Koha e korrupsionit strategjik në marrëdhëniet ndërkombëtare*

Postuar në 09 Korrik, 2020 15:01
Philip Zelikow, Eric Edelman, Kristofer Harrison dhe Celeste Ward Gventer

Rryshfeti nuk është diçka e re: mundet të jetë madje profesioni i dytë më i vjetër në botë. Njerëzit me pushtet dhe ata që kanë akses te ta, kanë përdorur përherë rryshfetin, skemat “më jep të të jap”, praktika të tjera korruptive të fitimit nga hiçi dhe për të përfituar favore të pamerituara. Ky lloj korrupsioni ka qenë përherë rrezik për sundimin e ligjit dhe pengesë për mbrojtjen e të drejtave bazike civile dhe ekonomike.

Ajo çfarë është e re sot, është shndërrimi i korrupsionit në një instrument të strategjisë kombëtare. Në vitet e fundit, një numër vendesh – Kina dhe Rusia në veçanti – ka gjetur rrugë për ta transformuar atë që ishte një tipar i dukshëm i sistemit të tyre politik në një armë për përdorim në skenën globale. Shtetet e kanë bërë një gjë të tillë edhe më parë, por asnjëherë në atë shkallë që e shohim sot.

Rezutati është një zhvendosje domethënëse, ndonëse e padukshme në politikat ndërkombëtare.  Rivalitetet mes shteteve zakonisht kanë qenë rreth ideologjive, sferave të ndikimit dhe interesave kombëtare; pagesat nën dorë të një lloji apo një tjetri ishin thjesht një taktikë mes shumë të tjerave. Këto pagesa nën dorë megjithatë janë bërë mjete bazë të strategjisë kombëtare, të përdorura për të arritur rezultatte të caktuara politike dhe kushtëzimin e mjedisit politik në vendet e shënjestruara. Korrupsioni si armë bazohet mbi një formë specifike asimetrie. Ndonëse çdo qeevri mund të punësojë agjentë të fshehtë apo të korruptoj zyrtarë të vendeve të tjera, hapja relative e vendeve demokratike i bën ato veçanërisht të ekspozuara ndaj këtij lloji ndikimi malinj – dhe armiqtë e tyre jodemokratikë kanë kuptuar sesi ta shfrytëzojnë këtë dobësi.

Për luftën kundër korrupsionit është folur përgjithësisht pak në diskutimin publik dhe akademik të politikës së jashtme. Ky problem zakonisht është trajtuar si një sfidë e zbatimit të ligjit apo një çështje e qeverisjes së mirë – diçka që mbron zhvillimin politik aop ekonomik por që nuk ngrihet deri në nivelin e strategjisë kombëtare. Sot megjithatë, korrupsioni si armë është bërë një formë e rëndësishme e luftës politike. Mbrojtja ndaj tij duhet të zhvendoset në axhendën kryesorë të politikës ndërkombëare në çdo qeveri që është e ekspozuar, përfshirë atë të SHBA.

Shpërthimi i korrupsionit

Korrupsioni strategjik ndryshon në mënyra të rëndësishme nga format më tradicionale që studiuesit i quajnë "korrupsion burokratik" dhe "korrupsion i madh". Korrupsioni burokratik është shndërrimi i shërbimit publik të zakonshëm në një "ofertë për shërbim": për shembull, në shumë vende, hapa të thjeshtë siç është marrja e licencës së shoferit ose kalimi i një inspektimi ndërtimi kërkojnë pagimin e ryshfetit. Ky është lloji i ryshfetit që pengon zhvillimin ekonomik duke bërë të mundur që personat e lidhur mirë në rrjetin e tij të përfitojnë nga investimet në kurriz të rritjes së mirëfilltë.

Korrupsioni i madh ndodh kur drejtuesit e biznesit ose kriminelët e mëdhenj (ose oligarkët, të cilët janë një kombinim i të dyjave) paguajnë direkt zyrtarët e lartë të qeverisë në këmbim të favorizimeve, të tilla si një pozicion preferencial ose kontrolli i një sektori ekonomik me rëndësi që paraqet mundësi për marzh të lartë fitimi - shpesh bankare, telekomunikuese, ose burime natyrore si nafta dhe gazi. Të dy format e korrupsionit tradicional gërryejnë shtetet e dobëta, duke çuar në shkatërrim dhe konflikt civil - një proces që po ndodh tani në vende si Algjeria, Bolivia, Irani, Iraku, Libani dhe Venezuela.

Në korrupsionin burokratik dhe me përmasa të mëdha, ai që korrupton dhe i korruptuari janë në përpjekje për t’u pasuruar. Përkundrazi, në rastet e korrupsionit strategjik, lakmia është akoma atje, për të paktën disa prej lojtarëve, por induksionet korruptive zbatohen kundër një vendi të vënë në shënjetër nga të huajt si pjesë e strategjisë kombëtare të vendit të tyre. Ndonjëherë, por jo gjithmonë, këto skema sjellin shkelje të ligjit, përfshirë nga qytetarët e vendit në fjalë. Në raste të tjera, sjellja mund të jetë teknikisht e ligjshme, por gjithsesi përfshin "prishje ose shkatërrim të integritetit në kryerjen e detyrave publike", siç e përkufizon korrupsionin fjalori i Oksfordit. Për këtë arsye, disa vepra korruptive dënohen me ligj; lloje të tjera duhet t’i lihen gjykimit të qytetarëve, nëse dalin në sipërfaqe.

