Bien të ardhurat nga taksat në 5 muajt e parë të vitit; 6.6 miliardë lekë më pak se parashikimi. Nuk justifikohet rritja e taksave
Periudhë e vështirë për financat e vendit. “Top Channel” duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave raporton se, për 5 muajt e parë të vitit, të ardhurat totale në buxhet ishin 6.6 miliardë lekë më të ulëta se parashikimi i periudhës. Por, rënia është edhe më e madhe se kaq, pasi një pjesë e saj është zbutur nga shitja e licencës 4G dhe tejkalimi i të ardhurave jo-tatimore. Rrjedhimisht, të ardhurat nga tatimet dhe doganat, ato që tregojnë realisht performancën fiskale të qeverisë, janë 11 miliardë lekë më pak se plani i periudhës. Në fillim të vitit, kur prezantoi paketën e re fiskale, qeveria e rriti barrën e taksave mbi qytetarët dhe biznesin me 18 miliardë lekë për vitin 2015. Por, për pesëmujorin, të dy institucionet kanë mbledhur po aq të ardhura sa një vit më parë, edhe pse taksat dhe çmimet janë rritur dhe prodhimi kombëtar është zgjeruar. Kjo ecuri u dedikohet rezultateve negative nga të dy institucionet e fiskut, si Doganat ashtu dhe Tatimet, të cilat kanë mbledhur respektivisht 7.5 miliardë lekë dhe 3.5 miliardë lekë më pak se plani. Rënia e fortë e të ardhurave ndaj planit e vendos administratën fiskale në një pozicion të vështirë, që nuk justifikon dot as rritjen e taksave. “Top Channel” raporton se burimet e tij kanë thanë se, rënia e të ardhurave ka qenë një nga pikat më të nxehta të diskutimeve, që ekspertët e FMN-së kanë pasur me autoritetet.
Add new comment