për reformën territoriale, opozita bojkoton

Kuvendi miratoi në seancën e sotme ngritjen e një komisionit parlamentar për Reformën Territoriale. Komisioni do të funksionojë mbi propozimin e depozituar nga Partia Socialiste, por që është pranuar nga të gjitha grupet parlamentare, përfshi këtu edhe opozitën, gjatë shqyrtimit në Konferencën e Kryetarëve. Kështu në këtë komision pozita dhe opozita do të kenë të njëjtin numër anëtarësh, komisioni do të ketë dy bashkëkryetarë, ndërsa mbledhjet e tij cilësohen të vlefshme vetëm nëse janë mbi 50 % të numrit të anëtarëve të tij. Opozita në këtë komision do të ketë të drejtën e vetos. Komisioni i posaçëm ka për objekt të veprimtarisë së tij përcaktimin e kritereve për ndarjen e re administrativo-territoriale, hartimin dhe përcaktimin e kalendarit të zbatimit të reformës administrative-territoriale dhe përgatitjen e projektit për ndarjen e re territoriale. Në përbërje të komisionit do të jenë 16 anëtarë, nga të cilët 8 janë përfaqësues të pozitës (6 PS dhe 2 LSI) dhe 8 përfaqësues të opozitës (6 PD, 1 PR dhe 1 PDIU).
PD e ka refuzuar konsensusin me maxhorancës, pavarësisht plotësimit të kushteve nga kjo e fundit. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një deklaratë për mediat pak para largimit të opozitës nga salla, tha se PD-ja nuk mund të nënshkruajë asnjë marrëveshje konsensuale me këtë mazhorancë, e cila sipas tij ka në historikun e saj shkelje të vazhdueshme të marrëveshje të tilla të arritura përmes konsensusit.
“Unë e bëra të qartë edhe në konferencën e kryetarëve. Nuk mund të nënshkruhen marrëveshje të tjera me konsensus kur ka disa marrëveshje të tjera që janë shkelur nga mazhoranca e sotme. Janë shkelur dy marrëveshje që janë bërë për mosprekje të institucioneve të pavarura dhe këto janë shkelur. Ka filluar sulmi ndaj ILDKP-së dhe sot jemi në momentet që sulmohet edhe AMA”, tha Paloka.
Paloka tha se opozita nuk do të pranojë një hartë elektorale, që maxhoranca po e harton për përfitime elektorale. “Ne nuk mund të bëhemi qesharakë para shqiptarëve pse kemi një qeveri qesharake që nuk mban asnjë nga premtimet e saj. Sigurisht reforma është e domosdoshme dhe është e lidhur me një reformë për decentralizimin e pushtetit lokal që deri më sot po shkelet dhe me reformën zgjedhore. Fakti është që kjo mazhorancë synon të krijojë një hartë elektorale për interesat e saj. Të krijojë një hartë ku të llogarisë numrat që zgjedhjet e ardhshme t’i fitojë me hartë elektorale dhe jo me votat e shqiptarëve”, shtoi Paloka.
Debate për rendin në Kuvend, largohet opozita
Opozita ka braktisur seancën parlamentare vetëm pak minuta pas pushimit disaminutësh që u kërkua nga vetë PD-ja. Deputeti Paloka kishte kërkuar 5 minuta pauzë për të formësuar qëndrimen e grupit lidhur me disa çështje, por pushimi zgjati më shumë.
Pas rikthimit, fjalën e mori deputeti Berisha, i cili akuzoi ministrin e Brendshëm si “zgjatim i krimit në Parlament”. Ndërsa Tahiri tha se Berisha edhe nëse i shpëton drejtësisë, nuk i shpëton dot mallkimit të shqiptarëve.
“Kriminelët kanë dalë nga pushteti me 23 qershor, kanë dalë nga policia, tani janë derdhur rrugëve t’i binden këtij banditi që derdh vrer për akuza kriminale. Ky është një nga ta që nuk do të shpëtojë dot kurrë. Edhe nëse do i shpëtojë drejtësisë nuk do i shpëtojë dot mallkimit të shqiptarëve”, tha ai.