Përpjekja e parë e madhe për të luftuar korrupsionin strategjik në Shtetet e Bashkuara pati qëllim pikërisht këtë. Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA), i kthyer në 1938, u nxit nga hetimet e Kongresit për propagandën komuniste dhe naziste në Shtetet e Bashkuara. Ligji kërkonte që përfaqësuesit e sponsorizuesve të huaj të regjistroheshin, duke lejuar atë që autorët e ligjit e quajtën "vëmendja e publicitetit të pamëshirshëm" të bëjë punën e saj.

Në vitet 1960, të tjera hetime të Kongresit çuan në një seri ndryshimesh të mëdha në ligjin FARA, të cilat e përqendruan legjislacionin më shumë në sponsorizimin e huaj të lobimit politik dhe jo në propagandë. Për dekadat e ardhshme, rritja e ndikimit të huaj mbeti një fenomen relativisht margjinal, i karakterizuar nga përpjekjet e një grushti diktatorësh dhe miqve të tyre për të blerë ndikim në Uashington dhe kryeqytetet e tjera perëndimore.

Gjërat filluan të ndryshojnë në vitet 1990. Papritur, kishte shumë më tepër blerës. Rënia e komunizmit solli më shumë se 20 qeveri të reja në treg. Të gjithë ata, dhe shumë më tepër, ishin të etur për të bërë miq dhe për të ndikuar njerëzit në Uashington, kryeqyteti i vetëm që ka mbetur superfuqi. Atje, ata gjetën shumë konsulentë dhe avokatë të gatshëm për të ofruar këshilla me çmime të larta. Një linjë e re e biznesi, veçanërisht fitimprurëse, po ndihmonte në kanalizmin e investimeve amerikane ose globale për vendet e sapohapura për biznes. Dhe ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët u mbështetën më shumë në sanksionet ekonomike si mjet politikash, të huajt kishin nevojë për më shumë ndihmë për të manovruar brenda makinerisë rregullatore.

Ndërkohë, për shkak të çrregullimit të sistemit financiar global gjatë viteve 1970 dhe 1980, ishte shumë më e lehtë lëvizja për të investuar para në të gjitha drejtimet dhe për t’i marrë mbrapsht sërish. Vende të hapura dhe të pasura si Kanadaja,Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara po bëheshin strehëzat e preferuara për miliarda dollarë që pastrohen çdo vit përmes kompanive anonimizuese, investimeve në pasuritë e patundshme dhe skemave të tjera. Qysh në vitin 2001, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) i identifikoi këto kompani si një mjet kryesor për të fshehur transaksionet e paligjshme në të gjithë botën. Shtetet e Bashkuara, duke mos pasur legjislacion kombëtar që kërkon transparencë në lidhje me "pronarin fundor përfitues" të subjekteve të korporatave, gradualisht u bë një strehë financiare për pastruesit e parave, financierët terroristë, kleptokratët dhe kontrabandistët. Për këtë arsye, rritja e habitshme e rrjeteve kriminale transnacionale gjatë epokës pas Luftës së Ftohtë ka ndihmuar jo vetëm korrupsionin tradicional, por edhe llojin strategjik; në fund të fundit, siç thotë edhe gazetari Oliver Bullough, "paratë e pista gjithmonë përzihen me para të nxjerra në mënyrë të prapë".

Shuma e të gjitha këtyre ndryshimeve ka qenë një rritje eksponenciale në shkallën e tregtisë amerikane që përfshin grupe të interesit të huaj. Amerikanët me lidhje (të vërteta ose thjesht të pretenduara) me vendimmarrësit tani gëzojnë mundësi që mund të çojnë në të gjitha llojet e sjelljeve korruptive. Këshilltarët politikë dhe ish-zyrtarët e SHBA-ve që kalojnë kohë në një treg të madh, fitimprurës dhe pak të rregulluar, përballen me prova të shpeshta etike, integriteti dhe patriotizmi. Disa i menaxhojnë këto sfida me kujdes dhe korrektësi të zellshme. Të tjerët jo.

Aventura e shkëlqyer e Rudit dhe Dmytros

Ndoshta rasti më i spikatur i korrupsionit strategjik vitet e fundit është ai i Ukrainës që çoi në nisjen e procedurave të shkarkimit të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, në vitin 2019. Shumë amerikanë mund ta mendojnë këtë si kryesisht skandal i politikës së brendshme. Por është e rëndësishme të kuptohen rrënjët e tij jashtë vendit.

Trump u fajësua sepse gjatë verës së vitit 2019, ai kërkoi të kushtëzojë marrëdhëniet e ardhshme të tij dhe administratës së tij me Ukrainën, duke pasur gatishmërinë e Kievit për ta ndihmuar atë të hedhë baltë mbi kundërshtarin e tij politik, Joe Biden, të fajësojë ish-zyrtarët e qeverisë ukrainase (dhe jo Kremlinin) për hakerimin e Komitetit Kombëtar Demokratik gjatë fushatës presidenciale të SHBA 2016, dhe hodhi dyshime mbi provat e përdorura nga prokurorët amerikanë për të futur në burg njërin nga menaxherët e fushatës së Trump 2016, Paul Manafort. Por historia në të vërtetë filloi shumë kohë përpara se Trump të bënte ndonjërën nga këto, dhe autorët kryesorë të saj nuk ishin amerikanët.

