Prishtinë: Vdekja e Dino Asanajt dhe “këta që të vetvrasin”

Adriatik Kelmendi, opinionist i Kohës Ditore, thotë sot në një shkrim të tijin me titull ‘Këta të vetvrasin’, se ka provuar të ftojë një numër njerëzish në një debat publik lidhur me vdekjen e Dino Asanajt, por që të gjithë kanë refuzuar. Ai thotë se “njëri [druhej se] mos po e keqkuptojnë se e ka pasur mik shumë të ngushtë dhe çka do që thotë mund të keqinterpretohet, tjetri sërish për keqinterpretimin por për arsyen se ka pasur ndonjë fërkim me të ndjerin në të kaluarën, i treti se ‘institucioni ka marrë vendim që të mos flitet ende’ për të evituar keqkuptimin, kurse i katërti se ‘institucioni” ka vendosur që t’i lërë institucionet e tjera ta bëjnë punën e tyre pa u ndikuar’, i pesti se ‘shkencërisht’ mund të keqkuptohet, e i dhjeti se ka pasur mjaft keqkuptime me ato që ka thënë deri tash dhe do që t’i shmanget një keqkuptimi tjetër (sic!)”. Askush pra nuk flet. Dhe Kelmendi në fund, në mungesë të debatit, shtron një varg pyetjesh, plot njëzet:
- Si është e mundur “vetëvrasje” me aq shumë prerje e goditje?
- Si është e mundur “vrasje” në një ambient aq të sigurt?
- Pse do të “vetëvritej” një njeri “që i ka të gjitha”?
- Kush mund ta “vrasë” një njeri “që i ka të gjitha”?
- A i ka përdorur dikush akuzat publike ndaj tashmë të ndjerit për ta hequr qafe dhe të sigurojë alibi?
- A e kanë shantazhuar akuzuesit?
- Sa miliona euro kanë qenë në pyetje?
- A po e përdor tash Qeveria situatën për t’i luftuar përfundimisht kritikuesit?
- A e ka bërë dikush nga rrethi i tij i ngushtë “vrasjen”?
- Përse po heshtin në mënyrë kaq të pazakontë organet e hetuesisë?
- Përse nuk po prononcohen EULEX-i dhe ambasadat?
- Përse u deklarua shpejt se ishte “vetëvrasje”?
- Përse u bë varrimi aq shpejtë?
- Përse u mbajt mbledhje komemorative në Kuvend dhe u bë varrim me ceremoni ushtarake, mos po dëshiron dikush të mbulojë diçka?
- Mos u ka dërguar dikush sinjal me këtë akt krerëve të tjerë të shtetit se sa të brishtë janë?
- A mos është “vrasje” politike?
- Mos e kanë bërë shërbimet e huaja?
- Mos e kanë “vrarë” profesionistë të paguar specialistë të krijimit të insinuatave?
- Përse nuk u ftua menjëherë FBI-ja, por u pritën disa ditë?
- Nëse edhe njerëz të atillë “vriten”, ose detyrohen të bëjnë “vetëvrasje”, çka mund të na ndodhë ne të tjerëve?
Re.Pu.
Add new comment