SHBA, Gradohen 24 ushtarakë shqiptarë në New Jersey.

24 ushtarakë shqiptarë të cilët studiuan në programin pilot në Shkollën e Kandidatëve për Oficer të Gardës së New Jersey në SHBA janë graduar ditën e sotme.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte shefi Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke iu drejtuar ushtarakëve të sapograduar, gjeneralmajor Jeronim Bazo u shpreh: “Ju sapo keni ndezur “pishtarin olimpik” të ndryshimit. Sfida juaj është që ta mbani flakën ndezur dhe të drejtoni ndryshimin dhe transformimin për të gjithë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, ka theksuar gjeneralmajor Bazo.
Gjatë takim me drejtorin e Shtabit të Bashkuar të Gardës së New Jersey, gjeneral brigade Grant vlerësoi partneritetin e suksesshëm midis dy Forcave të Armatosura gjatë këtyre 2 dekadave të fundit. Gjithashtu ai ka vlerësuar maksimalisht edhe performancën e lartë të ushtarakeve shqiptarë që ndoqën programin në Shkollën e Kandidatëve për Oficer të kësaj garde. Gjeneral Grant theksoi gjatë ceremonisë se “Mund t’i mësosh kandidatit për oficer gjithçka që mund të mësohet nga librat, por nuk mund t’i mësosh “kurajën dhe pasionin”. Oficerët shqiptarë i kishin ato brenda vetes”.
24 Kadetët, kandidatë për oficerë të grupit “Black Eagle 001” janë përzgjedhur nga strukturat e Forcave të Armatosura dhe kanë zhvilluar një program të veçantë stërvitor, ndërsa për 13 javë u përgatiten në Qendrën e Trajnimit të Gardës Kombëtare të New Jersey, SHBA.
Add new comment