Duke filluar nga viti 2018, një grup komplotistësh filluan një përpjekje të bashkërenduar për të njollosur ambasadoren e SHBA në Ukrainë, Marie Yovanovitch dhe për të nxitur largimin e saj nga detyra. Grupi përfshinte dy qytetarë amerikanë të natyralizuar me lidhje me Ukrainën, Lev Parnas dhe Igor Fruman; avokatin dhe partnerin e tyre amerikan, Rudy Giuliani (i cili gjithashtu punon si avokat personal i Trump); dhe dy ish-zyrtarë ukrainas të zbatimit të ligjit, Yuriy Lutsenko dhe Viktor Shokin. Parnas, Lutsenko dhe Shokin kaluan informacione që ulnin figurën e Yovanovitch dhe Biden - përfshirë akuzat që më pas u provuan të rreme – te Giuliani dhe Pete Sessions, atëherë një kongresmen republikan nga Teksasi. Giuliani nxiti publikimin në media të këtyre pretendimeve, të cilat më pas u amplifikuan nga Trump dhe djali i tij, Donald Trump Jr.

Por pas këtij grupi qëndronin lojtarë më të mëdhenj me xhepa më të thellë, dhe pikërisht axhenda e tyre ishte ajo që po e drejtonte fushatën. Sipas prokurorëve federalë në Nju-Jork, që akuzuan Parnas dhe Fruman vjeshtën e kaluar me akuzën e komplotit për të shkelur ligjet e financimit të fushatës, dyshja, të cilët vetë kishin pak para, kishin dhuruar qindra mijëra dollarë në komitetet e veprimit politik të SHBA-ve përmes një kompanie të mbështetur me fonde të huaja. Ata kishin edhe plane të tjera. Associated Press raportoi se, në mars të vitit 2019, Parnas dhe Fruman i propozuan një marrëveshje Andrew Favorovit, një zyrtar i lartë në kompaninë shtetërore të gazit ukrainas Naftogaz. Sipas marrëveshjes, kompania do të importonte gazin natyror të lëngshëm amerikan. Si pjesë e marrëveshjes, Favorov do të zëvendësonte shefin ekzekutiv të kompanisë, të respektuarin Andriy Kobolyev. Parnas dhe Fruman i thanë Favorovit se ambasadorja amerikan, Yovanovitch, me siguri do ta kundërshtonte marrëveshjen, por ata e siguruan atë që atë shumë shpejt do ta hiqnin nga detyra.

Këta njerëz, siç duket, nuk ishin aspak të pavarur. Siç shkruan gazetarja Catherine Belton në librin e saj të fundit, “Njerëzit e Putinit”, Parnas dhe Fruman po punonin për Dmytro Firtash, një manjat ukrainas "i cili kishte marrë përsipër tregtinë e gazit Turkmenistan-Ukrainë-Rusi me mbështetjen e Kremlinit." (Prokurorët federalë në Nju-Jork zbuluan se Firtash i ka dhënë të paktën 1 milion dollarë Parnasit). “The Washington Post” shkruan se, sipas propozimit të Parnasit dhe Frumanit, Naftogaz do të pranonte të shlyente qindra miliona dollarë borxhe që Firtash i detyrohej kompanisë .

Objektivat politike të komplotit dhe përfshirja e dukshme e Firtashit e ngrenë këtë përrallë të çuditshme nga niveli i ryshfetit të zakonshëm në atë të korrupsionit strategjik. Firtashi është një figurë e njohur në Ukrainë. Për shumë vite, ai menaxhoi tregtinë me Ukrainën për Gazprom, kompania e kontrolluar nga shteti rus që, sipas fjalëve të ekonomistit dhe ekspertit rus Anders Aslund, është "ndoshta mjeti më i madh gjeopolitik i Rusisë në ish-Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore". Për Rusinë, kontrolli efektiv i tregtisë së gazit brenda dhe përmes Ukrainës është një objektiv kombëtar me rëndësi parësore. Dhe Firtash ishte njeriu i Gazpromit në Kiev; në të vërtetë, sipas Aslund, "Firtash duket se ka qenë më shumë një agjent ndikimi në Kremlin sesa biznesmen".

Firtash u arrestua në Vjenë në vitin 2014 pasi prokurorët federalë në Shtetet e Bashkuara e akuzuan për përpjekje për t’u dhënë ryshfet zyrtarëve në Indi. Një biznesmen rus pranë presidentit rus Vladimir Putin i huazoi Firtashit 125 milionë euro për të financuar lirimin me kusht. Firtash që atëherë e ka kundërshtuar ekstradimin e tij nga Austria me ndihmën e shumë avokatëve amerikanë, përfshirë ish-zyrtarë të të dy partive politike. Midis tyre janë Joseph diGenova dhe Victoria Toensing, dy avokatë me lidhje të ngushta me Giulianin; Firtash ka thënë se ai u ka paguar atyre më shumë se 1 milion dollarë për ta përfaqësuar ligjërisht. DiGenova dhe Toensing kanë mohuar që Firtash ishte i përfshirë në marrëdhëniet e Parnasit dhe Frumanit, dhe sipas “The Washington Post”, ata ia kanë dalë  të organizonin një takim të pazakontë me avokatin e përgjithshëm amerikan, William Barr, për të mbrojtur çështjen e ekstradimit të Firtashit. (Ndërkohë, paratë mund të mos jenë e vetmja gjë me vlerë që bashkëpunëtorët amerikanë të Firtashit kanë nxjerrë si përfitim nga këto marrëdhënie: sipas The New York Times, ekipi ligjor i Firtash në Austri ka furnizuar Giulianin me dokumente që ai pretendon se tregojnë shkelje të ligjit nga ana e Biden.)

