Bruksel, Mustafa-Vuçiç nënshkruajnë marrëveshjen për drejtësinë

Postuar në 10 Shkurt, 2015 04:56

Lajmi është konfirmuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, e cila drejtoi bisedimet. 

“Dy kryeministrat kanë nënshkruar marrëveshjen për drejtësinë. Rezultat i madh i rifillimit të dialogut Beograd-Prishtinë”, shkroi në “Twitter” Mogherini. 

Në komunikatën e lëshuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së shkruhej se dy kryeministrat zhvilluan diskutime gjithëpërfshirëse për një sërë çështjesh dhe vlerësuan punët që mbeten për t’u përfunduar. 

“Dy kryeministrat shkëmbyen pikëpamje për rrugën përpara dhe shprehën përkushtimin e tyre për vazhdimin e përparimit në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Kryeministri Mustafa dhe Kryeministri Vuçiç, janë pajtuar që të punojnë së bashku për të trajtuar shqetësimet rajonale, midis të cilave edhe çështjen akute migrimit të paligjshëm nga Kosova”, thuhet në komunikatë.

Ashtu si dhe paraardhësja e saj Ashton, Mogherini zhvilloi gjithashtu takime të veçanta me përfaqësuesit e lartë të Prishtinës dhe Beogradit.

Më herët kur mbërriti në Bruksel, në vizitën e tij të parë zyrtare, kryeministri Mustafa u prit nga Komisioneri për Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn e më pas u takua me homologun serb Vuçiç. / Top Channel 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.