Preç Zogaj: Shqipëria nuk e merr statusin e vendit kandidat
Preç Zogaj në një opinion të botuar sot në të përditshmen ‘Shekulli’, shprehet pesimist për premisën e afërt europiane të Shqipërisë. Publicisti i njohur e thotë shkoqur se shanset që Shqipëria të marrë, në fund të këtij viti, statusin e vendit kandidat për në BE, “janë të pakta, për të mos thënë zero”. Gjithë këtë pesimizëm Zogaj e sheh te raporti i skëterrshëm i OSBE-ODIHR-it bazuar në zgjedhjet vendore të 8 majit, por edhe te ajo që është quajtur klimë mosbesimi mes palëve e që është bartur nga viti 2009 për t’u thelluar me 21 janarin dhe për të vazhduar edhe me situatën e tensionuar në garën e pasgarën e Tiranës. Zogaj e pranon se me premtimin e opozitës për t’i ulur tonet, për t’u futur në parlament e të tjera, te shqiptarët janë shtuar disi shpresat për marrjen e statustit të vendit kandidat, por kjo nuk mjafton. “Por nuk ka arsye për të ushqyer iluzione sikur falë kursit të ri të opozitës aplikimi i qeverisë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE do të pranohet nga Brukseli”, e vazhdon politikani Zogaj logjikën e opinionit. Ai shton se “në kuptimin praktik të fjalës nga dymbëdhjetë prioritetet apo “detyrat e shtëpisë” që Bruskeli i ka vënë Tiranës, opozita e gjen veten të përfshirë drejtpësëdrejti në dy ose tre prej tyre, që janë kryesisht votime, siç është zgjedhja e Avokatit të Popullit apo votimi i Ligjit për Gjykatën Administrative.” Të tjerat, arsyeton Zogaj, janë detyra ekskluzive të qeverisë. Preç Zogaj, publicist dhe politikan i njohur ka ndërruar krah pas zgjedhjeve të vitit 2009 që konfirmuan një mandat të dytë të së djathtës duke u bërë një prej eksponentëve më të zëshëm të asaj që njihet si “Opozita e Bashkuar”. Ai mbahet si një prej këshilltarëve të kryetarit të opozitës, por ajo që dihet publikisht janë shkrimet e tij për të përditshmet dhe analizat nëpër televizione ku ai ka mbrojtur idenë e zgjedhjeve të reja dhe të një qeverie të korruptuar që duhet të largohet.
L.A.
Add new comment