Qeveria kontrakton privatët të mbledhin borxhet ndaj shtetit… për llogari të CEZ-it

Postuar në 18 Maj, 2012 13:14

“Shqiptarja.com” shkroi tre ditë më parë për një vendim të Këshillit të Ministrave për kontraktimin e dy kompanive private që të mbledhin faturat e papaguara të energjisë elektrike për llogari të CEZ Shpërndarjes. Sipas gazetës, vendimi u mbajt i fshehtë.

Ky debat vijon prej tre ditësh duke u bërë shkak edhe për akuza të forta dje në Kuvend ku deputeti Erjon Braçe tha se qeveria po favorizonte “njerëz pranë saj” duke shpallur se kompanitë në fjalë do të përfitojnë deri në 20 për qind të shumës së borxhit të keq të mbledhur. Faturat e papaguara vlerësohen në rreth 70 milionë dollarë në vit. Me vendimin në fjalë, qeveria u ka dhënë kompanive një fitim prej 14 milionë dollarë në vit sipas Braçes.

Në lidhje me këtë vendim, Shqiptarja.com publikoi sot edhe një intervistë me ish-ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Anastas Angjeli duke e pyetur për praktikat e ndjekura më parë për mbledhjen e borxhit të keq. “Një veprim i tillë, të paktën deri më sot, nuk ka një bazë ligjore. As ministri dhe as Këshilli i Ministrave nuk kanë se ku të bazohen për të nxjerrë një akt të tillë, që do të lejonte një privat të shkonte tek debitorët, për të mbledhur paratë e shtetit”, - shpjegon ai. Mbledhjen e faturave të papaguara të energjisë mund ta bëjnë edhe përmbaruesit shtetëror apo privatë, por jo një kompani që nuk ka licencë për përmbarues, vijon Angjeli.

“Shqip” ndërkohë, publikoi sot shpjegimin që bën CEZ Shpërndarja për këtë histori. “Paralelisht me grupet tona të punës, për të qenë sa më efikas në mbledhjen e debisë dhe përmirësimin e nivelit të arkëtimeve, CEZ bashkëpunon dhe me kompani të tjera të kontraktuara për këto proces, praktikë kjo që ndiqet dhe ka rezultuar e suksesshme dhe në vende të tjera si Çeki, Rumani e Bullgari”, - shpjegon kompania.

E gjithë fabula e kësaj historie me borxhe, policë privatë dhe dollarë, përmblidhet me pak fjalë: CEZ Shpërndarjes i ka shkuar thika në kockë dhe duhet të mbledhë faturat e papaguara menjëherë, qeveria shfrytëzon këtë nevojë dhe kontrakton sipas Angjelit, në mënyrë të jashtëligjshme, dy kompani private për këtë qëllim duke i dhënë të gatshëm edhe një fitim prej 14 milionë dollarësh në vit, por nga ana tjetër është e interesuar që CEZ të këtë para për të shlyer borxhet ndaj KESH-it dhe OST-së.

 

S.E.

Comments

Submitted by ajsberg (not verified) on

<p>Megjithate, duhet te mesohemi perfundimisht se detyrimet duhen paguar..., o me deshire o me pahir..., si kudo.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.