“Racizmi grek nuk më lejonte të tregoja për origjinën time shqiptare”

Postuar në 29 Nëntor, 2014 10:21

Ndoshta nuk është rasti i vetëm dhe për arsye të ndryshme shumë shqiptarë kanë fshehur apo mohuar origjinën. Por, kur bëhet fjalë për emra që kanë korrur sukses, duket se befasia që ndiejmë është e menjëhershme dhe e madhe. Ajo është një ndër emrat më të njohur të muzikës së viteve të fundit në Greqi, dhe përfaqësuese e shtetit helen në “Eurovizion”. Në Shqipëri, ata që e njohin janë të afërmit dhe një pakicë, e cila ka dëgjuar zërin e saj në videot muzikore, duke e ditur ose jo që është shqiptare. Bëhet fjalë për këngëtaren simpatike Eleni Foureira, e cila ka “tronditur” grekët dhe befasuar shqiptarët, duke bërë publike origjinën që e mbante të fshehur, qysh nga koha kur ka emigruar në shtetin fqinj.

Vajza 27-vjeçare nga Shqipëria, tregon në një revistë greke se është detyruar që të mbajë të fshehtë faktin se, ajo ishte shqiptare dhe kishte lindur në Shqipëri. Në revistën “Cool” në Athinë, bukuroshja Eleni Foureira (Entela Fureraj), tregon se ajo është vajza e Kristaqit nga Fieri dhe e Marietës nga Vlora. Deri vonë, ishte thënë se Eleni (Entela) kishte lindur në Greqi. Por, e vërteta është se ajo ka lindur në Shqipëri, më datë 7 mars të vitit 1987. Para se të niste karrierën si këngëtare, vajza u shqua si modele. Më tej ajo ishte pjesëtare e grupit të njohur muzikor grek “Mystique”. Në vijim ajo ishte një emër i njohur i këngës dhe në vi-tin 2010 këndoi në “Eurovizion” duke përfaqësuar Greqinë. Në intervistën e saj, 27-vjeçarja pohon se është detyruar të mbajë të fshehur këtë fakt për shkak se ekziston një frymë e gjerë raciste ndaj shqiptarëve. “Unë kam ndjerë një atmosferë të vazhdueshme racizmi në shkollë dhe më tej kur nisa karrierën time si këngëtare. Detyrohesh të fshehësh seksualitetin tënd, apo kombësinë tënde dhe këto ndodhin. Dhe unë e fsheha faktin se, kam lindur në Shqipëri. E bëra këtë, sepse kur shkoja në fillimet e mia nëpër shtëpitë diskografike, atyre u mjaftonte fakti që të mësonin se isha shqiptare për të më shpërfillur”, - tregon Eleni. Dhe teksa flet për fëmijërinë e saj, nuk ngurron të japë dhe një mesazh, të cilin e lidh me nonsensin e të qenit racist.

“Unë, që e vogël e kam kuptuar se ndihem greke. Nuk di asnjë gjuhë tjetër veç greqishtes. Këtu kam mësuar shkronjat e para. Dhe kështu i thashë vetes se, asgjë nuk do të më ndalojë të bëjë atë që unë dua”, duke shtuar se ka ndjerë shumë racizëm në shkollë dhe kur nisi të këndojë “Kjo më bëri edhe më të fortë dhe mund të jap një mesazh për fëmijët e vegjël. Kjo nuk më mërzit mua, sepse unë me punën time dhe vlerat e mia provova se gjithë ‘fryrjet’ nëpër televizione nuk kishin asnjë ndikim në botë. Unë ia dola dhe tani mund të jap mesazhin tim. ‘Nuk ka kuptim të jesh racist’”, u shpreh Foureira.

Nëpërmjet këtij mesazhi këngëtarja ka treguar se pavarësisht racizmit grek, ajo ia doli të jetë këngëtarja më e pëlqyer greke, për këtë arsye vendosi që t’ua tregojë se është shqiptare në momentin që ajo dëshironte, në momentin që ëndrrat e saj iu realizuan. Origjina e Foureiras ka qenë për shumë kohë objekt spekulimesh. Kur ishte anëtare e grupit të njohur grek “Mystique”, njerëzit e konsideronin si braziliane. Në intervistat e saj të para, kur u fut në botën artistike ajo deklaronte për origjinën se babai vinte nga Athina ndërsa nëna nga Janina. Ndërsa për veten është shprehur se ka lindur dhe është rritur në Athinë.

Ndërsa për mbiemrin që përherë i çudiste grekët, ajo deklaronte se origjina toponimike e tij, është meksikane. Ndërkohë që, gjithkush dyshonte kur ajo po vinte përpara karrierën e saj, në vitin 2010, Eleni (Entela) kishtelëshuar dokumentet dhe letrat për të marrë nënshtetësinë greke. Kjo ngjalli mjaft dyshime në mediet greke. Në një intervistë të dhënë po këtë vit, ajo u shpreh se unë kurrë nuk kam deklaruar që vij nga Meksika, apo se rrënjët e origjinës sime ishin andej. Ndërsa në vitin 2013, ajo u shpreh për mediet vizive greke se, shpeshherë ka ndier pengesa për shkak të origjinës. “Unë kam punuar, nuk kam folur në gjuhë të ndryshme dhe prandaj jam këtu ku jam”. Në vitin 2011, Eleni fitoi dy çmime, si “Artistja më e mirë e vitit” dhe “Videoklipi i vitit”. Ajo ka kënduar dhe me fituesen ukrainase të “Eurovisionit”, Ruslanën.

Karriera

Entela Fureraj u lind më 7 mars 1987 nga prindërit Kristaq dhe Marjeta Fureraj në Shqipëri. Babai i saj është me origjinë nga qyteti i Fierit, ndërsa nëna nga qyteti i Vlorës. Para se të niste karrierën si këngëtare, Fureraj kishte dëshirë dhe interes në dizajn (modë), e ndikuar edhe nga nëna që ushtronte këtë profesion. Vajza u rrit në rajonin e Kalitheas në Athinë. Qysh, në moshë të re, ajo megjithatë filloi të mësonte dhe të luante në kitarë.

Më pas për 3 vjet punoi në teatër. Para se të niste karrierën si soliste, u bashkua dhe këndoi për grupin “Mystique”. Arritja më e madhe ka qenë pjesëmarrja në “Eurovision” në vitin 2010 duke përfaqësuar Greqinë. Në maj të vitit 2010, këngëtarja shqiptare, këndoi versionin grek të këngës, “Chica Bomb” ndërsa në nëntor mori pjesë në një shfaqje bamirësie.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.