DiGenova dhe Toensing janë shfaqur në Fox News, jo për të shpjeguar variantin e Firtashit, por për të paralajmëruar miliona shikues amerikanë se një bankier i dyshimtë, George Soros, po përpiqej të merrte përsipër politikën e jashtme amerikane në Ukrainë. Ata pretenduan se Soros po manipulonte diplomatët amerikanë atje. Juristët e Firtashit i referoheshin punës së fondacioneve që Soros ka financuar për atë që njihet si "shoqëri të hapur". Çfarëdo të mendohet për preferencat e Sorosit në politikën amerikane, fondacionet e tij ia kanë dalë shumë mirë të mbështesin transparencën dhe iniciativat e zbatimit të ligjit në Evropën Lindore. Kremlini dhe miqtë e tij i kanë dhënë përparësi zhbërjes së këtij përparimi dhe e kanë Sorosin në shënjestër të një propagande të mbrapshtë dhe shpesh antisemite.

Skandali i Ukrainës, shkruan Belton, "ekspozoi si brishtësinë e sistemit politik amerikan, edhe mënyrën e gërryerjes së tij nga brenda". “Duket sikur e gjithë politika amerikane është në shitje", tha një ish-bankier i lartë rus me lidhje me shërbimet e sigurisë. . . . "Doli se gjithçka varej nga paraja, dhe të gjitha këto vlera [perëndimore] ishin hipokrizi e pastër."

Përfundimi është se duke harxhuar miliona dollarë dhe duke përdorur karremin e informacionit për të ndihmuar Trump, Firtash dhe bashkëpunëtorët e tij me sa duket po përpiqen të pengojnë ekstradimin e tij, ta vënë sektorin e energjisë së Ukrainës në duar që sjellin më shumë leverdi, të heqin qafe zyrtarët amerikanë që u zënë rrugën dhe përhapin teori konspirative, të cilat kanë qenë prej kohësh një element kryesor i propagandës ruse. Nuk është rastësi që këto synime përputhen pothuajse plotësisht me Kremlinin. Është një axhendë e mirëfilltë - dhe pak prej saj e ka origjinën në Shtetet e Bashkuara.

Korrupsion me karakteristika kineze

Regjimi i Putinit nuk është i vetmi që e ka kthyer korrupsionin në mjet për të çuar përpara interesat e tij kombëtare. Edhe Pekini është futur në lojë. Marrim rastin e konglomeratit kinez të energjisë dikur të rëndësishëm, CEFC China Energy. Karakteri aktual i operacioneve të kompanisë dhe shefi ekzekutiv i saj, Ye Jianming, mbeten mistere. Ye kishte investuar dhe krijuar lidhje zyrtare në të gjithë botën, përfshirë në Republikën Çeke. Në vitin 2018, një ekspert në Pragë që ishte vënë në gjurmët e përpjekjeve të Ye tha për “New York Times” se "është e qartë prej kohësh se kjo nuk është vetëm një kompani tregtare kineze, ata kishin disa lidhje inteligjence." Siç thuhej në një raportim të CNN-it, "në kulmin e saj, kompania  u afrua aq pranë qeverisë kineze sa shpesh ishte e vështirë të bëhej dallimi midis të dyjave."

Misteri thellohet në nëntor 2017, kur autoritetet amerikane arrestuan një ekzekutiv të CEFC të quajtur Patrick Ho, me akuzën e ryshfetit dhe pastrimit të parave. Ish-ministër i qeverisë së Hong-Kongut, Ho ishte i njohur për fjalimet që ngrinin lart nismën kineze Belt&Road (BRI), një plan infrastrukturor ambicioz me përmasa të mëdha, që ka si synim lidhjen e Kinës me Afrikën dhe Evropën përmes rrjeteve rrugore, hekurudhore dhe detare, të cilat Kina këmbëngul se do të stimulojnë tregtinë dhe zhvillimin ekonomik.

Ho nuk nuk mbështetej vetëm në aftësitë e tij si orator. Në vitin 2014, ai i ofroi Presidentit të Çadit, Idriss Deby, 2 milion dollarë, të fshehur në një kuti dhurate. Dy vjet më vonë, ai ideoi një ryshfet prej 500 000 dollarësh për presidentin e Ugandës, Yoweri Museveni. Me ato para, ai synonte hapjen e tregjeve të naftës dhe gazit në këto dy vende për biznesin kinez. Dhe nisma Belt&Road nuk ishte e vetmja gjë që Ho po promovonte: Prokurorët federalë të SHBA gjithashtu hodhën dyshimin se ai kishte organizuar shitje të paligjshme armësh në Libi dhe Katar dhe ishte ofruar për të ndihmuar Iranin të nxirrte nga Kina paratë e sanksionuara.

Disa muaj pas arrestimit të Ho, shefi ekzekutiv i CEFC China Energy, Ye, u zhduk. Mendohet se ai është burgosur në Kinë, dhe kompania është marrë zyrtarisht nga një ndërmarrje shtetërore kineze.

Për shkak të konfliktit të dikurshëm mes Kinës dhe Perandorisë Britanike, udhëheqësit e Kinës janë njohur me mënyrën se si vepruan britanikët në shekullin XIX, dhe ata duket se vlerësojnë atë sesi fuqia e perandorisë nuk vinte vetëm nga ushtarët ose anijet luftarake; ajo erdhi, më saktë, nga kontrolli i perandorisë mbi portet, kanalet, hekurudhat, minierat, rrugët e transportit, kabllot telegrafike, standardet tregtare dhe shkëmbimet financiare. Studentët e historisë perandorake britanike patën mundësinë të miratonin duke tundur kokën vitin e kaluar, kur dëgjuan Mahmoud Ali Youssouf, ministrin e Jashtëm të Xhibutit, qendër strategjike, ndërsa fliste “The Washington Post”: "Po, borxhi ynë ndaj Kinës është 71 për qind e PBB-së tonë, por ne na duhej ajo infrastrukturë". Tani Kina mbështet lidhjen tokësore dhe detare në një sistem global të ndërtuar me normat dhe standardet kineze të bashkëpunimit, të financuara nga një rrjet bankash me fonde kineze, dhe i mundësuar nga korrupsioni dhe ryshfeti kinez në shkallë epike.

