Gjashtë mujori i parë 2015 ngec tregtia, importet në rënie pas eksporteve

Pas eksporteve edhe importet kanë pësuar rënie për këtë vit. Importet janë tkurrur me 1.2% për 6 mujorin e parë të këtij viti, duke përshpejtuar ritmet e rënies. “Monitor” shkruan se e kombinuar kjo me rënien e eksporteve, ky është një tregues i ngadalësimit të aktivitetit të tregtisë në vend. Sipas të dhënave të INSTAT, importet në total për 6 mujorin e parë ishin 255 miliardë lekë, me një rënie prej 1.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Grupi kryesor që ka ndikuar në këtë rënie është ai i “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë”, kryesisht si rrjedhojë e importeve më të ulëta të energjisë, për shkak të rritjes së prodhimit vendas. Importet e makinerive e pajisjeve janë rritur me 15% në 52 miliardë lekë, një sinjal gjithsesi pozitiv ky i gjallërimit të investimeve, kryesisht nga projektet e mëdha në energji. Ndërsa importet e materialeve të ndërtimit, një tjetër tregues ky i investimeve në ekonomi ranë me 0.5% me bazë vjetore për 6 mujorin. Importet e “ushqimeve, pijeve dhe duhan” janë grupi i dytë më i madh i importuar në vend dhe janë rritur me 5.6% në 45.6 miliardë lekë për janar-qershor 2015, duke reflektuar varësinë e vendit nga importet e ushqimeve,kryesisht të përpunuara, të nxitur edhe nga zhvillimi i rrjeteve të organizuara të supermarketeve. Importet e produkteve kimike dhe plastike, grupi i tretë më i importuar në vend u rritën me 6.2% në 37.1 mld lekë. Edhe importet e tekstileve e këpucëve, shënuan një rritje prej 5.1%,. Deficiti tregtar për 6 mujorin 2015 ishte 128 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel të së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Add new comment