Kapet 'bashkëpunëtori' i vrasjes së 2 vëllezërve në sherrin për kromin

Policia ka arrestuar mbrëmjen e djeshme 19-vjeçarin Sekret Burgjisha, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me autorin e krimit Muharrem Burgjisha i cili ekzekutoi dje për vdekje me kallashnikov dy vëllezër dhe plagosi djalin e njërit prej tyre në zonën e Kalimashit për arsye pronësie të galerisë së kromit.
Arrestimi i 19 vjeçarit u bë i mundur nga policia e kukësit pasi dyshohet se ai ka qenë bashkëpunëtor në krimin e mesditës së djeshme.
Ndërkohë autori i krimit, Muharrem Burgjisha është arratisur, dhe është shpallur në kërkim nga policia, ndërsa po punohet për kapjen e tij.
Ditën e djeshme, një konflikt i nisur mes dy bashkëfshatarëve të zonës së Kalimashit, në Kukës, të premten ka përfunduar me dy të vdekur dhe një të plagosur. Muharrem Burgjisha ka qëlluar me armë zjarri Emri Batusha, 45 vjeç, vëllanë e tij Bilbil Batusha dhe nipin 16 vjeçar Arbër Batusha. Si pasojë e plagëve të marra, Emri Batusha ka gjetur vdekjen në spitalin e Kukësit, ndërkohë që i vëllai ka vdekur pas disa orësh mbrëmjen e së premtes në spitalin e traumës në Tiranë pasi nuk i mbijetoji plagëve të marra.
Mësohet se dy vëllezërit Batusha dhe autori i vrasjes Burgjisha kanë qenë ortakë dikur. Nisja e bashkëpunimit të vrasësit me një tjetër person, ka qenë zanafilla e konfliktit mes palëve. Përplasjet për pronësinë mbi këto galeri dhe të drejtën e nxjerrjes e më pas të shitjes së mineralit të kromit kanë shkaktuar shpesh konflikte të ashpra.
Add new comment