Ekspertët nuk pajtohen nëse, në ekuilibër, BRI paraqet kërcënim për interesat e ShBA-ve. Pavarësisht nga gjykimi që dikush mund të ketë për atë çështje, megjithatë, është thelbësore të shihet që korrupsioni qëndron në thelb të BRI, që përfshin pak transparencë dhe shumë para dhe që i bën zyrtarët në të gjithë botën të bëhen peng i Partisë Komuniste Kineze. BRI gjithashtu lidh infrastrukturën në tre kontinente me një qeveri autoritare në Pekin të njohur për mbledhjen e informacionit personal dhe shtypjen e mendimit ndryshe. Jo të gjithë zyrtarët lokalë marrin atë që iu dha ministrit të Jashtëm të Xhibutit; disa lind nevoja të influencohen në mënyra të tjera.

Kjo mund të jetë arsyeja pse Kina ka ndërmarrë një qasje më sistematike ndaj korrupsionit strategjik në Australi. Gjatë viteve të fundit, zbulimi i përpjekjeve kineze për riformatimin e mjedisit politik të Australisë kanë qenë në titujt kryesorë të mediave. Donatorë të pasur, me lidhje me autoritetet kineze, kanë financuar organizata politike australiane dhe fushata zgjedhore, kanë organizuar përpjekje për të ndikuar në opinionin publik dhe kanë kontribuar për politikanë që kanë vlerësuar Kinën. Në vitin 2018, pasi mediat zbuluan një kontribut të tillë nën dorë ndaj një senatori australian, ky i fundit u detyrua të dorëhiqej.

Në vitin 2005, një diplomat kinez me emrin Chen Yonglin “dezertoi” në Australi dhe më vonë shkroi se "Partia Komuniste e Kinës kishte filluar një përpjekje të strukturuar për t’u infiltruar në Australi në një mënyrë sistematike". Autoritetet australiane e pranojnë këtë. Pasi doli në pension vitin e kaluar, duke u larguar nga posti i drejtorit të përgjithshëm të agjencisë kryesore të inteligjencës së Australisë, Duncan Lewis foli publikisht për axhendën "e fshehtë" të Kinës. "Jo vetëm në politikë, por edhe në komunitet ose në biznes, [kjo ndërhyrje e huaj] merr kontroll, në thelb, duke tërhequr fijet nga ana tjetër e detit", tha Lewis. Ajo që po përjeton Australia është i njëjti version i korrupsionit strategjik që alarmoi amerikanët në vitet '30 dhe çoi në kalimin e ligjit FARA. Në 2018, Australia miratoi Aktin e Skemës së Transparencës së Ndikimit të Huaj, i cili bazohet në ligjin amerikan FARA, por i janë bërë disa përmirësime.

Pak konflikt interesi

Kundërshtarët e ShBA-ve nuk janë të vetmit që e kanë kthyer korrupsionin në mjet. Turqia është një tjetër shembull i një aleati nominal që gjithashtu ka provuar dorën e saj në këtë teknikë. Vitin e kaluar, prokurorët federalë të SHBA-ve akuzuan bankën e dytë më të madhe shtetërore në Turqi, Halkbank, për organizimin e një skeme masive që kishte për qëllim shmangien e sanksioneve ndërkombëtare mbi Iranin duke dërguar ar në Republikën Islamike në këmbim të naftës dhe gazit. Pasi protestuan fillimisht se gjykatat amerikane nuk kishin juridiksion, Halkbank u deklarua e pafajshme, dhe çështja është në pritje të gjykimit në New York. Por Turqia nuk po përpiqej thjesht të minonte përpjekjen për të izoluar dhe dobësuar regjimin iranian, i cili është një nga qëllimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të Uashingtonit; ajo gjithashtu po përpiqej të prodhonte një rezultat specifik politik.

Në vitin 2016, një biznesmen iraniano-turk i përfshirë në komplot, Reza Zarrab, u arrestua në Shtetet e Bashkuara. Pati një mundësi domethënëse që ai të pranonte fajin dhe të fliste, ndoshta për përfshirjen e zyrtarëve të lartë turq në skemën e tij. Sidoqoftë, përpara se Zarrab të hapte gojë, Giuliani dhe miku i tij i vjetër Michael Mukasey, i cili ka qenë prokuror i përgjithshëm në administratën e George W. Bush, ranë dakord ta përfaqësojnë ligjërisht Zarrabin dhe punuan shumë për ta liruar atë.

Para se të lejonte dy avokatët të përfaqësonin Zarrab, gjykatësi në këtë rast mbajti disa seanca për të shqyrtuar konfliktet e tyre të mundshme të interesit. Studioja e avokatisë e Giulianit ishte një agjent i regjistruar për Turqinë, dhe gjykatësi vuri në dukje se Giulianit mund t’i ndalohej zgjidhja e çështjes "që do të ishte në kundërshtim me interesat e Turqisë". Në shkurt 2017, Giuliani dhe Mukasey udhëtuan në Turqi për të diskutuar çështjen e Zarrab me Presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan. Më pas, sipas “The Washington Post”, në vjeshtën e atij viti, të dy avokatët siguruan një takim me Trump, në të cilin ata lobuan te presidenti për të liruar Zarrab; karremi ishte ideja për ta shkëmbyer atë për Andrew Brunson, një pastor amerikan që turqit e kishin arrestuar me akuza pretekstuale.

