Të përndjekurit letër Berishës për dëmshpërblimet; Gjergj Ndreca: Ma kanë përfshirë emrin pa lejen time

Një grup ish të përndjekurish kanë nënshkruar një letër për kryeministrin, në të cilën i kërkojnë që të bjerë dakord me sugjerimin e Partisë Socialiste lidhur me dëmshpërblimet për ta. “Zgjerojeni bazën e përfituesve, dhe kjo bëhet duke ulur moshën e atyre që dëmshpërblehen në 70 vjeç për gratë e në 75 vjeç për burrat”, thonë ata në letrën e tyre, dhe këtë kërkesë e motivojnë me faktin që jeta mesatare në Shqipëri, sipas tyre, është 72 vjeç, rrjedhimisht numri i atyre që janë mbi 85 vjeç (vetëm këta do të marrin shpërblim në variantin kryeministror) është tepër i vogël.
Në listën e atyre që kanë nënshkruar janë Keti Bazhdari, që prej vitesh është anëtare e PS-së, Bilal Kola, jurist e publiçist, e më shumë se një duzinë të tjerë. Por bien në sy dhe emrat e Gjergj Ndrecës, Perikli Spiro Shqevit dhe Xhemal Zhurit, që kanë ngritur zërin së fundmi kundër qeverisë, që nuk po bën aq sa duhet për këtë shtresë. Por Gjergj Ndreca ka thënë për Panoramën e sotme, se “as ai, as dy miqtë e tjerë të tij, nuk kanë firmosur ndonjë letër për t’’ia dërguar kryeministrit”. I kapur në telefon nga respublica, Gjergj Ndreca rikonfirmoi versionin e Panoramës. “S’më ka vënë njeri në dijeni për ndonjë letër e nuk kam nënshkruar asgjë të tillë”, u shpreh ai.
Re.Pu.
Add new comment