Rritja ekonomike, INSTAT na befasoi pjesërisht

Kishim pritur me shumë kuriozitete shifrat paraprake të rritjes ekonomike të vendit për vitin 2011 që do të jepte INSTAT pas deklaratës së ministrit të Financave, Ridvan Bode në fillim të këtij viti se ajo do të ishte 3.9 për qind. Kuriozitetin tonë e kishim shprehur në shkrime të ndryshme si: (http://respublica.al/artikuj/2012/2/15/rritja-ekonomike-a-do-te-na-befasoje-instat-i ) apo (http://respublica.al/artikuj/2012/2/16/kooperativa-instat-fillon-te-na-befasoje ) apo (http://respublica.al/artikuj/2011/12/31/bode-apo-instat-rritje-ekonomike-e-shendetshme-apo-anemike). Kurioziteti lidhej me faktin se Bode kishte shprehur sigurinë për rritjen e sipërpërmendur, kurse ne bëmë përllogaritjet se sa duhej të ishte rritja gjatë tre mujorëve pasardhës për të arritur shifrën e deklaruar nga ministri dhe pyetëm nëse do të na befasonte INSTAT në muajt pasardhës? Fillimisht na doli që nevojitej një rritje 8 % në gjysmën e dytë 2011 dhe pas ndryshimeve të kryera nga INSTAT-i, doli se rritja e nevojshme për të kapur shifrën e Bodes, nuk ishte 8 % por 6 %.
Por, INSTAT na befasoi pjesërisht, vërtetë nuk konfirmoi rritjen e deklaruar nga Bode, por me ndryshimet e vazhdueshme të treguesve të rritjes gjatë tre mujorëve të shkuar, iu afrua disi asaj. Sot u publikuan edhe treguesit paraprak të rritjes ekonomike për vitin 2011, e cila sipas Institutit të Statistikave ishte 3.1 për qind (jo 3.9 % siç tha Bode), ndërsa rritje për tre mujorin e katërt 2011 kishte qenë 3.8 për qind. Sipas INSTAT ekonomie shqiptare u përshpejtua gjatë gjysmës së dytë të këtij viti pas ngadalësimit në tre mujorin e dytë (fillimisht u deklarua një rritje 0.6 %, më pas u rrit në 0.9 %, kurse tani deklarohet 1.1 % për këtë tre mujor).
Sipas shifrave më të fundit, ekonomia shqiptare u rrit me 4.8 % në tre mujorin e parë, me 1.1 % në tre mujorin e dytë, 2.8 % në tre mujorin e tretë dhe 3.8 % në tre mujorin e katërt duke mundësuar një mesatare prej 3.1 %, gjithmonë sipas INSTAT. Të gjitha këto janë tregues paraprak, pasi përfundimtari do të jepet fiks pas 27 muajve.
S.E.
Add new comment