Sipas “Washington Post”-it, Trump u tundua, dhe Sekretari i atëhershëm i Shtetit, Rex Tillerson, u thirr në zyrën ovale. Ai u befasua kur gjeti aty Giulianin dhe Mukasey-n dhe nuk pranoi të binte dakord me marrëveshjen. Këtë nuk do ta bënte as Departamenti i Drejtësisë. Shefi i shtabit të Shtëpisë së Bardhë në atë kohë, John Kelly, u tha se ishte mjaft i shqetësuar për përpjekjen Giuliani-Mukasey-Trump për të ndërhyrë në një hetim penal. Shkëmbimi nuk ndodhi kurrë (Brunson u la i lirë gjithsesi në 2018), dhe Zarrab përfundimisht u shpall fajtor dhe dha prova të rëndësishme, mbi të cilat u ngrit akuza për Halkbank.

Që nga ajo kohë, Halkbank dhe zyrtarët turq kanë lobuar te Trump, duke u përpjekur të mbrojnë bankën nga detyrimi për të paguar gjobat miliarda dollarëshe, të vendosura në një rast të ngjashëm kundër firmës franceze BNP Paribas. Detyra e tyre është bërë më e lehtë nga fakti se Tillerson, Kelly, dhe shumë kundërshtarë të tjerë të mundshëm tani kanë dalë nga skena dhe se, siç duket, nuk mungojnë interlokutorët e gatshëm krahas Giulianit. Dhëndri dhe këshilltari prej kohësh i Trump, Jared Kushner, është bërë një faktor kyç për lidhjen me të afërmit e liderëve turq, përfshirë një nga dhëndrat e Erdoganit. Vitin e kaluar, Lindsey Graham, një senatore republikane amerikane nga Karolina e Jugut, ra pre e një loje telefonike, gjatë së cilës dikush iu paraqit si ministri turk i Mbrojtjes, i cili regjistroi garancinë që Graham dha se Trump ishte "shumë i ndjeshëm" ndaj shqetësimeve të Turqisë për çështjen Halkbank dhe se Trump dëshiron "të bëhet i dobishëm".

Është e pamundur të thuash me siguri se çfarë i ka ofruar Turqia Trump-it përmes kanaleve të saj informale. Por, në nëntor 2019, ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Trumpit, John Bolton, mbajti një fjalim joformal në një grup privat, gjatë të cilit ai thuhet se shprehu besimin e tij se "ekziston një marrëdhënie personale ose biznesi që dikton qëndrimin e Trump-it mbi Turqinë." Dëshmi të tjera sugjerojnë se kjo mund të jetë e vërtetë: Trump ka qenë jashtëzakonisht i devijuar në krah të Erdoganit dhe e ka trajtuar presidentin turk me një butësi që bie në kontrast të ashpër me mënyrën në të cilën Trump ka trajtuar drejtuesit e vendeve aleate, siç është ish-kryeministrja britanike, Theresa May, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në vitin 2012, kur u hapën në Stamboll Kullat Trump, vajza e presidentit, Ivanka Trump, në një mesazh në Tuiter falënderoi Erdoganin për pjesëmarrjen në ceremoninë e hapjes. Dhe sipas “Washington Examiner”, vetë Trump dikur tha në lidhje me Turqinë: "Unë kam një konflikt të vogël interesi, sepse kam një ndërtesë shumë të madhe në Stamboll."

Është për t'u habitur që një bankë shtetërore e një aleati nominal amerikan kundërshtoi Uashingtonin duke ndihmuar Iranin të prishë sanksionet. Por ajo që është shumë më shqetësuese është se kur kjo doli në dritë, ata që ishin të përfshirë kërkuan dhe gjetën përfaqësues amerikanë që mund t’i ndihmojnë që ta ndalojnë ndëshkimin që mund t’u vijë nga qeveria amerikane. Kjo shkon përtej të famshmes “paguaj që të hysh në lojë”. Është “paguaj për politikë”, pra korrupsion strategjik. Dhe deri më tani, ajo ka pasur sukses. Halkbank nuk ka paguar gjoba të konsiderueshme për shkeljet e mëdha që ka bërë mbi sanksionet kundër Iranit.

Kujdesi londinez

Për Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj, korrupsioni strategjik paraqet tre rreziqe. Së pari, ekziston kërcënimi i drejtpërdrejtë dhe i dukshëm i rezultateve të politikave të këqija. Pastaj, ekziston rreziku më i përgjithshëm që buron nga rivalët që e adoptojnë korrupsionin si teknikë për ndërtimin e ndikimit global, siç kanë bërë kinezët në zhvillimin e nismës Belt&Road. Përpjekje të tilla arrijnë në një përmbysje të përpjekjeve të pas Luftës së Ftohtë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, për të promovuar prosperitetin në vendet në zhvillim përmes transparencës, reformave politike dhe liberalizimit ekonomik. Në të kaluarën, duke ndjekur këshilla të tilla, vendet mund të përmirësonin statusin e tyre në institucionet perëndimore dhe të bashkoheshin me komunitetin e kombeve. Përkundrazi, sistemi i ri me qendër në Pekin ka ndërtuar një rrjet global oligarkësh që ua detyrojnë pozicionet dhe mjetet e jetesës klientëve të tyre kinezë. Ndërsa sistemi kinez rrit ndikimin dhe zgjeron shtrirjen e tij gjeografike, ai dëmton jo vetëm perspektivat e zhvillimit të vendeve të prekura, por edhe pjesëmarrjen e tyre në marrëdhënie tregtare të hapura dhe bashkëpunimin e tyre të sigurisë me të tjerët.

