Romët fusin në sherr OSHEE-në me Komisionerin kundër Diskriminimit. Kërkohet falja e kamatëvonesave për 75 mijë familje që nuk paguajnë dot as me këste
Më 3 korrik Komisioneri kundër diskriminimit urdhëroi Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të japë kushte lehtësuese për të përfituar nga skema e faljes së kamatëvonesave për familjet në skemën e ndihmës ekonomike, vendim që sipas Komisionerit pritet të përfitojnë dhjetëra mijëra familje shqiptare. Sipas njoftimit Komisioneri u vu në lëvizje nga kërkesa e një qytetari nga Elbasani, i cili u ankua për faktin se nuk kishte qenë në gjendje të përfitonte uljen e kamatëvonesave në masën 80 për qind pasi nuk e dispononte të gjithë shumën e kërkuar si kusht për këtë përfitim. “Komisioneri kërcënon se do të gjobisë zyrtarët e OSHEE nëse nuk e zbatojnë vendimin e saj brenda 30 ditësh nga marrja e vendimit”-thuhet në njoftim. Në Shqipëri ka 75 mijë familje në skemën e ndihmës ekonomike, afërsisht një në çdo dhjetë familje. Sipas Komisionerit të gjitha familjet debitorë që kanë lidhur kontratë me OSHEE për shlyerjen me këste dhe që i përkasin shtresës së familjeve në nevojë do të mund të përfitojnë ulje të kamatëvonesave si pasojë e këtij vendimi.
l.m
Add new comment