Eno Peçi: Axhenda e ngjeshur, më ka mbajtur larg Shqipërisë.

Postuar në 24 Tetor, 2014 03:26

“Vienna Night” sjell në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit balerinin e suksesshëm shqiptar Eno Peçi. Në datën 25 tetor në skenë për publikun vjen një koncert premierë, me pjesë muzikore nga kompozitorët Mozart, Beethoven, Strauss, dhe pjesë koreografike ku do të interpretojnë solistët nga Teatri i Operës së Vjenës, Eno Peçi, Dagmar Kronberger, Ketevan Papava në duetet “Black Cake”, me koreografi nga Hans Van Manen dhe muzikë të Stravinskij, “Ein Reigen”, me koreografi nga Ashley Page, “Arepo” me koreografi të Maurice Bejart. Koncerti vjen si një krijim lirik mes traditës dhe modernes, një vështrim ironik i realitetit përmes kujtesës. Koncertin e njohur që mban çdo 1 Janar, Filarmonia e Vjenës, mes muzikës klasike dhe kërcimit po kaq të tillë, që prej vitit 2009 ndodhet në këtë event të rëndësishëm balerini shqiptar Eno Peçi, i cili mbrëmjen e së shtunës do të jetë para publikut shqiptar. Balerini tregon se ky koncert është i përzgjedhur me një krijimtari të pasur muzikore dhe koreografike, por shprehet se skenës shqiptare i ka munguar me një koncert të tillë për shkak të aktivitetit të ngjeshur artistik që ka jo vetëm në Vjenë, por dhe në skena të tjera të botës. “Shkaku që nuk kam qenë deri tani me një koncert të tillë deri tani është koha, e kam axhendën shumë të ngjeshur, dhe veç asaj atë ditë që unë mund të kem kohë, ndoshta s’ka kohë dhe TOB, dhe ndaj duhet që të koordinohen këto të dyja. Ky është një nga problemet, që unë kam munguar. Unë kthehem të hënën në Vjenë dhe filloj direkt punën me axhendën që kam atje. Është një axhendë shumë e ngjeshur, plus dhe turne të ndryshme dhe gala që kam në teatro të ndryshëm në botë”, tregon balerini i njohur Eno Peçi. “Vienna night” e sjell për herë të dytë brenda këtij viti balerinin e suksesshëm shqiptar Eno Peçi, por ndryshe nga pjesëmarrja në dhjetorin e vitit 2013 me rastin e 60 vjetorit të Teatrit tonë të Operës dhe Baletit, Peçi ka vendosur që këtë të shtunë të sjell një recital premierë. “Të gjithë duhet ta dinë që këta artistë vijnë gratis në TOB. Është një kënaqësi e madhe për ne, sepse ju nuk e dini çfarë do të thotë kjo duke pasur parasysh kushtet në të cilat ndodhet TOB, u shpreh drejtori i TOB Ilir Kerni për koncertin e së shtunës. Në këtë mbrëmje marrin pjesë edhe trupa e baletit e TOB me baletin “Ballo e diplomës” dhe orkestra nën drejtimin e Petrika Afezollit.

Shkolla e Baletit Eno Peçi është një nga emrat e suksesshëm shqiptarë që po zhvillon një karrierë të vlerësuar në botë. Gjatë kësaj kohe disa nga emrat e njohur të baletit shqiptar kanë pohuar se duhet dhe një vëmendje më e madhe nga Shkolla shqiptare e Baletit, pasi sipas tyre për këtë institucion ka ende shumë për të bërë në edukimin e brezit të ri. I pyetur për Shkollën shqiptare të Baletit, apo sot Shkolla Kombëtare e Koreografisë, balerini i njohur thekson se kjo shkollë duhet të ketë një bazë të fortë klasike. “Shkolla e Baletit është shumë e rëndësishme, sepse nxjerr balerinët që janë të gatshëm për kompani të ndryshme, apo si TOB apo dhe teatro të tjerë jashtë Shqipërisë. Shkolla e Baletit është një nga institucionet më të rëndësishme, sepse aty balerini merr bazën e vet klasike dhe është shumë e rëndësishme që balerini të ketë një bazë të fortë klasike. Them se Shkolla jonë e Baletit në këtë moment ka shumë nevojë për një bazë të fortë klasike, që të zhvillohet nga ana teknike. Duhet marrë një masë për Shkollën e Baletit, të vihet një bazë e fortë, siç është baza e fortë e Shkollës Vaganova dhe të zhvillohet nga mësues dhe koreografët që janë në shkollën tonë, që balerinët të kenë një bazë të fortë dhe të dalin nga kjo shkollë të përgatitur”, tregon balerini i njohur shqiptar Eno Peçi. Por ardhja e balerinit në Tiranë është një mundësi e mirë për të gjithë të apasionuarit e klasikes. Nga ana tjetër Eno Peçi të ardhurat e kësaj shfaqje, bileta e të cilës kushton 1 mije lekë të reja, do t’i çojë të gjitha për bamirësi për fëmijët e fshatrave SOS në të gjithë Shqipërinë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.