Rreziku i tretë dhe i fundit vjen nga vende të tilla si Kina dhe Rusia që lejojnë ndërmarrjet e drejtuara nga shteti dhe flukset e paligjshme të parave për të depërtuar drejtpërdrejt në qeveritë dhe institucionet perëndimore. Bankat kanadeze, ndërmarrjet e pasurive të patundshme britanike dhe firmat amerikane të lobimit dhe PR-it, ndër të tjera, tani u shërbejnë interesave të shteteve autoritare - me dëshirë ose jo. Në Shtetet e Bashkuara, dalja në dritë e disa rasteve të tilla që lidhen me këtë ndikim të huaj ka ushqyer prirjen e qytetarëve për ta parë sistemin e tyre politik si të korruptuar dhe për të arritur në përfundimin se politika amerikane është në shitje për ata që ofrojnë më shumë - madje edhe për rivalët e huaj.

Kjo është, natyrisht, e projektuar. Sipas një studimi që Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare publikoi në vitin 2016, "influenca ruse përqendrohet në dobësimin e kohezionit të brendshëm të shoqërive dhe forcimin e perceptimit të mosfunksionimit të sistemit demokratik dhe ekonomik perëndimor...Kjo arrihet duke ndikuar dhe dëmtuar qeverisjen demokratike nëpërmjet institucioneve të veta". Kjo është arsyeja pse, siç paralajmëroi kohët e fundit studiuesi Larry Diamond, "korrupsioni endemik në shkallë të gjerë paraqet kërcënimin kryesor më të ngutshëm të demokracisë - dhe e bën atë më të rrezikuar nga përmbysja e jashtme".

Për një paralajmërim të qartë për atë që ndodh kur korrupsioni strategjik bëhet pa kontroll, amerikanët nuk duhet të shikojnë më larg se Britania e Madhe. Putin beson se ai e ka neutralizuar aq shumë partnerin më të ngushtë strategjik të Uashingtonit, sa ndihet i sigurt duke çuar armë klandestine ekzotike atje për të kryer atentate politike. Për të arritur këtë shkallë tronditëse të lirisë për të manovruar, Putini dhe bashkëpunëtorët e tij shfrytëzuan disa dobësi në sistemin britanik. Regjistri britanik i pronave anonime u lejoi oligarkëve rusë të mashtronin Londrën dhe sektorin e saj financiar, ku ata grumbulluan para të pista. Ligji britanik për shpifje favorizon paditësit shumë më tepër sesa statutet dhe doktrinat ekuivalente të SHBA-ve, dhe oligarkët rusë e kanë shfrytëzuar në mënyrë të pamëshirshme këtë avantazh, me qëllim censurimin e fjalimeve që ekspozon skemat e tyre. Në vitin 2014, për shembull, Universiteti i Kembrixhit u tërhoq nga planet për të botuar librin e politologes amerikane Karen Dawisha, “Kleptokracia e Putinit”, për shkak të frikës se rusët e përmendur në libër do të ngrinin një lumë padish për shpifje - me ndihmën e avokatëve britanikë me ndikim, natyrisht.

Si ta pastrosh “shtwpinë”

Kërcënimi në rritje nga korrupsioni strategjik ka kaluar kryesisht pa u vënë re ose është nënvlerësuar në Pentagon dhe në Departamentin e Shtetit. Nuk është e mjaftueshme t’ua kalosh problemin prokurorëve federalë dhe të shpresosh për më të mirën; përgjigja duhet të kalojë në qendrën e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare. Kjo do të kërkojë fushata publike dhe private të monitorimit të korrupsionit, përpjekje të ligjvënësve për të eliminuar dobësitë në sistemin ligjor dhe politik të SHBA-ve dhe fundin e mosbesimit të Uashingtonit ndaj sanksioneve ekonomike, të cilat do të bëhen gjithnjë e më pak efektive nëse rivalët amerikanë mund të ofrojnë mënyra alternative për t’i mbështetur.

Lëvizjet politike që Uashingtoni duhet të ndërmarrë për të shmangur fatin e Londrës nuk janë edhe aq magjepsëse; ato rrallë mund të përfshijnë municione precize ose ekipe të forcave speciale. Por ato megjithatë janë jetike. Për fillestarët, axhenda tradicionale e promovimit të transparencës duhet të përditësohet dhe forcohet. Një hap i parë do të ishte që qeveria federale dhe kryeqytetet e shteteve të forcojnë rregulloret e tyre për kompanitë me përgjegjësi të kufizuar, natyra anonime e të cilave u lejon atyre të fshehin fonde me origjinë të dyshimtë dhe pronësinë e pronave luksoze. Vitin e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi Ligjin e Transparencës së Korporatave, i cili, përveç të tjerash, do të kërkojë zbulimin e pronarëve përfitues të firmave ose korporatave të regjistruara. Ky është një hap në drejtimin e duhur. Kongresi gjithashtu duhet të zhvillojë seanca dëgjimore për fushën dhe zbatimin e ligjit FARA, i cili ka nevojë për ndryshime të tjera.

SHBA-ve gjithashtu u nevojiten ligje që e bëjnë më të vështirë ndjekjen e pretendimeve të pabazuara për shpifje, të krijuara me qëllimin për të ngacmuar dhe censuruar kritikët. Njëzet e nëntë shtete tashmë kanë miratuar ligje të tilla, por kjo nuk është e mjaftueshme. Legjislacioni federal mund të jetë një rrugë më e mirë.

