Anija bankare shqiptare e rrezikuar - kapitenit dhe ekuipazhit i mbaron mandati

Në raportin e fundit të FMN-së për vendin tonë shkruhet: “Shqipëria ka lidhje të forta me Greqinë dhe Italinë, jo vetëm tregtare, por edhe në tregun e punës dhe sistemin bankar. Këto dy të fundit mund të kenë pasoja substanciale, ku rreziku më i madh është ai i infektimit të sistemit bankar.” Por kush e mbikqyr sistemin tonë bankar? Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë, i përbërë nga 9 vetë, me në krye Guvernatorin e Përgjithshëm të saj. Dhe problemi është se 6 prej tyreve u ka mbaruar mandati 7-vjeçar qysh prej dy javëve. Ndërkohë që Guvernatorit Fullani, kapitenit të anijes, i mbaron mandati në datën 28 tetor.
Tani që anija jonë bankare po futet në ujra të rrezikshme, do të duhej që ekuipazhi dhe kapiteni të kishin besimin e një mase sa më të madhe të pasagjerëve të saj – depozitorëve të thjeshtë që kanë kursimet nëpër banka. Dhe për ta fituar këtë besim, ekuipazhi dhe kapiteni i ri duhen zgjedhur sa më shpejt dhe me konsensus sa më të gjerë. Nuk ka gjë më të rrezikshme për depozitat e njerëzve të thjeshtë se sa kur ata humbasin besimin te sistemi ku i kanë futur ato - 1997-ta është ilustrimi më i mirë për këtë…
E.Zaloshnja
Add new comment