Tërmet tjetër në Italinë futbollistike: Arrestohet kapiteni i Lazio-s, Stefano Mauri

Coverciano është një qendër sportive, diku afër Firences, ku herë pas here stërvitet dhe kombëtarja italiane e futbollit. Sot, qysh në mëngjes, aty kanë zbarkuar policët, të cilët kanë patur një ‘avviso di garanzia’ (njoftim për hetimin që po kryejnë) në adresë të një futbollisti të grumbulluar prej Prandelli-t për në kampionatin Europian. Është fjala për mbrojtësin Domenico Criscito. Akuza: trukim rezultatesh me qëllime përfitimi.
Ky blitz është pjesë e një aksioni policor në shkallë të gjerë, që po provokon një tjetër tërmet në futbollin italian. Kanë arrestuar 19 vetë, mes të cilëve dhe kapitenin e Lazio-s, Stefano Mauri. U janë vënë prangat nën të njëjtën akuzë, për të cilën Antonio Conte-s, trajnerit që sapo triumfoi me Juven e që është duke jetuar momentet më të bukura të jetës së vet futbollistike, i kanë bërë një kontroll në shtëpinë e vet. Ky i fundit i ka pritur me qetësi e shkujdesje këto akuza, që i janë bërë qysh përpara se të përfundonte kampionati Serie A, por ky kontroll në shtëpi e bën situatën më serioze se sa pritej.
Re.Pu.
Add new comment