Skema e bashkëpunimit PS-FRD, aleancë në zgjedhjet lokale të 2015

Zbardhet takimi i disa ditëve më parë mes Ramës dhe Topit. Milo: Edhe ne në negociata
Fatjona Mejdini
Zbardhet skema e bashkëpunimit politik ndërmjet Partisë Socialiste dhe Frymës së Re Demokrate. Darka publike e Kryeministrit të vendit, Edi Rama, me kryetarin e FRD-së, Bamir Topi, në një nga restorantet më të frekuentuara të kryeqytetit, duket se ishte dhe zyrtarizimi i nisjes së bashkëpunimit mes dy partive. Sipas burimeve të gazetës “Shqip”, PS-ja dhe FRD-ja kanë rënë dakord parimisht për të bashkëpunuar në zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2015. Kjo mësohet se ka qenë kompromisi i parë i arritur ndërmjet Kryeministrit aktual, socialistit Edi Rama, dhe ish-presidentit Bamir Topi. Në fakt kjo nuk do të ishte hera e parë e një bashkëpunimi të tillë. Në zgjedhjet e pjesshme lokale në Korçë, të mbajtura në fillim të nëntorit të vitit të shkuar, FRD-ja mbështeti kandidatin e PS-së, Sotiraq Filo, pasi nuk mundi të dilte dot me një kandidat të sajin. Kjo eksperiencë pozitive duket se kërkohet të përsëritet nga palët, nisur edhe nga mbështetja e madhe që gëzon ish-presidenti Topi në Bashkinë e Tiranës. Skema tjetër e bashkëpunimit mes dy partive, është edhe ajo e caktimit në pozicione drejtuese në ekzekutivin shqiptar. Anëtarë dhe mbështetës të FRD-së, pritet të jenë pjesë e administratës shtetërore. Gjithashtu mësohet se vetë Topi nuk do të marrë asnjë post shtetëror, por ka preferuar të drejtojë partinë e tij, FRD-në. Disa ditë më parë, Kryeministri dhe ish-presidenti darkuan në një nga lokalet luksoze në qendër të Tiranës. Dy drejtuesit kryesorë të qeverisë, Rama dhe Peleshi, përfaqësuesit e FRD-së, Topi, Shehu dhe Gumeni, darkuan së bashku për rreth tre orë, duke vënë piketat e bashkëpunimit mes dy partive. Në përfundim të kësaj darke, Topi nuk ngurroi të theksonte se FRD-ja do të jepte kontribut në kuadër të disa reformave të çelura nga qeveria. “Besoj se në politikë, kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme që nuk u takojnë interesave personale, por atyre të Shqipërisë, sidomos për çështje të rëndësishme, ndryshime kushtetuese, për reformë administrative territoriale dhe që i takojnë shtetit dhe mbështesin filozofinë politike, pse jo, mund të bashkëpunojmë shumë mirë”, theksoi ai.
Milo dhe aleatët
Partia Socialiste, e cila është partia kryesore brenda mazhorancës qeverisëse, ka çelur negociatat me pjesën e mbetur të aleatëve për të ndarë pushtetin e fituar në 23 qershorin e vitit të shkuar. Pas katër muajsh nga marrja e pushtetit ekzekutiv, PS-ja ka nisur negociatat me aleatin e saj, Paskal Milo, për ndarjen e pushtetit sipas marrëveshjes parazgjedhore. Burimet bëjnë të ditur se kërkesat e Milos kanë qenë të përqendruara në përfaqësim me poste në ekzekutiv, të cilat kanë drejtori rajonale, kryesisht në Qarkun e Vlorës, zonë në të cilën PDS-ja ka përfituar dhe numrin më të madh të votave. Milo e pranoi nisjen e këtyre negociatave gjatë një takimi që zhvilloi dje me Komitetin Drejtues të kësaj partie. “Ka ardhur koha që PDS-ja të marrë vendin që i takon në qeverisje, në përputhje me kontributin që ka dhënë në fitoren e përbashkët dhe në respekt të marrëveshjes parazgjedhore të arritur mes partive të koalicionit. Ka filluar procesi i negocimit me PS-në, për përfaqësimin e PDS-së në qeverisjen e vendit. Ai nuk mund të kryhet as për një javë dhe as për një muaj. Por ju siguroj që kemi bërë dhe do të bëjmë gjithçka që varet prej nesh për të përfaqësuar denjësisht interesat dhe kontributet tuaja në këto negociata”, theksoi Milo. Ndërkaq, në ditët në vijim pritet që PS-ja të zhvillojë negociata dhe me aleatin e saj, Skënder Gjinushi.
Shqip
Add new comment