Merak kryeministror për Elizën

Quhet Komiteti i Festimeve të Jubileut të Pavarësisë. Dje pati një takim me.. Këshillin e Ministrave. Në rend të ditës ishte miratimi i vend-vendosjes së 5 veprave kushtuar ngjarjeve dhe figurave të historisë. (Monumenti i Pavarësisë në Parkun Rinia, shtatorja e Ahmet Zogut në fund të Bulevardit, shtatorja e Ismail Qemalit në lulishten pranë rrugës “Ismail Qemali”, Hasan Prishtina te Sheshi “Paris” dhe monumenti i Kongresit të Lushnjës në lulishten qendrore të Tiranës).
“Komiteti i Festimeve” nuk ka dalë akoma me një axhendë të veprimtarive. Po ja, ashtu si nëpër të, me dredhat që i bënë fantazia kryeministrit në takime si i djeshmi, mësojmë se ai do të donte që këtij programi të mos i mungonte dokumentari i Eliza Dushkut mbi promovimin e Shqipërisë turistike. Kryeministri iu drejtua ministrit të Kulturës që "të mbajë parasysh" dokumentarin e Dushkut, e kësaj artisteje “me sens të lartë dashurie për Shqipërinë”. “Dhe nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë, por kjo nuk do të thotë që ne të jemi indiferentë”.
Dushku e cila vizitoi Tiranën disa muaj më parë (në foto duke firmosur kërkesën për shtetësi shqiptare shpejt e shpejt në kurrizin e fotografit Fadil Berisha) premtoi asokohe një dokumentar, i cili sipas kryeministrit “duhet të përfshihet medoemos në kalendarin e aktiviteteve me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe të mundësohet shfaqja edhe për publikun europian e më gjerë”. (A.N)
Add new comment