Becchetti, rikonfirmohet gjoba për Shqipërinë
Gjykata e Arbitrazhit në Uashington konfirmoi për herë të tretë gjobën rekord ndaj Shqipërisë duke I dhënë të drejtë biznesmenit italian Francesco Becchetti edhe në fazën e fundit të procesit gjyqësor.
Deri tani qeveria është justifikuar se gjyqi me Becchetti nuk ka përfunduar ende. Por me vendimin e fundit të gjykatës, dënimi marramendëse është përfundimtar dhe shkon automatikisht për ekzekutim.
Gjyqi mes biznesmenit italian Becchetti dhe qeverisë shqiptare në gjykatën e arbitrazhit nisi në vitin 2015. Pas 4 vjet procesesh, në prill të vitit 2019, gjykata dha vendimin e parë duke e dënuar Shqipërinë me 108 milionë euro për shpronësim të padrejtë të televizionit Agon channel.
Ky vendim u apelua nga qeveria shqiptare, e cila në gusht po të vitit 2019 kërkoi anulimin e tij. Procesi i apelit zgjati gati dy vjet, dhe në prill të këtij viti gjykata konfirmoi gjobën plus interesat për çdo vonesë në pagimin e saj.
Edhe pse vendimi i dytë ishte i formës së prerë, qeveria shqiptare vendosi të ezaurojë edhe fazën e fundit të procesit, atë që në termin teknik njihet si korrigjim i vendimit, një lëvizje e cila më shumë se përpjekje për të anulluar gjobën ishte taktikë e qeverisë për të të shtyrë sa më shumë zyrtarizimin e saj.
Faza e korrigjimit nisi në 26 maj të këtij viti dhe pas dy muajsh, në datën 29 korrik gjykata ICSID ka dhënë vendimin përfundimtar duke mos e ndryshuar vendimin, por duke korrigjuar vetëm disa gabime të vogla ortografike.
Me vendimin e formës së prerë, që tashmë ka ezauruar të gjitha fazat e mundshme të arbitrazhit, Shqipëria është e detyruar të paguajë gjobën rekord për llogari të Becchetti dhe ortakëve të tij plus interesat që rriten çdo ditë.
Sipas vendimit të gjykatës, deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti gjoba që duhet të paguajë Shqipëria ka arritur 118.5 milionë euro, ndërsa nëse Shqipëria vazhdon të mos e paguajë në fund të vitit ajo shkon në 121.4 milionë euro. Në finale, i gjithë zinxhiri i apelimeve të qeverisë pati vetëm një efekt. Rritjen e gjobës si pasojë e interesave, pasi sipas vendimit të gjykatës, aplikimi i interesave nis që nga shpallja e vendimit të parë.
Sipas procedurës vendimi i arbitrazhit duhet të kalojë për njohje në gjykatën e apelit në Shqipëri. Por nëse qeveria do ta refuzojë këtë, atëherë Francesco Becchetti mund të kërkojë sekuestrimin e aseteve të shtetit shqiptar jashtë, një proces të cilin e nisi që në dhjetor të vitit të kaluar.
MCN Tv
Comments
Rama ne SPAK
Tani do e shohim sa na vlen SPAK-u.
Add new comment