Lollipop-izimi i shoqërisë me fonde publike*

Postuar në 28 Mars, 2015 15:30
Olsi Sulejmani

Në prill të vitit 2013 kryeministri Rama, në një nga fjalimet e tij u shpreh se: “Kultura, mjedisi, sporti me ne do të rilindë!”.
Parantezë: Shqipëria, falë bujarisë së natyrës, ka shumë për të ofruar në turizëm, si p.sh. zonat bregdetare dhe ndoshta akoma më shumë në ato malore. Ky fokus në turizëm, që gabimisht shumë e quajnë një fasadë, është kuptimplotë, pasi turizmi është edhe fusha ku vendi ynë mund të marrë rezultate pozitive në terma afatshkurtër. Kultura dhe gjendja e saj në Shqipëri (kryesisht) në fushën muzikore.
Në fushën muzikore, rasti shqiptar është shumë zhgënjyes. Mungon tregu, ligjet, organizmat, kritikat, por akoma më keq, mungon krijimtaria cilësore. Shqipëria po përjeton një terr të llahtarshëm krahasuar me çdo vend të rajonit, lëre më në nivel ndërkombëtar. Në Shqipëri, grupet “live” numërohen me gishtat e njërës dorë, regjistrimet diskografike janë kryesisht video muzikore pa shije dhe përmbajtje. Nuk ekziston një gazetë apo revistë e vetme që të botojë kritika mbi albumet ndërkombëtare, pasi ato vendase mungojnë tërësisht. Mbizotëron muzika “commercial-folk” apo “pop-folk”-u amator. E thënë qartë, muzika më e rëndomtë që ka prodhuar perëndimi, importohet dhe përpunohet në një version “folk” apo anasjelltas, me një regjistrim diskografik ku nuk ekziston pothuajse asnjë instrument “live”, por vetëm ritme dhe imitime të instrumenteve në kompjuter.
Më e keqja është se ky model është i vetmi që dëgjohet në çdo lokal, radio, televizion publik apo privat. U bënë 24 vjet që rinia shqiptare Lollipop-izohet dhe tallava-zohet. Të njëjtët producentë diskografikë janë edhe drejtore festivalesh nëpër televizione apo në juritë e tyre. Me pak fjalë, e vetmja mundësi, që i ofrohet të rinjve që duan të krijojnë apo të jetojnë me muzikë, pasi kanë studiuar në lice, konservatorë apo akademi artesh pothuajse një dhjetëvjeçar, është “commercial-folk”, “turbo-folk” apo tallavaja. Kjo, me kushtin e domosdoshëm që regjistrimet t’i bëjnë tek ata producentë-drejtorë festivalesh sa më sipër.
Edhe kur ka disa tentativa më dinjitoze me ndonjë festival, organizimi i tyre i lihet rëndom ndonjë kompanie marketingu, që kryesisht merret me reklamimin dhe imazhin e birrës apo të ndonjë produkti tjetër, çka nuk do të ishte skandaloze në vetvete, sikur profesionalizmi i tyre të mbulonte fushën e muzikës. Kështu p.sh. rastisim rëndom festivale të muzikës tradicionale me DJ “comercial” apo grupe “rock”, festa partizane të çlirimit me këngëtarë pop apo DJ elektronikë. Mungon tema, lidhja logjike e përzgjedhjes së artistit me kontekstin etj.
Pikërisht për të shmangur produktet përfundimtare populiste dhe amatore në kulturë dhe në muzikë, pothuajse në çdo shtet të botës, qeveritë, ministritë apo dikasteret e kulturës në rang vendor, i kushtojnë një pjesë të të ardhurave publike formave “të larta” artistike, si muzika klasike, muzika “jazz”, muzika popullore apo tradicionale qytetare e përpunuar. Askund dhe pothuajse kurrë, këto fonde nuk përdoren për promovimin e muzikës komerciale apo asaj pop (në shqip muzika e lehtë). Pak vite më parë komuna e Napolit në Itali përdori fonde publike për koncertin e Elton John dhe Këshilli i Europës kundërshtoi dhe mori mbrapsht 720.000 euro të shpenzuara për honorarin e artistit. Më domethënës është rasti i Bullgarisë, ku grupi mediatik “Payner”, që kishte fituar një fond europian prej një milion eurosh, për të rinovuar pajisjet e regjistrimit, u detyrua të hiqte dorë nga fondi, pas kërcënimeve jo dhe aq diplomatike të Brukselit, që do t’i ngrinte fondet e ardhshme për vendin në fjalë.
