Politikë me metafora
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/4700_1_82.jpg?itok=Ed895jhT)
Në një opinion të botuar në gazetën Shqip, por të rimarrë pastaj anembanë Internetit, Albin Kurti shkruan për gjallërimin artificial të temave dhe të polemikave fetare në Kosovë.
Sipas tij, “Islami e krishterimi nuk janë rrezik për kombin shqiptar. Territori kombëtar dhe pasuritë kombëtare janë në rrezik dhe jo identiteti kombëtar.”
Që këtej, ai nxjerr përfundimin se “ trupi i kombit, më parë se shpirti i kombit, po rrë[n]ohet”, një tezë e diskutueshme, por relativisht e padëmshme. Them e diskutueshme, meqë fare lehtë mund të kundërshtohet, me kundërtezën se trupi i kombit po rrënohet pikërisht sepse shpirti i kombit gjendet në gjendje të mjeruar; por kjo nuk është teza ime, meqë për mua metafora si “trupi i kombit” dhe “shpirti i kombit” e kanë vendin në poezinë e recituar, jo në analiza politike.
Çfarë më la shije shumë të keqe në këtë artikull është fraza përmbyllëse, ku Kurti shprehet kështu (theksimi im):
Zemërimin shqiptarët duhet t’ia kushtojnë Serbisë e Greqisë, privatizimit neoliberal, varfërisë e papunësisë, korrupsionit qeveritar, e kurrsesi shqiptarit të religjionit a sektit fetar tjetër.
Teza është kombëtariste e pastër; por jo vetëm kaq – sepse është edhe primitive. Si qenka kjo, që zemërimin shqiptarët duhet t’ia kushtojnë Serbisë e Greqisë, në një kohë që edhe shqiptarët e Kosovës, edhe ata të tjerët, të Shqipërisë, kanë shtetet e tyre sovrane, të cilat i kanë instrumentet e nevojshme për të vepruar si partnerë në lëmin e marrëdhënieve ndërkombëtare?
Një gjë është të thuash se pushtetarët e tu po veprojnë në mbrojtje të interesave të fqinjëve (edhe kjo pak e konsumuar si akuzë, por që gjithsesi mund të verifikohet); dhe një gjë tjetër që ti, si popull, duhet t’ia kushtosh zemërimin “Serbisë” dhe “Greqisë”.
Dikush duhet t’ia shpjegojë autorit se marrëdhëniet e fqinjësisë nuk mund të themelohen mbi zemërimin; dhe se “Serbia” dhe “Greqia” janë kaq antishqiptarisht monolitike sa ç’i duken atij vetëm në deliret kombëtariste.
Albin Kurti sot është politikan në modë, sidomos në disa qarqe radikalësh; të cilët ia falin kombëtarizmin ndonjëherë foklorik, për hir të integritetit moral që pa dyshim ka treguar dhe vendosmërisë në betejat politike.
Megjithatë, dhe veçanërisht simpatizantëve të tij të majtë, do të doja t’u vërej se zemërimin “shqiptarët” duhet ta ruajnë për ata që ua kanë shkaktuar këtë zemërim, ose për liderët e tyre politikë dhe sistemin korruptiv që këta liderë kanë krijuar dhe që i mban ata në krye; jo për entitete mitologjike, si Serbia dhe Greqia, të cilat u duhen lënë, si lodra për të luajtur, flakëhedhësve anonimë të Internetit.
Marrë nga Peizazhe të Fjalës
Comments
Z. Ardian, jam totalisht
Z. Ardian, jam totalisht dakort me premisen baze te argumentit tend. Gjithsesi, mendoj se dobesohet ky argument I yti kur I thua nje ish te burgosuri politik ne burgjet e Serbise, nje qytetari te popullit kosovar se Serbia eshte armik mitologjik. Jam dakort qe armiku dhe shenjestra e zemerimit nuk mund te jete 'Serbia' por, fjala vjen, nacionalizmi serb, politika serbe ndaj Kosoves pra kategori te specifikuara brenda asaj qe eshte 'Serbi', por teksa mire ben qe u bie kokes ketyre deklarimeve, duhet bere kujdes, mendoj, qe mos duket sikur kritika ndaj ketij kombatirzmi mos behet duke injoruar si te paqene 'ate Serbi' qe vazhdon te perpieqet te jete rezik egzistencial per sovranitetin e Kosoves.
"Zemërimin shqiptarët duhet
<p>"Zemërimin shqiptarët <strong>duhet t’ia kushtojnë Serbisë e Greqisë</strong>, privatizimit neoliberal, varfërisë e papunësisë, korrupsionit qeveritar, e kurrsesi shqiptarit të religjionit a sektit fetar tjetër"... - Ka shume te drejte Albin Kurti kur shkruan keshtu. Ai nuk flet vetem kunder shteteve fqinje, por njekohesisht edhe kunder privatizimit te pasurive kombetare, kunder varferise dhe papunesise, korrupsionit etj etj dhe me te drejte nenvizon se problemet fetare duhen lene menjane. Por disa fondamentaliste duan me çdo kusht te mbajne ndezur jo zjarrin patriotik dhe atdhedashes, por ate fetar, qe per mendimin tim eshte sa i larget per Shqiptaret e vertete aq edhe i rrezikshem per unitetin kombetar.</p>
Add new comment