Konferenca e Bujanit dhe kthimi i Kosovës nën Serbi
Viti 1945, në tërësi është koha kur u hodhën themelet e rikthimit të Kosovës në Jugosllavi, rikthim që u krye në rrethanat e turbullta politike, sociale, ekonomike dhe ushtarake të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Ky rikthim u mundësua para së gjithash nga fakti që forca kryesore fitimtare politike në Shqipëri, FNÇSH, drejtuar nga Enver Hoxha dhe PKSH, veproi në të njëjtën linjë politike dhe ushtarake me UNÇJ të drejtuar nga Tito. Kjo forcë fitimtare ushtarake e politike në territorin e Jugosllavisë së Parë kishte si objektiv kryesor politik rikompozimin e dytë të Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore e, për rrjedhojë, e konceptonte Kosovën, Maqedoninë Veriperëndimore dhe Malësinë e Madhe Shqiptare pjesë të shtetit të ri jugosllav, tashmë federativ. Në vitin 1941, Jugosllavia, pas pushtimit nga Gjermania naziste, u copëtua dhe Kosova u inkorporua në Shqipërinë e pushtuar nga Italia. Termi Kosovë asokohe është aplikuar në tri mënyra: a) Me Kosovë kuptohej i gjithë territori i aneksuar nga dezintegrimi i Jugosllavisë në Shqipëri dhe pak më shumë se kjo, jashtë kësaj pjese të aneksuar, në pjesën veriore dhe lindore që aspirohej nga nacionalizmi shqiptar; b) Sipas mënyrës së dytë, e gjithë kjo pjesë e territoreve të aneksuara në veri të Malit të Sharrit (Sar Planina) dhe në jug të Mokra Planina (d.m.th. të gjitha territoret e aneksuara Shqipërisë, me përjashtim të disa (1) fragmenteve në veriperëndim, të marra nga Mali i Zi dhe (2) në disa hapësira në veriperëndim të Maqedonisë, në pjesën jugore të territorit të aneksuar); c) Sipas mënyrës së tretë, kemi Fushë-Kosovën, që është gjysma lindore e Kosovës në kuptimin e dytë (gjysma perëndimore është Fusha e Metohisë ose, siç thirret ndryshe nga shqiptarët, Rrafshi i Dukagjinit). Hapësira e referuar si KOS-MET është e barabartë me Kosovën në kuptimin e tretë plus Rrafshin e Dukagjinit dhe që korrespondon tërësisht me Kosovën në kuptimin e dytë. Me riintegrimin në Shqipëri, irredentizmi shqiptar në Kosovë u nxit të përgatitej për bashkimin e këtij territori me Shqipërinë. Një bashkim i tillë u krye më anën e traktatit të datës 15 qershor 1941 me Bullgarinë. Italianët krijuan "Gardën Shqiptare të Kosovës" nën komandën e Prenk Previzit, me rekrutë kosovarë, dhe "Komitetin e Mbrojtjes së Garda Shqiptare e Kosovës ka qenë përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve të rinj dhe ushtrimin e veprimtarisë policore brenda kësaj hapësire të re, të përfshirë në Shqipërinë nën pushtimin italian. Pas kapitullimit të Italisë, në Kosovë u krijua "Lidhja e Dytë e Prizrenit", më 18 shtator 1943. Kjo organizatë krijoi edhe një Asamble Kushtetuese, pozicioni gjysmautonom i së cilës u ratifikua nga Këshilli i Regjentëve të Shqipërisë, më 14 mars 1944. Qëllimi kryesor i kësaj organizate ishte mbrojtja e "territoreve të çlirueme", ashtu sikurse edhe e territoreve të tjera që i përkisnin më parë ish-Mbretërisë së Jugosllavisë. Për këtë qëllim, kjo organizatë do të mblidhte të gjitha dokumentet, të cilat provonin se këto territore ishin të përkatësisë shqiptare dhe do të organizonin popullsinë, fizikisht dhe moralisht, për mbrojtjen e kësaj teze. Autoriteti territorial i kësaj organizate do të shtrihej mbi të gjithë territoret, që më parë bënin pjesë në ish-Mbretërinë e Jugosllavisë së dezintegruar nga gjermanët pas pushtimit më 1941. Të gjitha rajonet malore brenda linjës së kufirit të vitit 1913, të cilat ishin përdorur më parë për mbrojtjen e qyteteve të Gjakovës, Prizrenit dhe Dibrës së Madhe, duke qenë se ekonomikisht, politikisht dhe gjeografikisht, të lidhura ngushtësisht me të njëjtët, mund të merrnin pjesë në Lidhjen e Dytë të Prizrenit. Nga pikëpamja e ndërtimit institucional, kjo organizatë përbëhej nga: a) Këshilli i Lidhjes me qendër në Prizren, i përbërë nga delegatë nga secila qendër administrative (prefekturat/ nënprefekturat); b) Komiteti Qendror me seli në Prizren, i përbërë nga 14 anëtarë. Ishte parashikuar që presidenti i Lidhjes të aprovohej prej Këshillit të Regjencës mbi bazën e propozimit të Kryeministrit të Shqipërisë. Në marrëveshje me Komandën e Lartë të Mbrojtjes Kombëtare, kjo organizatë angazhonte zyrtarë dhe oficerë si instruktorë, të cilët vendoseshin sipas rangut të tyre, në dispozicion të komiteteve të ndryshme. Detyra e Lidhjes së Dytë të Prizrenit: a) Të organizonte propagandë intensive me qëllim përgatitjen morale, materiale dhe fizike të popullit për mbrojtjen e tokave të veta; b) Të bëhej gati për luftë diplomatike në Konferencën e Paqes, nëpërmjet mbledhjes së të gjithë dokumentacionit që provonte se këto territore kanë qenë dhe janë shqiptare; c) Të organizonte aparatin e vet administrativ, sipas Kushtetutës, në të gjitha ato territore ku autoriteti i tyre shtrihet; d) Të organizojë stërvitjen e atyre që janë në moshën para ushtarake në përputhje me ligjin ekzistues; e) Të organizonte stërvitjen e të gjithë burrave deri në 60 vjeç. Organizata kishte edhe organizmën e vet ekonomike dhe mbajtjen financiare të saj. Të gjitha marrëdhëniet në mes kësaj organizate dhe qeverisë kryheshin përmes Zyrës së Kryeministrit. Organizata kishte vulën me fjalët Lidhja e Dytë e Prizrenit (LIDHJA II e PRIZRENIT) dhe emrin e zyrës. Kur në verën e vitit 1944 pozitat e gjermanëve në Ballkan u përkeqësuan, dr. Xhafer Deva u bë kryetar i "Lidhjes së Dytë të Prizrenit" dhe komisioner i Lartë i Krahinës së Kosovës. Përballë kësaj opozite të fuqishme, lëvizja partizane në Kosovë asnjëherë nuk arriti përmasa të konsiderueshme.Kosovës" nën presidencën kolektive me rotacion të Ferhat Dragës, Bedri Pejanit dhe Iliaz Agushit. Ferhat Draga dhe Bedri Pejani kanë qenë në periudhën pararendëse deputetë të parlamentit jugosllav.
