Greqia, pak shanse për marrëveshje, preferohen zgjedhjet

Zhvillime historike janë duke ndodhur aktualisht në skenën politike të fqinjit tonë jugor, ku nga njëra anë është kërcënimi i evropianëve për nxjerrje të Greqisë nga euro në rast të shmangies nga reformat dhe nga ana tjetër, domosdoshmëria për gjetjet e një marrëveshje për krijimin e një mazhorance qeverisëse. Radhën për të bërë qeverinë e ka PASOK tani. Marrëveshja është tepër e vështirë me parti që nuk duan njëra-tjetrën në koalicion por edhe me të tilla që duan zgjedhjeve të tjera siç janë radikalët e majtë të SYRIZA me shpresën se do të dalin më mirë.
Mediat greke raportojnë se fillimisht u arrit një marrëveshje në parim midis PASOK dhe Demokracisë së e Re, me pjesëmarrjen edhe të partisë së renditur në vend të shtatë, Partia Demokratike e Majtë të Fotis Kouvelis me 19 deputetë, i cili do të ishte edhe King Maker-i këtij koalicioni. Ka qenë pikërisht ky i fundit që ka prishur “pazarin” sipas “Kathimerinit” duke vënë kusht pjesëmarrjen në koalicion edhe të radikalëve të majtë të SYRIZA-s, të cilët u renditen të dytët. Kreu i këtyre te fundit ndërkohë, me 52 vende në Parlament, kishte deklaruar se nuk mund të merrte pjesë në një koalicion qeverisës që nuk refuzon kushtet shtrënguese të shpëtimit nga kriza për Greqinë.
Samaras ndërkohë, ndoshta më i interesuari për arritjen e një marrëveshje qeverisëse, ka nisur tashmë sulmin ndaj radikalëve të majtë të SYRIZA-as duke e ndjerë si rrezikun kryesor. “Populistë dhe të papërgjegjshëm. Ata nuk dijnë se si funksionon sistemi bankar”, - citon Kathimerini të ketë thënë Samaras.
Një sulm i tillë vjen në një kohë kur nëse partitë nuk arrijnë të bëjnë një qeveri, Greqia do të kalojë në zgjedhje të tjera dhe kjo gjë rrezikon më së shumti Demokracinë e Re të Samaras por favorizon SYRIZA-n. Sipas Reuters, sondazhet e televizioneve flasin për një rezultat diku tek 27 për qind të kësaj partie në rast të ripërtëritjes së zgjedhjeve. Në këtë rast, Demokracia e Re do të humbte 50 deputetët plus që ia kalojnë automatikisht partisë që renditet e para, të cilët me shumë gjasë do t’i kalonin radikalëve të majtë, të cilët do të varrosnin përfundimisht sistemin dy partiak në Greqi.
S.E.
Add new comment