Albin Kurti autoritar? 'Vetëvendosjes' i ikin dy deputetë
Edhe në Prishtinë, ashtu siç është bërë modë në Tiranë, kanë filluar ‘zhvendosjet’ e deputetëve sa në një krah në tjetrin. Lëvizja 'Vetëvendosje' duke filluar që nesër do të tkurret me dy deputetë, duke e ulur numrin e ligjvënësve të saj nga 14 në 12 të tillë. Kësisoj partia e Albin Kurtit barazohet në numra me 'Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës' të Ramush Haradinajt. 'Vetëvendosjes' do t’i shkëputet 'Lëvizja për Bashkim' - parti që konkurroi bashkë me të në zgjedhjet e vitit të kaluar. Të martën, sipas një komunikate për mediat, do të ketë një konferencë shtypi ku do të bëhet publik vendimi i 'Lëvizjes për Bashkim' për tërheqjen e dy deputetëve të saj, Aurora Bakalli e Agim Kuleta, nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes 'Vetëvendosje'. Në konferencë, njofton e përditëshmja kosovare ‘Express’ do të shpalosen arsyet e këtij vendimi. Sipas gazetës, 'Lëvizja për Bashkim' ka pasur vazhdimisht vështirësi në bashkërendimin e aktiviteteve me ‘Vetëvendosjen’. Vendimi i fundit për tërheqjen e dy deputetëve duket se vjen pasi kreu i 'Vetëvendosjes' ka vendosur masa të rrepta kontrolli për prononcimet publike të deputetëve që bëjnë pjesë në grupin e tij.
L.A.
Add new comment