Për arsye se vendet gjermane kishin qenë ndër kohë mbështetëse të krijimit të Shqipërisë natyrale dhe për faktin që nën Gjermaninë naziste një aspiratë e tillë u bë realitet, duhet të thuhet se në Kosovë mbështetja për partizanët me frymëzim sllavo-komunist ka qenë pothuajse inekzistente. Këtu shumica e popullsisë shqiptare preferonte të ruante kufirin e kohës së luftës, i cili i kishte përfshirë ata nën shtetin amë shqiptar. Vetë KOSMET, organizata nacionalçlirimtare e Kosovës, nuk ka pasur ndonjë mbështetje në popullsinë shqiptare të Kosovës, sa t'i mundësonte kësaj organizate partizane shqiptaro-jugosllave të ndërmerrte aksione brenda territorit të krahinës së lartpërmendur. Kështu, kjo organizatë më shumë ka vepruar jashtë territorit të Kosovës (në Tetovë, krahinën e Preshevës dhe në Shqipërinë Verilindore). Arsyeja kryesore pse KOSMET ka qenë jo popullore në Kosovë është lidhur me bashkëpunimin e ngushtë të kësaj organizate me Marshallin Tito. Për më tepër, KOSMET, si organizatë, ishte njohur prej anës së Enver Hoxhës, që të vendosej nën urdhrat e Titos, me zonën e Kosovës si sferë të saj të ndikimit.
KOSMET përbëhej në anëtarësi gjysma prej serbësh dhe gjysma prej shqiptarësh, mes të cilëve shquheshin Mehmet Hoxha dhe Fadil Hoxha. KOSMET ka qenë detyruar të përkufizohej në aktivitetin e vet brenda sferës politike, më synim kryesor uljen e ndjenjave antiserbe në mes kosovarëve. Në janar të vitit 1944 në Bujan, fare pranë kryeqendrës Kolgecaj të Malësisë së Gjakovës, u mbajt një Kongres i KOSMET-it, në të cilin morën pjesë 52 delegatë, përfshirë edhe delegatë të nacionalitetit serb dhe malazez dhe dy ish-deputetë të Parlamentit jugosllav. Në konferencën e muajit janar 1944, që u drejtua nga Mehmet Hoxha, u zgjodh një këshill i përbërë si më poshtë vijon: President - Mehmet Hoxha, Nënpresidentë Rifat Berisha dhe Padel Yovichevich (malazez), anëtarë: Ali Shukriu, Milan Zeqhar (serb), Daud Ardyshi, Fadil Hoxha, Xhevdet Doda, Zeqir Jarexha. Ata vendosën që të luftonin në anën e Aleatëve të Koalicionit Antifashist, mbi bazën e Kartës së Atlantikut dhe për të dërguar përfaqësuesin e tyre në LNÇ dhe te mareshali Tito. KOSMET supozohej se ishte një organizatë që përfaqësonte interesat jugosllave dhe shqiptare. Zona e saj e shtrirjes së aktivitetit përfshinte rajonet e Kosovës, Metohisë, Pukës, Nikaj, Mertur, Krasniqë.
Deri në verën e vitit 1944, KOSMET nuk mori pjesë në ndonjë aktivitet me karakter ushtarak, ndërsa në gushtin e vitit 1944 KOSMET, në hapësirën në mes Pejës dhe Gjakovës, u bashkua me Brigadën e Parë Kosovare nga Maqedonia. Megjithatë, forcat partizane në Kosovë mbetën të dobëta dhe nuk arritën të ofronin ndonjë rezistencë për t'u shënuar.
