Maratonë gjyqesh për energjinë, 20 të ndaluar për vjedhje lihen në burg

Postuar në 02 Nëntor, 2014 03:45

Maratonë gjyqesh në gjykatën e Tiranës. Mbi 30 persona të arrestuar nga policia për vjedhje të energjisë elektrike, kanë dalë dje para gjykatës së Tiranës, duke u njohur me masën e sigurisë. Për shkak të numrit të madh të të arrestuarve, gjatë ditës së djeshme në gjykatën e Tiranës është zhvilluar një maratonë gjyqesh, duke vijuar dhe jashtë orarit zyrtar të punës. Kjo pasi për disa prej të arrestuarve nga policia përfundonte afati i arrestit.

Sipas shifrave, 20 persona të prangosur si administratorë të kompanive private që kishin kryer lidhje të paligjshme janë lënë në masën e “arrestit në burg”, ndërkohë që 6 prej të ndaluarve janë lënë me masën e “arrestit në shtëpi” dhe 5 të tjerë në “detyrim paraqitje”. Për këta të fundit gjykata gjatë dhënies së vendimit konstatoi se kishin të pashlyer disa muaj të faturave eletrike, dhe për pasojë u është lënë afat që ata të paraqesin para prokurorëve faturat e paguara. Ndërkohë që personat e lënë në “arrest në shtëpi”, kanë pasur problem shëndetësore dhe se kishin rilidhur në mënyrë të padrejtë energjinë elektrike.

Që prej 4 ditësh Policia e Shtetit ka nisur një aksion të përgjithshëm në vend,duke arrestuar personat që vjedhin energjinë elektrike. Ky aksion është shoqëruar me një valë të madhe arrestimesh, deri në burgosjen e personave që kanë vjedhur prej vitesh energjinë elektrike.

19 të parët
Dy ditë më parë sërisht në gjykatën e Tiranës, është zhvilluar gjykimi pë 19 të ndaluarit e parë për vjedhjen e energjisë elektrike. Sipas vendimit të gjykatës 11 nga të akuzuarit janë lënë në burg pa afat, ndërsa të tjerët janë izoluar për një periudhë nga 20 në 30 ditore. Trupi gjykues pranoi kërkesat e prokurorisë duke izoluar në qeli me “arrest me burg” pa afat 11 të dyshuarit e parë për vjedhen e energjisë elektrike.

Për 7 të dyshuarit e tjerë, gjykata vendosi arrestin nga 20 ditë deri në 1 muaj, për t’u lënë kohë familjarëve, që të paguajnë detyrimet financiare. Vetëm për një nga 19 të ndaluarit, u vendos lirimi, dhe masa detyrim paraqitjeje për shkak të moshës së thyer dhe problemeve shëndetësore. Para gjyqtarit të gatshëm, të dyshuarit e arrestuar ngritën një sërë pretendimesh ndaj punonjësve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, duke i akuzuar për manipulime me faturat mujore. Avokatët e të dyshuarve, paraqitën të njëjtin argument, duke i cilësuar të paligjshme dhe anti kushtetuese, prangosjet nga ana e policisë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.