Mes sanksioneve dhe censurës, RT dhe Sputnik kthehen në dhimbje koke për BE-në
BE u zotua dy ditë më parë se do të ndalojë mediat e mbështetura nga Kremlini, RT dhe Sputnik. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se organizatat mediatike do të hiqen nga transmetimi si pjesë e një pakete më të gjerë sanksionesh kundër Rusisë. Tani pyetjet që shtrohen janë si do të bëhet kjo pa shkelur ligjet dhe rregulloret dhe e dyta, si të veprohet në rast se edhe Moska kundërpërgjigjet.
"Ne po kërkojmë mënyrën më të mirë ligjore për t'u siguruar që mund të arrijmë objektivat tona", u tha gazetarëve, zëdhënësi kryesor i organit ekzekutiv të BE-së, Eric Mamer.
Komisioni pritet të paraqesë një tekst ad hoc për kryeqytetet e BE-së që do t'u sigurojë rregullatorëve kombëtarë dhe platformave në internet bazën ligjore për të hequr RT dhe Sputnik.
BE-ja e ndërmori këtë hap pak ditë pasi Rusia hyri ushtarakisht në Ukrainë. RT shihet nga Perëndimi si një mjet propagande që Kremlini përdor për të përhapur retorikën pro-ruse dhe për të justifikuar sulmin në Ukrainë.
Brukseli dhe kryeqytetet evropiane po kërkojnë gjithashtu të mbyllin faqet e internetit dhe llogaritë e mediave sociale të mediave që mbështeten nga Kremlini, të cilat arrijnë tek qytetarët evropianë në gjuhë të ndryshme, duke përfshirë frëngjisht, anglisht dhe spanjisht.
Megjithatë, edhe me mbështetjen e të 27 anëtarëve, veprimi i BE-së është një vendim politik që tani duhet të përkthehet në hapa praktikë, ligjorë. Dhe rregullat që zakonisht zbatohen për transmetuesit nuk duken të rëndësishme në kohë lufte.
“Rregullorja e medias nuk është me të vërtetë e përshtatshme për ndonjë veprim të menjëhershëm, sepse bazohet në parimin e pavarësisë dhe lirisë së fjalës, lirisë së medias”, tha Ľuboš Kukliš, kreu i rregullatorit sllovak të medias. "Pra, Komisionit do t'i duhet të marrë rrugë të tjera nëse duan t'i ndalojnë ato media menjëherë," shtoi ai, duke iu referuar sanksioneve ekonomike.
Tani Komisioni Evropian dhe qeveria franceze janë përballë kritikave sipas të cilave ndalimi i RT dhe Sputnik mund të përbëjë censurë. Kjo është një linjë që vetë kanalet e mbështetura nga Rusia, përfshirë RT France, po e përdorin gjithashtu për të protestuar ndaj vendimit.
"Dëgjoj një debat për lirinë e shprehjes, kjo nuk është ekuivalente me asnjë media që operon në territorin francez dhe evropian," tha Sekretari i Shtetit Francez për Çështjet Evropiane, Clément Beaune për radion franceze Europe 1. "Mediat që janë të organizuara strukturalisht si një stafetë e Kremlinit në demokracitë tona, në kohë lufte, nuk mund të pranohen”.
Kompania mëmë e Facebook, Meta, njoftoi se do të kufizojë aksesin në RT dhe Sputnik në të gjithë BE-në. YouTube gjithashtu ka njoftuar se do të "kufizojë ndjeshëm" rekomandimet për RT dhe disa kanale mediatike shtetërore ruse.
Comments
Europa duhet te jete pro
Europa duhet te jete pro nderprerjes se marrdhenieve tregetare me Rusine, por jo ndalim mediash! Nwse ne mendojme se Putini eshte ne rrugen e gabuar dhe neve ne rrugen e drejte, nuk kemi arsye t'ia ndalojme te flase lirshem ne mejdanin europian! Cdo fjale e qeverise ruse duhet te luftohet me fjale, argumenta dhe fakte; dhe jo me ndalime fashiste!
Add new comment