Lëvizja më e rëndësishme e rezistencës ka qenë ajo e ndërtuar nga Gani Kryeziu, një pronar i madh tokash nga zona e Gjakovës. Marrëdhëniet në mes KOSMET dhe Gani Kryeziut kanë qenë korrekte dhe operacionet rastësore ushtarake janë kryer së bashku, por për shkak të refuzimit të tij për t'u bashkuar me KOSMET, ai u kërcënua nga forcat partizane të kësaj organizate dhe më vonë, në fund të vitit 1944, jeta e tij do të rrezikohej tmerrësisht nga bashkëpunimi i UNÇSH dhe UNÇJ…
RIKTHIMI I KOSOVËS NËN SERBI
Mareshali Tito më 4 dhjetor 1943 shpalli një komunikatë, sipas së cilës "e ardhmja e Kosovës do të vendosej prej një referendumi dhe kufiri mes Shqipërisë së pas luftës me Jugosllavinë, në qoftë se do të ishte e nevojshme, do të rregullohej në të mirë të Shqipërisë". Kjo ka qenë formula që ka qenë e pranuar prej FNÇSH, e cila nga ana e saj theksoi se KOSMET dhe KOSOVA janë sfera të ndikimit të Titos. Forcat gjermane u tërhoqën nga Kosova duke filluar nga 19 nëntori 1944, në rrugën e vet të tërheqjes drejt Veriut, duke e lënë krahinën në një gjendje konfuzioni dhe pasigurie të përgjithshme për të ardhmen. Më 19 nëntor 1944, partizanët e brigadës 18 të UNÇSH u vunë në zotërim të Kukësit, ndërsa partizanët e brigadave 3 dhe 5 të së njëjtës ushtri çliruan Pejën dhe Prizrenin në Kosovë. Kur gjermanët filluan të tërhiqeshin edhe nga Shqipëria dhe pushteti i FNÇ në Shqipëri nisi të zgjerohej, kundërshtarët e lëvizjes së FNÇSH u detyruan të tërhiqeshin në malet ngjitur me kufirin me Jugosllavinë dhe shumë prej tyre kaluan në territorin e Kosovës dhe Maqedonisë Veriperëndimore. UNÇSH lëvizi pas tyre në drejtim të kufirit jugosllav. Nga ana jugosllave, tërheqja e gjermanëve i dha UNÇJ mundësinë e parë për të depërtuar në Kosovë. Në këtë moment, qëndrimi i zymtë i kahershëm i partizanëve jugosllavë për sa i përket mundësisë së pajtimit me kosovarët pësoi një ndryshim të papritur, për shkak se pikërisht në këtë kohë nga njësitë nacionaliste qeveritare kosovare pati një dezertim masiv. U krijuan dy brigada të reja partizane kosovare nga fundi i tetorit 1944. Mbi praninë e Divizioneve V dhe VI të UNÇSH në të gjithë harkun kohor të muajve të parë të vitit 1945 në Kosovë dhe operacionet ndjekëse, rrethuese dhe asgjësuese, pra në muajt kur është konsumuar procesi i zhveshjes së Kosovës dhe Maqedonisë Veriperëndimore nga djelmnia shqiptare, na dëshmojnë një seri dokumentesh të Arkivit Qendror të Shtetit të RSH. Operacionet e spastrimit nuk kanë përfshirë vetëm forcat aktive kundërshtare dhe popullsinë civile mashkullore kosovare, por edhe partizanët kosovarë, gjë që dëshmohet në një numër dokumentesh të raportuar nga Vuçiterna, nga komandanti i brigadës së VIII të UNÇSH major Feti Smokthina dhe Komisari Politik Major Rasim Bazo.
RADIOGRAMET SEKRETE
Repartet e UNÇSH janë vendosur nën komandën e drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Jugosllave dhe janë urdhëruar të formojnë një shtab të përbashkët për dy divizionet, atë V dhe VI. Urdhri, tepër konspirativ për këtë, është dërguar nga gjeneral- leitënant Velimir Treziç, Zv. Naçelnik i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Jugosllave dhe mban datën 17.03.1945. Urdhri i datës 01.04.1945, firmosur nga komandanti i Shtabit Operativ për divizionet V dhe VI, nënkolonel Gjin Marku dhe komisari politik, nënkolonel Ramis Alia. Në këtë dokument shkruhet: "Brigadat e Divizioneve t'onë vazhdojnë të jenë të vendosura në vendet e më parëshme të Kosmetit. Brigadat janë duke bame ndjekje e rrethime bandave gjithnji me sukses. Elementat e aratisur e sidomos ata që kan ma pak faje po dorëzohen". Shumë i rëndësishëm për të kuptuar sa kanë pasur dijeni dhe sa kanë qenë të përfshira repartet e UNÇSH në procesin e dorëzimit të partizanëve kosovarë dhe atë të