Berisha Rita OraSkandali qëndronte në faktin se ky grup mediatik menaxhon muzikën “chalga”, pra pop-folkun bullgar. Fondet ishin të destinuara për rritjen e aftësisë konkurruese të ndërmarrjeve private dhe jo për kulturën, por fakti që ajo ndërmarrje nuk përcillte vlera, nuk e ndaloi Komisionin Europian të ushtronte trysni mbi qeverinë bullgare, e cila e detyroi grupin në fjalë të tërhiqej dhe të mos i përfitonte fondet e akredituara. Është njësoj sikur tek ne të përfitonte fonde publike apo europiane BBF-ja, Sinan Hoxha apo Çiljeta. Mirëpo, ja tek vijnë festat e nëntorit dhe shqiptarët gjejnë surprizën festive në shesh. Këtë vit do të kemi sërish Çiljetën, por në versionin anglez: Jessie J. Po i njëjti zhanër muzikor, po të njëjtat shpenzime absurde, po i njëjti skenar për të siguruar vazhdimësinë e Lollipop-izimit të rinisë (Shpenzimet për një koncert të tillë janë pothuajse të barasvlershme me fondet që Ministria e Kulturës shpërndau për promovimin e kulturës gjatë vitit 2014).
Nuk druhem aspak të prononcohem se përzgjedhja e artistes është jo vetëm skandaloze, por edhe kulturëzhbërëse. Është ngritja e kafenesë apo e klubit ne sistem. Në qoftë se vjen nga Ministria e Kulturës kemi të bëjmë me një amatorizëm të pafalshëm, por nëse përzgjedhja është e kryeministrit në detyrë, lind natyrshëm dyshimi mbi sensin e tij estetik, të paktën në fushën e muzikës. Shpresoj që përzgjedhja e artistes në fjalë, të jetë një lajthitje e këshilltarëve të këtyre institucioneve. Kjo nuk më ndalon t’i kërkoj kryeministrit tim të mbajë fjalën e dhënë disa muaj më parë: “Çiljeta nuk do të këndojë!”, qoftë kjo Çiljeta kombëtare apo Çiljeta angleze Jessie J.
Përmbyllje: Nuk mund të ketë një zhvillim turizmi pa një ofertë kulturore. Pata rastin të vizitoj sivjet dhe vjet jugun e Shqipërisë me miq të huaj, të cilët mbetën të mrekulluar nga natyra, pavarësisht përdhunimit brutal që ajo ka pësuar në planin arkitektonik dhe urbanistik, por ky është një subjekt mbi të cilin nuk do të zgjatem, sepse të gjithë e njohim mirë. Turistit në jugun tonë nuk i ofrohet asnjë zbavitje tjetër përpos lokaleve që ofrojnë të njëjtën “bum-bum music” të sipërpërmendur. Turisti që viziton Shqipërinë është guximtar, kureshtar dhe, mbi të gjitha, me kulturë. Nuk është adoleshenti që vjen për të gjetur ishullin Ibiza të Spanjës apo Santorinin e Greqisë, ku ofrohet ai lloj argëtimi. Ato lloj lokalesh janë vetëm në funksion të Tiranës së Lollipop-izuar, pra të një turizmi të brendshëm, që nuk sjell zhvillim e aq më pak valutë.
