Pse s’udhëtojnë me tren në ditët e sotme?
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/28/4921_imagesca9ov33y.jpg?itok=MxSAk8V7)
Një biletë treni për rrugën Tiranë-Shkodër kushton 145 lekë. Për ta bërë të njëjtën rrugë me furgon do duheshin 400 lekë (të dhëna të marra nga Shekulli i sotëm, në të cilin ish një dyfaqësh mbi këtë argument). E megjithatë, udhëtimi me tren është më pak i preferueshmi. Madje, edhe distancën Tiranë-Durrës, e anasjelltas, vetëm pak vetëve u shkon në mendje ta bëjnë me tren (bileta kushton 110 lekë vajtje-ardhje). Kush e bën, e bën nga halli. Pse? Ka shumë arsye. Trenat nuk janë në gjendje të mirë; ka mbi njëzet vjet që në këtë lëmë nuk investon askush (vagonat më të mirë janë blerë 34 vjet më parë; dhe me siguri janë blerë të përdorur). Ndenjëset janë të coptuara e të keqpërdorura, xhamat janë të thyer, njerëzit hanë bukën e tyre mbi ndenjëse apo tavolinat e vogla, zhgarravisin e shqyejnë ç’të mundin, flasin me zë të lartë, bëjnë zhurmë, pinë cigare, bëjnë si (ndoshta janë) të fortë, e sikur të mos ishin mjaft të gjitha këto, nga jashtë qëllon shpesh që qëllojnë me gur në drejtim të dritareve të trenit. Ka edhe më. Thjesht pamja e një stacioni ta largon idenë e një udhëtimi të mundshëm me tren. E në fund, transporti publik në Shqipëri është në një gjendje të mjerueshme; dhe është kjo gjendje, përveç të tjerash, që sjell një refuzim prej parvenu-je nga ana e shumë të rinjve, të cilët nuk pranojnë “të flliqen” mes kallaballëkut, konfuzionit, djersës, varfanjakëve. Me të njëjtën logjikë refuzojnë dhe autobuzët urbanë në Tiranë.
E.G.
Add new comment