Milo: Rama-Meta propozuan emrin tim për President; ish kundër Berisha

Postuar në 13 Qershor, 2012 16:24

Edhe pse procesi për zgjedhjen e Presidentit të ri përfundoi, nuk kane marrë fund ende debatet rreth tij. Paskal Milo kryetari i PDS-së, aleat i PS-së, bëri të ditur sot se e majta jozyrtarisht propozoi emrin e tij tek kryeministri për President, por ky i fundit e hodhi poshtë. I ftuar në emisionin ‘Studio24’ të Denis Mingës, Milo zbuloi se takimi Rama-Meta prodhoi një emër që mund të ishte kandidati i opozitës për President.
“Janë çuar disa emra në tavolinën e z Rama. Emri im është propozuar, është diskutuar në tavolina të ngushta në biseda liderësh politikë të së majtës dhe së djathtës. Të enjtën e shkuar është bërë një kompromis mes liderëve të së majtës Ramës dhe Metës për emrin tim, siç më kanë konfirmuar burime të sigurta. Është shkuar tek z. Berisha dhe ai e ka refuzuar duke e argumentuar se poqese do hapet kapitulli i kandidaturave politike, ai do ia adresojë kandidaturave të partisë së tij”.
Kreu i PDS-së akuzoi opozitën se veproi keq. Sipas tij, kjo ishte një garë që në vend që të prodhonte emra, prodhoi diçka tjetër, kulisa. “Në radhë të parë opozita shqiptare ka vepruar keq. Kam qenë kundër mënyrës sesi u administrua procesi i zgjedhjes së presidentit të republikës dhe kjo ka qenë një arsye pse qëndrova mënjanë; nuk isha i bindur se do kishim një proces të pastër politik të ndershëm. Nuk pati një garë emrash, por pati një garë emrash me kulisa. Dhe opozita ka patur emra, jo të konslutuar pa dyshim si opozitë”.
Sipas Milos, opozita i kishte të gjitha mundësitë që të shndërronte procesin në favor të saj dhe të dilte superiore. “Mendoj dhe opozita duhet të zhvillonte një fushatë politike publike me kandidatura të veçanta dhe jo aq shumë sa do mund të fitonte në Kuvendin e Shqipërisë, por ta shndërronte procesin e presidentit në fushatë politike ku ajo do merrte mbështetje, do dilte superiore. Duhej shfrytëzuar fushata për të nxjerrë emra dhe jo për të bërë kulisa. Gjatë gjithë kohës u fol për emra që nuk kanë dhënë kontribut në politikën hqiptare dhe asnjë përvojë në diplomaci”.
Balkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.