Vallë na duan kaq sa thonë?

Postuar në 08 Nëntor, 2020 00:16
Skerdilajd Zaimi

 

Nuk ka ditë në këtë vend që të mos marrim në rrugë dixhitale mësime sesi duhet të sillemi. Se çfarë standardesh duhet të kapim, se ku është Europa, se çfarë do të thotë ajo, se kur do të hyjmë, na duan apo jo, se po luftohet korrupsioni, se ka përpjekje, ka arritje, se është hedhur një hap, por duhen edhe dy të tjerë.

Se çfarë duhet bërë, hetuar, kontrolluar, dënuar, ndëshkuar, rishikuar, se cilat dosje hapen, e çfarë mbyllen.

Përditë na thuhet se kush janë miqtë, armiqtë, të ngjashmit, se kush është destinacioni e madje destini ynë.

E mira dhe e keqja në këtë vend rrëfehen përditë, pa u lodhur, me të njëjtin stil, qetësi, fytyrë të qeshur, me të njëjtin stil madje, në krah të të njëjtëve njerëz prej dekadash. Aq sa të duket se ne nuk kemi gjë në dorë. Se jemi pësues pasivë dhe fatlumë të një mekanizmi të ndërlikuar që vihet në punë nga një narrativë pozitiviste, që i ngjan busullës së Jack Sparrow, tregon atë që duam ne.

Ky tog formulash dhe recetash përbëjnë ideologjinë spontane dhe të përshtatur të kohës sonë. Manifest tifozësh që nuk fitojnë asnjëherë.

Monopoli i kësaj narrative është i askujt nominalisht, por ai krijohet nga një kor zhurmuesish të zellshëm dhe të mirëpaguar, që përsërisin e përsërisin papushim litaninë e një rruge që nuk ka fund. Fjala e tyre është temjani ndaj mendjeve të shprishura të një mileti që ka mëkatin e madh se harron shpesh, madje me entuziazëm atë që është. Besimi I tyre në Perëndimin dhe demokracinë është asgjë më shumë sesa fabula e levantinit që tregonte dikur Konica.

Nuk ka skotë më të padurueshme në të gjithë këtë staf dokumentari politik sesa gazetarët dhe ambasadorët. Kohët e fundit po lexojmë gazetarë që dalin me qëndrime morale, që tregojnë se çfarë është e mirë dhe e keqe, që madje për çudinë më të madhe marrin pozën e një poli moralisht opozitar me politikën. Kush e njeh median do të duhet të rishpikte shqipen për ta përshkruar, ndaj këto poza që dikush i mendon për pozicione, janë një ndër gjërat më teatrale, një lloj cirku majmunësh që hiqen se u bën përshtypje vetja kur e shohin në pasqyrë.

Aradha e dytë janë ambasadorët. Patjetër perëndimorë. Europianë, amerikanë. Me këtë vendi ynë bashkëqeveris. Jo thjesht politika. Vendi i tërë. Sa gëzim është të takosh një ambasador! Është kredencial moral dhe publik.

Puna është se mundet të falej ky spektakël i një shoqërie të dështuar, që ka pranuar dhe prodhuar një elitë pa identitet si kjo, por edhe roli publik duhet të ketë një kufi. Është shumë e çuditshme të shohësh sesi ambasadorë të vendeve të rëndësishme shfaqen në fillim mandati me aureolën e atij që sjell ndryshimin dhe përfundojnë në manekinë të politikës, aneks i saj, në mos pjesë informale. Ambicia e këtyre diplomatëve për rol publik, për t’u cituar, referuar në media dhe kudo është e papërmbajtshme. Ambasadorët e BE-së, edhe ky i tanishmi, janë kudo. Romana Vlahutin ishte më e pranishme në media se Blendi Fevziu, Soreca vazhdon denjësisht rrugën e saj duke qenë kudo dhe kurdoherë.

Dje z. Soreca doli edhe me një mesazh për maskën në emër të nuk dihet se kujt dhe çfarë. Të njëjtën gjë bëri edhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim me një video mesazh. Vallë edhe për maskën ka nevojë kjo qeveria jonë për ndihmë nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë? Kaq pa dinjitet qëlluam ne xhanëm? Kaq të paskrupullt, të pacipë, kaq impotente është sedra jonë saqë duket se i lutet fatit për një ledhatim nga një i huaj? Recetat e këtyre ambasadorëve kanë përmbajtje fare banale, me të vërteta që duket se thuhen nga një shitës gazetash që rritet profesionalisht me titujt që I zë syri:

Që kur ka filluar vetingu, asgjë gjyqtar apo prokuror i vetëm nuk është ndjekur penalisht apo dënuar. Nevoja për të hetuar korrupsionin gjyqësor, përtej vetingut, është përfshirë në kushtet e përcaktuara nga BE për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE

shkruan në tuiter zonja Kim.

Kujt ia thotë këtë? Qeverisë, kryeministrit me të cilin duket se ndan miqësi? Është mesazh i koduar për z. Rama? Ka 30 vjet me mesazhe të tilla dhe këta ikin, e ata që bëjnë këtë “radiolojë” janë po të njëjtët. Për ta katandisur këtë vend në një pus nga ku dalin shqiptarë që duan të ikin.

SHBA dhe BE janë në krah të popullit shqiptar-, do na thonë. Në të vërtetë këtë nuk e dimë më. E sigurtë është se kundër nuk i kemi. Sa për krah, ne vetë po ikim e gjejmë punë, në radhë po rrimë, me kontrolle pasaportash dhe të stigmatizuar si kriminelë me damkë. Nuk duket gjëkundi kjo përkrahje të cilën e shquajmë kaq mirë për klasën tonë politike, të cilën nuk duan ta ndryshojnë, edhe pse për Shqipërinë kanë plane të mëdha siç thonë.

Miqtë e këtij vendi do të shprehin një minimum dashamirësie ndaj tij dhe mikpritjes që u ka treguar për shkak të komplekseve të veta, rrethanave, naivitetit, por edhe djallëzisë së politikës, nëse do të qëndronin disi më larg. Do të flisnin më rrallë, do të shpreheshin kur duhej. Sepse partia e tyre politike asgjë të mirë nuk i ka sjellë këtij vendi, veç kursit që nuk po përfundon të zvarritjes.

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Aq sa shkencetaret duan minjte e bardhe ne laboratoret e tyre, aq shume na duan edhe neve keta perendimoret.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.