Vrasja e dëshmitarit X kundër Limajt, familjarët akuzojnë EULEX-in

Postuar në 29 Shtator, 2011 10:52

Mediat kosovare, por edhe Radio Europa e Lirë, njoftojnë se është gjetur i vrarë Agim Zogaj, i njohur ndryshe si dëshmitari X ose njeriu që do dëshmonte në gjyqin e Fatmir Limajt. Faktin e vdekjes së Zogajt e ka konfirmuar edhe EULEX, por pa dhënë detaje mbi një vdekje që në fillim u raportua si vetëvrasje. Fillimisht gazeta ‘Express’ njoftoi se Zogaj u gjet i vetëvrarë në shtëpinë e tij në Prizren, por një media tjetër e Prishtinës, bazuar në burime policore e hodhi poshtë këtë duke raportuar se në Prizren nuk kishte patur të vetëvrarë gjatë 24 orëve të fundit. EULEX i komunikoi mediave se, në fakt, Zogaj ka vdekur në Gjermani dhe se policia gjermane po heton mbi shkaqet. Zogaj, ish-ushtar i UÇK-së, ishte një dëshmitar i mbrojtur nga Prokuroria në rastin e akuzave të EULEX-it ndaj ish-ministrit Fatmir Limaj, aktualisht deputet i Kosovës dhe 9 të tjerëve. Zogaj ishte në marrë në mbrojtje nga EULEX-i në një formë që i ati i viktimës e quan ‘rrëmbim”. Familjarët e Zogajt i thanë gazetës ‘Express’ se policët e EULEX-it i kishin grisur edhe pallton Agimit duke u përpjekur ta marrin me zor nga shtëpia. Idriz Zogaj tregon edhe një element, të cilin e quan “interesant” e që lidhet direkt me djalin e tij. “Para një muaj e gjysmë, në shtëpinë time në Lipjan kanë ardhur disa njerëz të EULEX-it e më kanë pyetur se ‘a po të lajmërohet djali dhe si është’. Unë ju thashë se nuk di asgjë se ku mund të jetë ai. Ata më thanë se është shëndoshë e mirë dhe se i ka punët më mirë se unë”, rrëfen ai, duke mos ditur se kush ishin ata persona, vetëm se i ka identifikuar si pjesëtarë të këtij misioni.  

Familja e “Dëshmitarit X”, pas vrasjes, vetëvrasjes apo vdekjes së tij në Gjermani, të martën në mbrëmje ka kërkuar nga EULEX sqarime dhe përgjegjësi për humbjen e të afërmit të vet. “Kërkojmë përgjegjësi për humbjen e djalit tonë meqë ata e kanë marrë në mbrojtje”, thonë ata. Sipas tyre, Agim Zogaj kurrë nuk ka qenë dëshmitar në Procesin Limaj duke besuar se një dëshmi e dhënë prej tij ka qenë e montuar dhe është marrë nën presion.

L.A.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.