Mandati i deputeteve femra, debate të ashpra në Kuvend (replikat)
Seanca e sotme parlamentare nisi me një debat të ashpër mes deputetëve të opozitës dhe maxhorancës. Objekt i debatit ishte çështja e heqjes dorë nga mandati i deputetit për deputeten e Lezhës dhe dy grave të tjera deputete, veprim të cilin opozita e cilësoi si të detyruar.
E para që e ngriti këtë çështje ishte ish-kryeparlamentarja Topalli, e cila tha se tha se deputetja e Lezhës është kërcënuar. Ajo tha se mafia kërkon të hyjë në Kuvend. “Nuk janë të sëmura, por u kanë kërcënuar fëmijët, u kanë marrë peng vëllezërit,” tha Topalli.
Në përgjigje të akuzës së Topallit, ministrja Topalli sqaroi se deputetja e Lezhës ka hequr dorë nga mandati për arsye shëndetësore. Por sqarimi i Kodhelit u pasua nga përfshirja në debat e ish-kryeministrit Berisha dhe deputetes Mesila Doda.
Debati i plotë
Meta: (i drejtohet Topallit) Jeni kaq e shqetësuar për të drejtat e grave këtë e kuptoj, por që nuk keni marrë pjesë në asnjë aktivitet të aleancës së grave deputete.
Doda: Ky parlament ka vend për dy veta: ose për kriminelët ose për politikanët. Jemi njerëz të votuar. Asnjë nga ne nuk mund të ulet këmbëkryq dhe të shikojë krimin. Vendi po zaptohet me tritol, me presion ndaj deputetëve. Nuk mund të zëvendësohen mandatet e grave sikur të jenë kokrra orizi. Duhet ngritur një komision hetimor. Kërkoj që ambasadat e huaja të shprehen për këtë fenomen kaq të turpshëm.
Meta: ju flisni për presione dhe shantazhe. Pse nuk bëni veprime konkrete në prokuroorinë e shteti dhe para drejtësisë.
Topalli: Heshtja juaj në këtë rast ju vendos në anën e atyre që kërcënojnë dhe nuk lejonë gratë të ulen në këtë sallë. Unë do i bëj një propozim kolegeve të mia të bëjmë një rezolutë këtu në parlament dhe ta dërgojmë në KE dhe OSBE për një ngjarje që mund të ketë pasoja të rënda.
Berisha: Kjo është një ditë e zezë, një ditë e rëndë në historinë e këtij parlamenti. Në një vend ku dhunohen në mënyrën më brutale nënat. Motrat, vajzat shqiptare, në një vend ku dhuna familjare ndaj grave është bërë një problem madhor dhe së bashku kemi votuar ligjet më të rënda për të frenuar këto akte turpëruese, ne sot në parlament i nënshtrohemi mafies dhe tentakulave të saj. Një kompromis i turpshëm mes dy bashkëkryetarëve për të përzënë nga parlamenti dy zonja dhe për t’i zëvendësuar me të fortë të mafias. A mendoni ju se ky akt do të kalohet lehtë? Ky akt do të peshojë rëndë mbi këtë vend. Ju vërtet siguroni me këto pazare, por vendi nxihet e skuqet nga një veprim i juaji. Porsa i përket kësaj konfidentes (Kodheli) që ka me borxh të flasë çfarë i dikton kryetari, i them se ajo deputete mund t’i shërbejë vetes dhe shtetit disa herë më mirë. Ky vend ka solidaritet për deputetët e sëmurë, por jo flakjen. Ja çfarë janë këta, përdorin një grua për të sulmuar gratë. Atë që kreve ti sot këtu, ai është akti më i turpshëm… (Meta i pret fjalën)
Kodheli: Sali Berisha, ne të dy njihemi prej kohësh. Unë kam burrninë të të them dy gjëra: Jetën e babait tim ta kam borxh dy herë. Për të tjerat me mua nuk krahasohesh se në CV nuk ka pasur dhe nuk ka për të pasur as vrasje, as hajni.
Meta: Dua të bëj të qartë se gjithë ky protagonizëm absurd nuk ka pse të degradojë në fyerje ndaj zonjave deputete. Nëse keni akuza për presione, drejtojuni drejtësisë.
Dita
Add new comment