Kazakistani punëson si këshilltar ish-kryeministrin Tony Blair

Në një lëvizje që ngjan se po bëhet traditë në vendet e Europës Lindore apo ato aziatike, Kazakistani ka pajtuar ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, si këshilltar për çështje ekonomike. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kazakistanit, Altai Abibulaev, u tha gazetarëve se Blair ishte një ndër ata zyrtarë ndërkombëtarë që “u janë përgjigjur ftesës së qeverisë së Kazakistanit për të siguruar këshilla mbi politikat ekonomike, çështjet e adminsitrimit publik dhe politikën ndërkombëtare”. Këshilltari i presidentit kazak, Jermukhamet Jertisbaev, i tha AFP-së se ka gjasa që Blair të merret me “çështjen e modernizimit socio-ekonomik” të shtetit të pasur me energji në Azninë Qendrore. Gazeta britanike “The Daily Telegraph” citoi një zëdhënës të Blair-it, sipas të cilit ish-kryeministri ka “ndihmuar në krijimin e një ekipi të këshilltarëve ndërkombëtarë” duke mohuar se po “përfiton personalisht”. Blair ka qenë një nga emisarët e paqes në Lindjen e Mesme në vitet pas largimit si kryeministër i Britanisë së Madhe. Venedet me imazh të dëmtuar ndërkombëtar, apo që synojnë ta zgjidhin problemin e të qenit të nënvlerësuar në arenën ndërkombëtare pajtojnë ish-funksionarë të lartë nga vendet e Perëndimit. Qeveria e Kosovës ka pajtuar zëdhënësin e Toni Blair-it, Alastair Campbell, ndërsa qeveria shqiptare pat "psonisur" ish-Drejtorin e Homeland Security të ShBA-ve, Tom Ridge.
H.B.
Add new comment