Shembet masivi shkëmbor në galeri, humbin jetën 2 minatorë.

Shembja e një masivi shkëmbor në një galeri private në minierën e Fushë-Lopës në Martanesh, i ka marrë jetën dy minatorëve të cilët ishin duke punuar orët e para të kësaj të marte.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 09:40 të mëngjesit brenda ambienteve të galerisë. Nga burime të policisë bëhet e ditur se dy viktimat janë 50-vjeçari Xhemal Sela i cili është edhe baba i 4 fëmijëve dhe minatori 35 vjeç Denald Baçi.
Trupat e dy viktimave janë nxjerrë nga rrënojat e shkëmbit nën minierë për t’u dërguar në morgun e qytetit të Burrelit për të kryer akt-ekspertimin e vdekjes.
I kontaktuar nga “A1 Report” Dritan Ylli, kreu i Inspektoratit Shtetëror të Punës tha se një grup inspektorësh janë nisur drejt minierës për të parë nëse minatorët në atë galeri kishin apo jo kontrata pune, si dhe sigurimin e jetës.
Për ngjarjen tashmë është ngritur dhe një grup pune në ministrinë e ekonomisë i cili po ndihmon në hetimin e aksidentit, si dhe zbardhjen e raport inspektimeve të bëra më parë në galerinë ku ka ndodhur ngjarja.
Ndërkaq ministria bënë me dije se kjo galeri shfrytëzohet nga kompania ALBA-CO me lejen nr.548, datë 06.04.2000.
Njëherazi Ministria e Energjetikës bënë me dije se ka pezulluar 160 leje minerare për shkelje, teksa shpjegon se në përfundim të hetimeve dhe nxjerrjes së shkaqeve për vdekjen e dy minatorëve në punë këtë të martë do të rishikohet dhe leja e kompanisë ALBA-CO.
Aksidentet me vdekje të minatorëve gjatë punës nuk është hera e parë që ndodh në këtë zonë, ndërsa bilanci i viktimave këtë të martë është shtuar dhe me dy të vdekur.
Add new comment