Lufta kundër korrupsionit strategjik ndonjëherë i mjegullon vijat tradicionale që ndajnë kundërzbulimin, zbatimin e ligjit dhe diplomacinë. Kjo mund të paraqesë probleme edhe kur qeveria federale është në duart e një administrate normale presidenciale dhe po funksionon mirë. Hetimet e korrupsionit mund të manipulohen; ato mund të politizohen. Por inteligjenca amerikane dhe agjencitë e politikës së jashtme duhet të jenë vigjilente ndaj rrezikut që paraqet korrupsioni strategjik. Mbrojtja kundër këtij kërcënimi nuk mund të lihet thjesht në zyrën e kryeprokurorit amerikan ose të Departamentit të Thesarit.

Një administratë presidenciale normale do të kishte hapur tashmë një hetim të sigurisë kombëtare për fushatën kundër Yovanovitch, duke i parë me lente zmadhuese Firtashin dhe bashkëpunëtorët e tij dhe duke përdorur burime që shtrihen përtej atyre që FBI-ja ka në dispozicion. Por edhe pa ndonjë njohuri të brendshme për Shtëpinë e Bardhë të Trump-it, nuk është e vështirë të imagjinohen vështirësitë që një hetim i tillë do të paraqiste aktualisht për zyrtarët e karrierës. Çështja Halkbank paraqet disa probleme analoge. Dhe mund të ketë situata të ngjashme që nuk dihen ende publikisht.

Por mjetet për të luftuar korrupsionin strategjik janë, dhe një administratë e ardhshme mund të vendosë t'i përdorë ato në mënyrë të ndershme. Një degë ekzekutive me ndërgjegje mund të përfitojë nga mjete të tilla si Bordi Mbikëqyrës i Privatësisë dhe Lirive Civile, i cili u krijua në vitin 2004 për të kontrolluar rrezikun e hetimeve me zell të tepruar ose të politizuara. Dhe sigurisht, ka metoda më të vjetra për pastrimin e “shtëpisë”, siç janë inspektorët gjeneralë të agjencive (tani në shënjestrën e presidentit aktual) dhe mbikëqyrja e Kongresit (nëse Kongresi arrin ndonjëherë të fitojë besimin e publikut, i cili është dëmtuar pothuajse tërësisht në dekadat e fundit).

Rreziku i korrupsionit strategjik nuk ka pse të jetë çështje partiake. Një axhendë antikorrupsioni mund t’i bashkojë të majtët dhe të djathtët që favorizojnë transparencën ekonomike, e cila mbron njëlloj si  konsumatorët edhe investitorët dhe qytetarët. Këto vlera të përbashkëta shpjegojnë pse antikorrupsioni është një çështje animuese për grupet e shoqërisë civile në të gjithë spektrin politik, nga Transparency International e deri tek Iniciativa e Kleptokracisë së Institutit Hudson.

Megjithëse nisja e procedurave për shkarkimin e Trump ka kaluar në plan të dytë, fiaskoja e Ukrainës që e përshpejtoi atë, ende paraqet një mundësi. Në vend që të kontribuojë thjesht në polarizimin dhe mosfunksionimin që i ndodh Uashingtonit, ai skandal dhe të tjerët mund të ndihmojnë në rivendosjen e axhendës së veprimit politik. Skandali i Ukrainës nuk është vetëm një alarm që lidhet me presidentin aktual amerikan. Është një paralajmërim për atë se si qeveritë vulnerabël janë bërë në një formë të re të luftës politike, një strategji që përfiton nga liritë për t’i diskredituar ato.

Burimi: Foreign Affairs

PHILIP ZELIKOW është profesor i Historisë dhe i Qeverisjes në Miller Center në Universitetin e Virxhinias. Ish-diplomat amerikan dhe drejtor ekzekutiv i Komisionit të 11 Shtatorit, ai ka punuar për pesë administratat presidenciale.

ERIC EDELMAN është Këshilltar në Qendrën për Vlerësime Strategjike dhe Buxhetore dhe Këshilltar i Lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive. Ai ka shërbyer si nënsekretar i Mbrojtjes për Politikë nga 2005 deri në 2009.

KRISTOFER HARRISON është këshilltar i rrezikut financiar dhe politik. Ai ka qenë këshilltar në Departamentin e Mbrojtjes dhe atë të Shtetit gjatë administratës së George W. Bush.

CELESTE WARD GVENTER ka shërbyer si zv.ndihmëssekretare e Mbrojtjes e ShBA-ve gjatë administratës së George W. Bush. Duke filluar nga kjo vjeshtë, ajo do të jetë bashkëpunëtore në Qendrën Albritton për Strategjitë në Universitetin A&M të Texas.

Përkthimi për ResPublica: Gazmira Sokoli

Titulli origjinal: The Rise of Strategic Corruption

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Me pak fjale jetojme ne nje bote teresisht te korruptuar, e cila nuk ka turp te flase per demokracine dhe te drejtat e garantuara te njeriut, biles (gjoja) ti eksportoje keto ne vende te pazhvilluara, si p.sh. Shqiperia! Ne kete bote, korrupsioni financiar eshte i lidhur me politiken dhe ndjek konturet e tij, qe do te thote se ne perendim patrohen shumica e parave te pista, e qe ky fenomen te vazhdoje sic ka vazhduar prej 100-200 vjetesh, politika e perendimit ben punen e saj. Nyja gordiane (xhungla e ligjeve) perendimore ua mundeson mosdenimin ketyre politikanve te korruptuar te perendimit te vazhdojne te tallen me boten! Mire te na i bejne!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.