Sezon zjarresh nëpër Shqipëri. Pyje e ullishte në Shkodër, brez pishash në Shëngjin, rrezikohen banesa e depozita karburanti. Në Delvinë flakët vihen nën kontroll
Bashkë me temperaturat e larta, një sezon zjarresh po përfshin vendin. Dhjetëra hektarë ullishte, pyje dhe shkurre janë përfshirë nga flakët mesditën e sotme në kodrat e Melgushes dhe Oblikës në Shkodër.
Zjarrfikësit janë përqendruar kryesisht në vatrat që rrezikojnë banesa, duke izoluar flakët në këto zona, njofton TCH. Temperaturat e larta dhe era janë duke ndihmuar në përhapjen e flakëve që kanë përfshirë dhjetëra ha ullishte. Dyshohet që zjarri të jetë vënë qëllimisht për hapje kullotash në zona me shkurre, por që më pas ka dalë jashtë kontrollit.
Ndërkaq edhe brezi me pisha në zonën e Shëngjinit është në rrezik, pasi flakët rrezikojnë t’u afrohen disa depozitave karburanti. Zjarri ka nisur në vendin e quajtur Kënallë. Situata rëndohet edhe më shumë pasi zjarri u është afruar disa banesave në zonë. Nga ana tjetër, zjarret në Delvinë kanë arritur të shuhen sot pasdite, pasi kanë shkrumbuar 5 ha me shkurre mesdhetare me moshë njëshekullore.
a.j
Add new comment