Shqipëria sh.a.
Ka disa ditë që në media të ndryshme po flitet për zgjedhjet e ardhshme. Dhe po flitet për to duke i mëshuar dy drejtimeve eventuale që ato mund të prodhojnë: I pari se Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi janë ndryshimi, i dyti se Edi Rama merr manxatin e tretë.
Skenari i rotacionit ka humbur kështu vlerësimin për arsyen se premtimi i opozitës tradicionale është aq ireal në raport me akter e saj, saqë çdo shpesë që procesi elektoral të prodhojë ndryshim është zeruar.
Për ata që nuk duan ta kuptojnë këtë gjë duhet thënë se rotacioni aktualizohet përherë si nevojë, por kur ai shndërrohet në ofertë për zëvendësim në vend se të kapitalizojë energjitë për Ndryshim, atëherë bëhet i padobishëm. Kjo po ndodh: Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi bërtasin se kanë rënë në dashuri me Shqipërinë dhe të ardhmen e saj, por ata nuk përfaqësojnë asgjë veç vetes dhe damianëve, belindave, sajmirëve dhe taulantëve të tjerë. Pse atëherë të prishësh të djelë e të votosh?
Është kjo krizë e thellë që e bën skenarin që Edi Rama të marrë mandatin e tretë, ose të jetë në çdo përllogaritje pjesë e rëndësishme e pushtetit nesër, më realiste. Dhe kjo është dramatike për vendin.
Analistë pranë qeverisë vetëm se nuk e kanë pranuar publikisht se qeveria vjedh, se ministrat vjedhin dhe as ja kanë haberin punës. Por sërish, në vend se të apelojnë për ndryshim, në vend se të presojnë, shtjellojnë opsionet e Edi Ramës të cilit ia paraqesin si këshilla miqësore.
Kjo është një situatë e paprecedentë që ka disa përgjegjësi.
Së pari nga opozita që deklaron se nuk ekziston.
Së dyti nga partia në pushtet që ka hyrë në xhepin e një njeriu.
Së treti nga media që qëndron përballë pushtetit si sindikata e lypsarëve dhe mitingashëve me pagesë.
Së katërti nga tumori malinj, terminal i selive diplomatike që i bëjnë hosana të keqes.
Qeveria dhe z. Rama sillen sot si kaposhi mbi pleh pikërisht sepse nuk kanë asnjë kushtëzim psikologjik që lidhet me perspektivën e afërme. Ata janë të sigurtë sepse kanë bllokuar ligjërimin dhe narrativën te të vërtetat e pushtetit që sot për fat të keq ka klient edhe opozitën/at. Duke lejuar kështu që ndryshimet e mundshme në qeveri të marketohen si shenjë e vullnetit të mirë të kryeministrit e ca më keq, si ilustrim i gjenialitetit politik të z. Rama.
Ky koalicion i pazakontë hajdutësh ka krijuar klimën e keqe kur një kryeministër merr me sportivitet zgjedhjet, akuzat për vjedhje, apo edhe reformat. Sepse duke kuptuar që të gjithë duan të afrohen në grazhd, ai kupton se askush nga ata që janë në “lojë” nuk pretendon tjetër veç asaj që po ndodh: të vjedhë.
Dhe vjedhja gjeneron atë amnistinë e vazhdueshme që e quajmë Pandëshkueshmëri.
Dikush mund të mendojë se rotacioni do të vijë edhe për hir te një llogarie apo lodhjeje. Është gabim. Dy rotacionet kryesore dhanë mandat të konsoliduar politk sepse u mbështetën mbi premisa të vërteta shprese për ndryshim. Sepse mirë apo keq, në vitin 2005 dhe 2013 pati shumë njerëz që besuan se më mirë do të bëhej. Ndaj edhe inercia e asaj vote vazhdoi.
Sot askush nuk ka besim tek askush. Si vallë do të qëndrojë në këmbë një pushtet që është në mocion permanent mosbesimi? Me forcë, me shurdhëri juridike, apo me imunitetin e buzëqeshjeve?
Ky është një dështim strukturor që ka cenuar raportin e qytetarëve me vendin dhe të ardhmen, që e ka asgjësuar kuptimin e asaj që quhet kontratë sociale.
Ne jetojmë në vendin e Saliut, Edit, Lulit, Ilirit, fëmijëve të tyre dhe 3-4 biznesmenëve pranë tyre, rrethuar nga kopeja e gazetarëve që mbahen me para buxheti. Duhet të jetonim në fakt në një vend që është Edhe i tyre. Ja që nuk është kështu për fat të keq dhe pasojat po shihen.
Comments
OK!
Dakord mor zoteri, tha, e dime qe eshte mut ketu, mut atje, mut ketu edhe atje. Po çfare te bejme??? Po ta japim voten, kujt t'ia japim, po te mos e japim voten, sidoqofte njeri nga keta do ta marre, apo jo? Na ka gjet si puna e atij qyqarit qe njerin dhender e kishte bostanxhi, tjetrin qerpiça beres. E dergoi gruaja te shikonte ç'benin çupat. Vajti ne fillim te bostanxhiu, hengren e pine, he mor bir si te shkojne punet. Mire o babam i tha dhendri, ama po nuk ra shi javen qe vjen do me digjet i tere bostani dhe s'kam çbej, do t'ia heq vetes. Te nesermen shkoi tek qerpiça beresi. Hengren e pine, he mor bir si te shkojne punet, Mire o babam, ama po ra shi javen qe vjen mi prishi te gjithe qerpiçat dhe s'kam ç;bej, do t'ia heq vetes. U kthye ne shtepi i gjori dhe e pyet gruaja, he mor burre si i kishim çupat? Mire moj grua, ama ra shi, s'ra shi javen qe vjen njerin nga dhenduret e qame.
Add new comment