Shtohen hajdutët në linjat urbane

Postuar në 29 Gusht, 2011 12:51

Autobusët e rinj që janë hedhur në disa linja urbane, veçse janë mjete të reja dhe më komode për pasagjerët, duke qenë se kanë kondicioner, kanë edhe elemente sigurie. Por edhe pse këto mjete kanë të vendosura kamera, qytetarët shprehen se ndihen të pasigurt, pasi përditë u vjedhin diçka nëpër linjat urbane. "Unë nuk e di fare që ka kamera sigurie këtu, e shikoj atë gjënë aty në tavan, por nuk e di për çfarë shërben. Por këtu, edhe kamera të ketë, hajdutëve nuk u intereson, sepse janë të lidhur me faturino e shoferë. Sepse në kohën që hajduti vjedh, këta i hapin derën që të zbresë edhe pse nuk ka stacion", - tregon një prej pasagjerëve. Tirana prej disa javësh është nën terrorin e vjedhësve, të banesave, makinave, por më të shpeshta janë vjedhjet e çantave dhe portofolave nga duart. Vetë qytetarët shprehen se janë të terrorizuar, pasi përditë dëgjojnë raste të reja për persona të afërt që u kanë vjedhur çantat në vende publike, sidomos në urbanë. Grabitësit nuk presin më të bjerë nata dhe të sulmojnë, por edhe gjatë ditës, nëpër tregje dhe kryesisht në autobusë, shfrytëzojnë faktin kur ka shumë njerëz dhe vjedhin celularë, portofola apo lekë nëpër xhepa. Shumëkujt që udhëton me linjat e transportit publik, i rastis që sapo hyn në autobusë, dikush t'i thotë kujdes çantën, siguro celularin. Ka disa raste që dikush të afrohet dhe thotë, "kujdes atë burrin me kapele, apo atë atje me syze, se ai vjedh". Por pasagjerët e shkretë, sidomos ata që nuk udhëtojnë përditë dhe nuk janë të 'regjur' me këto skena, e kanë të vështirë të ruhen. Shpeshherë pasagjerët tregojnë se zakonisht, ata që flasin të tilla gjëra janë vetë hajdutët e vërtetë. "Isha duke u kthyer në shtëpi pas pune, telefonin zakonisht e mbaj në dorë, por atë ditë s'e di pse e kisha vendosur në xhepin e çantës. Hapet dera e urbanit edhe pse nuk ishte stacioni aty, në atë moment një grua më thotë te veshi që, 'ai që zbriti të vodhi celularin'. Iu ktheva shoferit duke e pyetur se 'përse e hape derën kur nuk ishe në stacion, apo merr përqindjen e atyre që vidhen në autobusë?!'. 'Ja ku e ke derën, - tha, - po do, zbrit!'. Përpiqem të hipi sa më rrallë nëpër autobusë, por tani dhe çantat nga dora t'i marrin", - tregon Teuta. Raste të tilla janë me dhjetëra në kryeqytet. Kryesisht këto lloj vjedhjesh kryhen ndaj grave dhe të moshuarve, pasi edhe nëse do t'i ndjejnë kur i grabisin, nuk kanë fuqinë për t'i ndjekur. Burime nga policia e Tiranës raportojnë se zonat më problematike janë "21 Dhjetori", Kombinati, Kinostudioja, zona e "Selvisë", Tiranës së Re, blloku "Vasil Shanto", Lapraka dhe Alliasi. Ndërkohë që sipas tyre, shumë prej këtyre grabitjeve nuk denoncohen në polici. Ndaj edhe xhepistët në raste të rralla dënohen për vjedhjet e tyre. E.H.

Marrë nga Gazeta Shqiptare

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.