mobilizimit të sforcuar në terren, e tregon një radiogram shifër, dërguar nga Enver Hoxha, nga Tirana, më 30 maj 1945, Divizionit V UNÇSH. Në atë radiogram kërkohet: "Na lajmëroni sa bëhet numri i t'arratisurve që janë dorëzuar në Divizion tuaj dhe sa bëhet numri i Kosovarëve që keni mobilizuar në terren". Përgjigjet në lidhje me kërkesën e mësipërme kanë ardhur për llogari të Shtabit të Divizionit V nga komisari politik Gafur Çuçi, i cili shpjegon qartësisht operacionet e këtij divizioni nga datat 21 maj 1945 deri më 1 qershor 1945. Në bazë të këtyre të dhënave të raportuara nga i sipërpërmenduri, kuptohet se misioni i Divizionit V të UNÇSH ka qenë grumbullimi i kosovarëve që dezertonin masivisht nga repartet partizane të KOS-MET, ndalimi që ata të kalonin përmes Maqedonisë në Greqi, mobilizimi i kosovarëve të tjerë dhe dorëzimi i tyre në Divizionin 52 të UNÇJ. Në këtë dokumentacion të raportuar nga i sipërpërmenduri, numri i kosovarëve të dorëzuar nga Divizioni V i UNÇSH deri më datë 1 qershor 1945 është 1389. Në datën 5 qershor 1945, Enver Hoxha nga Tirana urdhëron Divizionin V të UNÇSH që "të arratisurit e dorëzuar në divizionin tuaj dërgojani Divizionit 52" të UNÇJ. Pra, bëhet fjalë për një bashkëpunim dhe ndërveprim të hapur të UNÇSH dhe UNÇJ në procesin e zhveshjes së Kosovës nga çdo lloj rezistence kundër riintegrimit në Serbinë e federuar në Jugosllavi dhe sidomos në të ashtuquajturin "mobilizim" të kosovarëve, që na rezulton të jetë një internim i sforcuar, i mundimshëm dhe në fund edhe i përgjakshëm. Ndër veprimet më të pafame të UNÇSH në Kosovë është arrestimi i Gani Kryeziut dhe dorëzimi i tij autoriteteve të UNÇJ. Në National Archives, në file-s të Jugosllavisë gjendet një dosje e tërë për këtë çështje, e cila, krahas të tjerave, na rikthen në atmosferën e rënduar të ripushtimit të dytë të Kosovës nga Serbia. Arrestimi i Gani Kryeziut përbënte një dëshmi se regjimi i ri që po instalohej në Kosovë, kishte frikë të lejonte çdo lider kosovar rreth të cilit mund të përqendrohej ndonjë opozitë ndaj diktaturës së re serbe që po vendosej. Gani Kryeziu u mbajt nën arrest në veri të Shqipërisë, përndryshe vëllai i tij Saidi dhe majori Simcox u dërgua në Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH, ku më pas u liruan me një "falje të madhe" pas protestave të fuqishme të autoriteteve aleate në Itali. Sipas Hodgson, synimi i UNÇSH ishte qartësisht heqja e pengesës politike në rrugën e synuar nga FNÇSH për të siguruar kontrollin në Shqipërinë e Veriut. UNÇSH ia dorëzoi Gani Kryeziun UNÇJ dhe për një kohë fati i tij nuk është ditur, por më vonë u mor vesh se ai ishte burgosur në Jugosllavi. Gjyqi ndaj Gani Kryeziut u zhvillua në Prizren dhe në fillim të muajit nëntor 1945 ai u dënua me 5 vjet punë të detyruar dhe humbje të të drejtave civile për 5 vite. Koloneli britanik Boxshall madje bën një shpjegim edhe më të detajuar të arsyeve që e kishin nxitur Titon për të privuar Gani Beg Kryeziun nga liria dhe e lidh këtë veprim me faktet e mëposhtme: "…Tito pati deklaruar se ai do të vepronte në përputhje me të drejtën e mbajtjes së një referendumi në Krahinën e Kosovës, nëse kjo krahinë do të mbetej në Shqipëri apo do t'i kthehej Jugosllavisë. Kur gjermanët u mundën, Tito e ndryshoi në të kundërt këtë vendim dhe, me sa duket, informoi Enver Hoxhën se Kosova duhej domosdoshmërisht të mbetej jugosllave, ashtu sikurse ajo ishte para luftës. Hoxha, për sa dimë ne, asnjëherë nuk e pati kurajën t'ia thoshte këtë lajm popullit shqiptar. Mund të kuptohet krejt mirë se në qoftë se Ganiu do të ngrihej në luftë me parullën "Kosova për Shqiptarët", rreth tij do të bashkohej pjesa më e madhe e bashkatdhetarëve pas tij e, për rrjedhojë, kjo do të krijonte përçarje në mes jugosllavëve dhe shqiptarëve".
