Këshilli i Europës: Duhet President konsensual, dhe hetim i 21 janarit

Reforma parlamentare dhe ajo zgjedhore, zgjedhja e presidentit të ri të republikës, heqja e imuniteteve dhe hetimi i vrasjes së 4 protestuesve në 21 janar, janë çështjet ku raportuesit e Këshillit të Europës krahas raportimit të fakteve të mbledhura në terren, paraqesin në raport edhe konkluzionet.
PRESIDENTI
Raportuesit e KiE-së në konkluzionin për zgjedhjen e presidentit të ri thonë se "zgjedhja e kreut të shtetit mund të luajë një rol të rëndësishëm në normalizimin e klimës politike në Shqipëri. Është e rëndësishme që proçesi i zgjedhjes së presidentit të mos kthehet në një burim tensioni dhe bllokimi politik. Forcat më të mëdha politike duhet të përpiqen për të mbërritur deri tek një marrëveshje konsensuale, ose të paktën në pranimin e përbashkët të një kandidature për postin e presidentit”.
Duke analizuar emrat e përfolur si kandidatë për t’iu paraqitur parlamentit vërejnë se Jozefina Topalli është një aleate e deklaruar e kryeministrit Berisha. Do të jetë e vështirë, thonë raportuesit që kandidatura e saj të gjejë përkrahjen e PS-së dhe ka shumë gjasa që të cilësohet nga socialistët si një provokim.
Ndërsa për Fatos Nanon në raport shkruhet se ai ka jetuar për një kohë të gjatë në Austri dhe se PS-ja parimisht nuk e kundërshton kandidaturën e tij, por ata nuk do ta propozojnë atë si një kandidat të PS-së.
REFORMAT
Reporterët vërejnë se "Atmosfera konstruktive, të paktën kur nuk janë prezente kamerat, në komisionet ad hoc të reformës parlamentare dhe elektorale duhet të mirëpritet. Mekanizmi i korrektimit për proporcionalin rajonal në rezultatin e zgjedhjeve tashmë është mbështetur nga të gjitha forcat politike në Shqipëri. Sipas tyre, ky ndryshim do të rriste shkallën e pluralizmit në parlament dhe duhet të mbështetet gjithashtu nga Asambleja e KiE-së.
IMUNITETI
"Në përshëndesim forcat politike kryesore në Shqipëri, të cilat bien dakort në ndryshimet kushtetuese për të ndryshuar sistemin e imuniteteve", thuhet në konkluzionin e raportuesve për ndryshimet e kërkuara për heqjen e imuniteteve të zyrtarëve të lartë.
"Ndryshimet në sistem, theksojnë ata, janë në përputhje të plotë me standardet europiane dhe se vonesa të tjera për këtë çështje nuk duhet të jetë e pranueshme. Për sa më sipër ne përshëndesim pasjen e kësaj çështjeje si prioritare nga Komisioni Europian", theksojnë raportuesit e KiE-së.
21 JANARI
Sugjerimi i raportuesve të KiE-së për hetimin e ngjarjes së 21 Janarit lidhet me nevojën e bashkëpunimit të organizmave shtetërorë dhe jo të kthehet në përgjegjësi individuale e aktorëve të përfshirë në hetim. Raportuesit përcjellin edhe shqetësimin e shefes së akuzës shqiptare, Ina Rama e cila gjatë takimit me ta ka deklaruar se "përpjekjet e prokurorëve janë penguar dhe se pamjet e fiksuara nga kamerat e kryeministrisë në mënyrë ilegale janë fshirë."
Re.Pu.
Add new comment