Para 15 vitesh, Pulia nuk ishte një drejtim turistik i nivelit të parë në Itali. Rajoni i Pulias investoi fort në ngjarje kulturore, duke i bërë artistët ndërkombëtare, disa prej të cilëve kam fatin t’i menaxhoj, të binin në dashuri me rajonin. Ata, unë dhe koleget e mi u bëmë zërat kryesorë të promovimit të atij territori, që në vitet 2000-2010 ka pasur një rritje prurjesh prej 75%, e cila renditet si më e larta në rang kombëtar në shtetin fqinj, rritje që vazhdon akoma me të njëjtat ritme në këtë pesëvjeçar. Turizmi kulturor renditet i pari në rëndësinë e prurjeve dhe lokomotiva e kësaj rritjeje janë pikërisht dhe kryesisht ngjarjet koncertore, me një ndërvarësi në shkallën 50%.
Një miku im i mirë, që është edhe drejtor artistik i një prej këtyre festivaleve, me një qëndrim autoironik të adhurueshëm, njëherë më tha: “Arritëm të ndërkombëtarizojmë tarantelën dhe me të të ngremë turizmin. Pesë këngë të shkruara me tri nota”.
Në fakt, grupet që luajnë “pizzica”/”taranta” bëjnë turne ndërkombëtare me rrugën e paguar nga Puglia Sounds, që është një organ i qeverisë lokale. Festivali “La Notte della Taranta” ka mbi 100.000 spektatorë çdo vit në gjysmën e dytë të gushtit, për të thithur turistë nëpër lokalitete turistike, në periudhën që këto kanë rënie prurjesh në numër. Ftohen artistë nga gjithë bota, që interpretojnë muzikën e tyre dhe atë vendase, po as që bëhet fjalë as për Jessie J dhe as për Elton John. Thirret ajka ndërkombëtare e “rock”-ut ose e “jazz”-it. Një vend me sipërfaqe sa Pulia, por me një trashëgimi kulturore në muzikë aq të larmishme dhe të thellë siç është Shqipëria, po të fokusohej në promovimin e saj, jo vetëm do të ringjallte muzikën dhe gjithçka rrotull saj me shërbimet, por do ta bënte muzikën nxitësin kryesor të turizmit.
Në vitin 2011, sektori kulturor në Francë gjeneroi 75 miliardë euro dhe 1.200.000 vende pune. 10 miliardë më shumë se sektori i industrisë së rëndë automobilistike. Rajoni Ruhr në Gjermani konvertoi minierat dhe fabrikat në qendra kulturore dhe sot është një nga vendet më të vizituara në Europë, duke e bërë Gjermaninë të tërheqë më shumë turistë se Franca apo Spanja. Me kulturë, jo me Jessie J; me vlera dhe jo me antivlera; me përmbajtje dhe jo me zbrazëti.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Çërçillit i propozuan të ulte fondet e përcaktuara për kulturën, u përgjigj: “Në qoftë se pres fondet për kulturën, atëherë për çfarë po luftojmë?!” Ashtu siç thoshte edhe: “Jam gjithmonë i gatshëm të mësoj, paçka se jo gjithmonë parapëlqej të më mësojnë”. Shpresoj që perzgjedhësi i artistit në fjalë, qoftë ai edhe kryeministri i ri, të ketë të njëjtën modesti intelektuale.

***Autori është drejtues i një agjensie muzikore të suksesshme në Europë në zhanrin world-music, drejtor artistik i disa festivaleve dhe referues i shpeshtë në disa universitete italiane ku ka mbajtur leksione mbi menaxhimin e artit, ndërsjelljen dhe rëndësinë e kulturës në zhvillimin e territorit dhe impaktin e saj si faktor i rëndësishem ekonomik.
"Postbllok.com"

Comments

Submitted by Albi_I (not verified) on

<p>Me te thene te drejten besoj shume fort se nje nga gjerat qe shteti duhet te preke sa me pak eshte organizimi i festivaleve te tilla, eshte ftese e hapur per korrupsion dhe mbeshtetje te personave prane pushtetareve. Deshtimi i kultures shqiptare eshte faj i artisteve shqiptar e jo se shteti nuk u jep leke shtese, qe ne fakt do perfundonin ne xhepat e pushtetareve sic perfundojne psh ne rastin e Ministrit Veliaj - &nbsp;nje nga me te korruptuarit e kesaj qeverie.&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.