ANEKSIMI I KOSOVËS
Vendimi për aneksimin e Kosovës në Federatën Jugosllave ka ndodhur pas spastrimit kryesor etnik dhe gjenocidit të Tivarit, i konsumuar kryesisht gjatë muajve mars dhe prill 1945. Më datë 28 prill 1945, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jugosllavisë, të zhvilluar nën drejtimin e Titos, u arrit vendimi i njohjes dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Ka një koincidencë, që nuk mendoj se është e rastësishme në mes pranimit të Jugosllavisë për të njohur qeverinë e FNÇSH dhe të ardhmes së Kosovës. Më 12 prill 1945, "Neës Digest" njoftonte se e ardhmja e Kosovës është vendosur duke rritur ndikimin e Serbisë federale. Kjo agjenci citonte për këtë Radio Beogradin, shërbimin vendës, i cili në datën 10 prill 1945, në emisionin e orës 13:30, informonte: "Sipas njoftimit pas sesionit të parë të jashtëzakonshëm të ASNOS, ka ndodhur përzierja e Vojvodinës, Sanxhakut, Kosovës dhe Metohisë me Serbinë. Pas këtij vendimi, populli serb e ka mirëpritur me gëzim vendimin e Sanxhakut dhe deklaratat autorizuese të bëra nga delegatët e Vojvodinës dhe Kosovës e Metohisë, rreth bashkimit në konfederatë me Serbinë"… Më 7 prill 1945, mareshali Tito, ndërkohë që në krahinë ishte në vijim e sipër spastrimi mashkullor, u dërgoi një mesazh shqiptarëve të Kosovës dhe Metohisë, duke u premtuar atyre se në Jugosllavinë e re ata do të gëzonin të gjitha të drejtat si qytetarë të lirë, ndërkohë që në të njëjtën kohë nuk ngurroi t'i paralajmëronte ata "t'u rezistonin të gjithë atyre armiqve që ishin duke u përpjekur të krijonin mosmarrëveshje në mes tyre dhe në mes popujve jugosllavë dhe shqiptarë". Megjithëse lajmi që Kosova u bë definitivisht pjesë e Federatës Jugosllave filloi të përhapej gjerësisht në Shqipëri, FNÇSH vazhdonte ta mbante në heshtje këtë lajm dhe këtë lëshim që u kishte bërë komunistëve jugosllavë. Hodgson shprehet me këtë rast se "fakti që FNÇ ka rënë dakord të humbasë këtë hapësirë vitale me popullsi mbizotëruese shqiptare, konfirmon sa i shitur plotësisht është FNÇSH te Jugosllavia dhe se kjo gjë ka tjetërsuar edhe më shumë të gjithë elementët nacionalistë, veçanërisht në veri të vendit". Për të larguar vëmendjen nga kritikat e brendshme kundër kësaj tradhtie në lidhje me Kosovën, komunistët shqiptarë u orientuan drejt zhvendosjes së vëmendjes nga Kosova drejt kufirit të jugut dhe filluan të nxisin ndjenjat antigreke, duke zbuluar mizoritë e kryera ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga bandat zerviste. Njëlloj bëjnë justifikuesit e sotëm të këtij veprimi antikombëtar.
