Kriza greke, infektimi i 6-të shteteve ballkanike ku përfshihet dhe Shqipëria. Pasojat mbi rritjen ekonomike
Miliona njerëz në Serbi, Shqipëri, Bullgari, Maqedoni dhe Rumani kanë depozitat e tyre në filialet e bankave greke në vendet e tyre, duke vënë Ballkanin në vijën e frontit ndaj krizës greke, shkruan “Associated Press” në një speciale rajonale. Edhe pse bllokimi i pagesave kesh nuk është shtrirë në bankat greke në Ballkan, depozitat mund të jenë në rrezik në rast të kolapsit të bankave mëmë. Për të qenë më të sigurt, shumë shtete të Ballkanit kanë parandaluar dërgimin e fondeve tek bankat mëmë. Veç kësaj disa vende të Ballkanit kanë marrëdhënie substanciale biznesi dhe tregtie me Greqinë, duke sjellë një risk shtesë në ekonomitë e tyre nga trazirat në Greqi. “Monitor” duke u mbështetur në shkrimin e “Associated Press” shkruan se në Shqipëri tre nga 16 bankat komerciale që operojnë janë greke. Autoritetet shqiptare kanë siguruar depozituesit se ata nuk duhet të kenë asnjë frikë nga kriza greke. Por ato gjithashtu do të luftojnë për të shpëtuar ndonjë filial bankar grek. Shqipëria do të vuajë gjithashtu nga lidhjet më të dobëta të tregtisë. Sherefedin Shehu, një ligjvënës i opozitës dhe ish zëvendës ministër i financave, paralajmëroi se pasojat më të mëdha nga kriza greke do të bien mbi rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Add new comment