Kur shteti s’paguan shtetin

Problemi me shlyerjen e faturave nga institucionet shtetërore ndaj ujësjellësit të Tiranës për shërbimin e ofruar shënoi sot pikë kulmore kur kjo e fundit kërcënon me ndërprerje të furnizimit me ujë.
Prej disa vitesh, UKT është ankuar për mospagesa nga institucionet shtetërore, por kjo gjendje ka vazhduar e njëjtë deri në momentin kur ujësjellësi kaloi në varësi të Bashkisë së Tiranës. Nëpërmjet një deklarate për mediet, UKT lajmëroi sot se borxhi shtetëror ndaj saj arrin në rreth 1.3 milionë dollarë, kurse 500 mijë dollarë të tjera i përkasin komunave përreth. Duket se mospagesa e ujit është kthyer në një fenomen në administratën e vendit, ndryshe nuk ka se si të shpjegohet fakti se janë plot 97 institucione shtetërore ato që figurojnë debitore në regjistrat e UKT-së.
UKT ka kaluar sëfundmi në varësi të Bashkisë së Tiranës, vetëm me miratimin e këshilltarëve të djathtë. Të njëjtin problem me mospagesa të faturave e ka edhe CEZ Shpërndarja me institucionet shtetërore, e cila ka zgjedhur sëfundmi rrugën ligjore duke iu drejtuar gjykatave për vjeljen e detyrimeve.
S.E.
Add new comment