Kadafi shfaqet për herë fundit në media: i vdekur.

E gjithë media botërore kish dje gjatë gjithë ditës si kryelajm fundin e Muhamar Kadafit, që ka sunduar Libinë për dekada të tëra. Binte në sy në të gjitha gjuhët emri i kolonelit, i cili, me pak nuanca të ndryshme, është po ai. Në frëngjisht Kadhafi, në gjermanisht Gaddafi, në anglisht Gaddafi (çuditërisht gazeta New York Times e shkruante Qadafi, me “Q”), në italisht Gheddafi, e kështu me radhë.
Mbrëmë afër mesnatës, e përditshmja londineze the Guardian kish si headline një titull prozaik, por përshkrues: Moammar Gaddafi killed as Sirte falls (Vritet Muhamar Kadafi, teksa qyteti Sirte bie në duart e rebelëve). Por ngjarja mbulohej mirë, më mirë se në çdo gazetë tjetër. Ishin katër tituj njëri pas tjetrit. Titulli i pestë kish të bënte me Greqinë. Është e habitshme, por të njëjtin titull, gërmë për gërmë, kish në krye të faqes online dhe stacioni televiziv Al Jazeera. Janë treguar pa pikë fantazie, ndonëse janë një nga televizionet më të rëndësishëm të botës.
Gazeta Telegraph kish një titull gjithashtu prozaik (Gaddafi cornered and killed by revolutionary forces), por fjala “cornered” shtonte pak poezi. Fotoja e madhe shoqëruese ishte Kadafi i vdekur, ashtu si dhe në shumicën e gazetave. Në pjesën tjetër të gazetave fokusohej ose fotoja e tunelit ku ish fshehur e kapur Kadafi, ose rebelët në hare, ose një djalë i ri, për të cilin thuhet se ka qëlluar mbi diktatorin libian, ose revolja e veshur me ar e këtij të fundit, që ia kanë gjetur në dorë në momentin që e kanë kapur, e kështu me radhë.
Amerikanët ishin lakonikë në tituj. New York Times thosh “Qaddafi killed”, ndërsa Washington Post pakëz më butë: Moammar Gaddafi is dead. Gjermanët e gazetës Sueddeutsche Zeitung kishin evituar termat makabër. “Ende Einer Legende”, shkruanin. Fundi i një legjende. Ndërsa italianët kishin dalë me tituj që ne na ngjajnë familjarë: Ucciso Gheddafi, Libia libera (La Repubblica), E’ finita (Corriere della Sera), etj.
M. N.
Add new comment