Serbët e veriut të Kosovës nuk gjejnë mbështetje në Beograd

Postuar në 06 Tetor, 2011 06:01

Shërbimet Sekrete serbe kanë raportuar në Komitetin e Sigurisë së Parlamentit të Serbisë se në konfliktin e fundit me KFOR-in në pikëkalimin e Jarinjës, më 27 shtator, serbët ishin të udhëhequr nga një kontrabandist serb (merret me karburante dhe cigare) nga veriu i Kosovës, i quajtur Zvonko Veselinoviç. Këtë lajm gazetat kosovare e kanë marrë nga e përditshmja serbe “Blic”.

Versioni i shërbimeve sekrete serbe duket objektiv e neutral: “Një grup prej rreth 20 serbësh, të udhëhequr nga Veselinoviçi, sulmuan KFOR-in, ndërsa KFOR-i reagoi me plumba gome. Serbët ikën, por afër mesditës, rreth njëmijë serbë të tjerë vërshuan në vendin e ngjarjes. Menjëherë pas kësaj, aty arrin një kamion me rreth 20 serbë të armatosur të grupit të Veselinoviçit, të cilët gjithashtu kishin edhe gërshërë për prerjen e telave gjemborë. Ata lëvizin drejt barrikadave. KFOR-i tenton t’i pengojë ata me plumba gome, por kamioni vazhdon të lëvizë përpara. Kur i afrohet barrikadës, telave gjemborë dhe ushtarëve të KFOR-it, rreth 15 ushtarë të kontingjentit amerikan të KFOR-it dalin për ta penguar kamionin. Ushtarët e KFOR-it tentojnë të arrestojnë shoferin, ndërsa serbët e mbrojnë atë. Ushtarët amerikanë e marrin shoferin, ndërsa grupi i Veselinoviçit tenton të largojë shoferin nga ushtarët, sikurse tentojnë t’i marrin armën një ushtari amerikan. Në atë moment dëgjohen të shtëna armësh të vërteta. Është e pamundur të përcaktohet se cili grup nisi të shtjerë i pari. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, shtatë serbë u plagosën. Menjëherë pas të shtënave, dikush nga grupi i përmendur i serbëve hodhi një mjet shpërthyes ndaj KFOR-it. Katër ushtarë të KFOR-it lëndohen.”

Përpara këtij raportimi në Komitetin parlamentar të Sigurisë, ka folur për të njëjtën gjë e ka mbrojtur të njëjtën tezë Vuk Drashkoviçi: “Incidentet dhe konflikti me KFOR-in në pikëkalimin kufitar në Jarinjë janë provokuar nga serbët”.

E.G.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.