Mashtrim me naftën, KLSH ka gjetur 3 kompani që i kanë vjedhur shtetit miliona euro duke trukuar çmimet e shitjes
Vitet e fundit, detyrimet e paguara nga kompanitë që shfrytëzojnë pasuritë natyrore të vendit kanë qenë një temë e nxehtë debati, jo vetëm politik, por edhe mes ekspertëve. Ndaj kompanive ka pasur një sërë akuzash për mashtrime financiare me qëllim uljen e detyrimeve që duhet të paguajnë në shtet, por ato i kanë mohuar gjithmonë, duke deklaruar se kanë respektuar plotësisht kontratën koncesionare dhe ligjet në fuqi. Një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka gjetur se kompanitë që nxjerrin dhe eksportojnë pasuritë nëntokësore kanë shmangur 23.7 milionë euro taksa, duke trukuar çmimet e shitjes. Më konkretisht, sipas raportit, 3 kompani eksportuese të naftës, që nuk përmenden me emra, kanë deklaruar në doganë, çmime dukshëm më të ulëta se ato të bursës. Përmes trukimit të çmimeve, KLSH thotë se këto kompani kanë ulur ndjeshëm vlerën e naftës që kanë eksportuar dhe rrjedhimisht edhe taksën e rentës, e cila llogaritet si përqindje ndaj vlerës. Sipas KLSH, vetëm nga këto diferenca, për periudhën 2013-2014 këto tre subjekte i kanë shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit në masën 3.3 miliardë lekë ose e konvertuar 23.7 milionë euro. Pas gjetjeve të raportit, përmes një shkrese që mban datën 30 prill të këtij viti, kryetari i KLSH-së i ka kërkuar Doganës që të marrë masa për të arkëtuar këtë dëm në masën 100 për qind. Por Drejtoria e Doganës ka kërkuar më shumë kohë për të verifikuar faturat edhe në vendet pritëse, pra atje ku është eksportuar nafta. Në raportin e publikuar, KLSH thotë se ka shprehur dakortësi në lidhje më kërkesën për shtyrjen e afatit, por rithekson edhe një herë se u qëndron plotësisht gjetjeve të tij.
Comments
Nuk eshte vetem pasuria
<p>Nuk eshte vetem pasuria kombetare qe na le shendene,por shikoni fotografine e pusit,burim toksik dhe kancerogjen per ekologjine e mjedisit.Pamja e ketij pusi deshmon me se miri per nje shfrytezim kolonial dhe barbar te vendburimeve tona.Rrembe ne menyre barbare duke lene pas nje toke te djegur mbitokesore dhe nje shkaterrim te shtresave nentokesore te vendburimit.Rrembe pa investuar fare.Shfrytezo vendburimin e lene te gatshem nga rregjimi i kaluar.Mjer ne kush na drejton dhe kush na shfrytezon.</p>
Bravo klsh, I vetmi
Bravo klsh, I vetmi institucion qe punon ne Shqiperi. Ka akoma shprese
Add new comment