"Panorama"
Comments
Respublica duhet te beje
<p>Respublica duhet te beje kujdes me botimin e opinioneve te tilla. shume shpejt mund te dalin njerez dhe te thone se Stalini, Ruzvelti dhe Curcilli ia kaluan Kosoven Jugosllavise duke luftuar Hitlerin qe me shume mund kishte bashkuar tokat shqiptare.</p><p>Mos botoni cdo gje vetem sepse eshte ndryshe nga ato qe kemi mesuar ne shkolle, ose nese i botoni botojini nga te gjitha kendveshtrimet.</p>
Opinionet qe botohen ketu,
Opinionet qe botohen ketu, dhe qe sic mund te shihet qarte, huazohen kryesisht nga shtypi i dites, nuk kane si kriter dakordesine tone me to. Ne rastin konkret, autori eshte pedagog universiteti, i specializuar ne fushen perkatese dhe ka nje prezence publike konstante. Lidhur me ceshtjen e botimit te nje shumesie kendveshtrimesh, vetem sot, pervec z. Gurakuqi, kemi publikuar te rubrika "Shtypi sot", nje shkrim te Arben Putos. Deri dje, ne rubriken "Top-News" ishte shkrimi i Ksenofon Krisafit per njohjen e regjimit pas Luftes. Keshtu qe nuk besoj se kemi qene te njeanshem ne perzgjedhje, aq sa te konsiderohemi "revizioniste". :)
Greqia edhe sot ne vitin
<p>Greqia edhe sot ne vitin 2014-te nuk e pranon luften e Partizaneve Shqiptare kunder Nazi-Fashizmit.Greqia deklaron se Shqiptaret,ne vend se te luftonin kunder Nazi-Fashisteve,bashkuan armet me ta,per realizimin e "Shqiperise se Madhe" ne dem te Greqise fqinje dhe Jugosllavise.Prandaj ende sot e mban ligjin e luftes me Shqiperine.Ai ligj ka hyre ne fuqi gjate kohes qe Italia Fashiste i shpalli lufte Greqise.Greket pretendojne se Shqiptaret Balliso-Zogiste ju bashkuan Italianeve per te pushtuar Greqine.</p>
Po ti nuk the keshtu ne
<p>Po ti nuk the keshtu ne emisionin "Shqip" te Rudina Xhunges, o hipokrit i qelbur, o antishqiptar i terbuar!</p>
Rrofte Komunizmi Nderkombetar
<p>Rrofte Komunizmi Nderkombetar me Internacionalizmin Proletar ne krye. Lavdi Partizaneve te Titos qe cliruan te gjithe Ballkanin nga bisha naziste me ndihmen e fuqishme te partizaneve te Enver Hoxhes. Morracake te te gjitha vendeve Ballkanike bashkohuni munder Imperializmit Amerikan dhe Merkelizmit gjerman. VFLP!</p>
''revizioniste'' nuk jeni,po
<p>''revizioniste'' nuk jeni,po njecik antishqiptar jeni ama! u behet zemra mal sapo gjeni ndonje shkrim qe flet kundra shqiptareve. qendrimi juaj ndaj ceshtjes shqiptare,ne vazhdimesi ka qene pothuajse njelloj si ai grek apo serb. ju thoni qe ky ''kataliku'' na qenka profesor i naim cilit!!!! edhe???? sidoqofte kjo eshte faqja juaj dhe beni si te doni! por mos u ankoni nese u kane mbetur vecse 2-3 grekofile lexues!</p>
Si qenka qendrimi njelloj si
<p>Si qenka qendrimi njelloj si ai grek dhe serb kur artikulli flet per masakret e serbeve ndaj shqiptareve ne fundit e luftes se dyte boterore?!!!!</p>
Add new comment